Nju Jork, OKB miraton rezolutë për Sirinë, por fati i Assad nuk përfshihet

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë në mbështetje të një procesi të paqes për t’i dhënë fund luftës gati pesë vjeçare në Siri.

Teksti i rezolutës u hartua në një hotel të Nju Jorkut gjatë një takimi të 20 ministrave të jashtëm, që u mbajt nën organizimin e Sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe të dërguarit të OKB-së në Siri, de Mistura.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se rezoluta dërgon “një mesazh të qartë tek të gjitha palët e interesuara se tani është koha për t’u dhënë fund vrasjeve në Siri”.

Por Fati i Presidentit sirian Bashar al-Assad, nuk është pjesë e rezolutës dhe ajo që do të ndodhë me të duket se është pjesa më përçarëse e përpjekjeve për paqen.

Moska dhe Irani mbështesin Assadin, ndërsa mbështetësit kryesor të opozitës siriane, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Vendet evropiane dhe Arabinë Saudite, ngulin këmbë se ai duhet të largohet nga pushteti.

Pak para votimit në Këshillin e Sigurimit, Presidenti Barack Obama ritheksoi qëndrimin e Uashingtonit se për aq kohë sa Assadi është president, Siria nuk mund të jetë e qëndrueshme.

Rezoluta e mbështetur nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, bën thirrje për bisedime të paqes dhe armëpushim që do të fillonte që në ditët e para të muajit janar të vitit që po vjen.

Në rezolutë thuhet se “zgjidhja e vetme e qëndrueshme e krizës aktuale në Siri, mund të arrihet përmes një procesi gjithëpërfshirës politik të udhëhequr nga sirianët që përmbush aspiratat e ligjshme të popullit të Sirisë”.

Rezoluta është hartuar mbi dakordësinë e arritura në diskutimet paraprake në Gjenevë dhe në Vjenë, ku bëhet thirrje për një “trup qeverisës kalimtar me fuqi të plota ekzekutive” në Siri.

Rezoluta kërkon që OKB të sjellë së bashku qeverinë siriane dhe opozitën për bisedime formale mbi një tranzicion politik “me synimin që kjo të ndodhë në fillim të janarit 2016.” “Qartazi mbeten dallime të mprehta”, tha sekretari Kerry, duke aluduar në fatin e Assadit “Që kjo të funksionojë, procesi duhet të drejtohet, formohet e të vendoset nga gratë dhe burrat e Sirisë”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button