Dekriminalizimi, Rama: Në janar momenti i së vërtetës

Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat tha se votimi i ligjit për dekriminalizimin përbën një moment mjaft të rëndësishëm për politikën shqiptare dhe popullin shqiptar.

Sipas Ramës, janari është momenti i së vërtetës. “Me votën e djeshme kemi hedhur bazat për një hap të mëtejshëm për transparencën e plotë në përzgjedhjen e kujtdo që përfaqëson shqiptarët në çdo nivel apo që duhet t’u shërbejnë në çdo pozicion në administratë. Pres me padurim që me hyrjen në fuqi të ligjit, të shohim se kush janë kriminelët. Janë numëruar 19 të tillë nga SHQUP-i. Dhe nga ana tjetër secili të marrë përgjegjësinë para popullit për çdo shpifje, akuzë dhe kriminalizim që i ka bërë Parlamentit. Ligji hyn menjëherë në fuqi. Në janar është momenti i të vërtetës për të parë se sa ka pasur të vërtetë dhe sa ka qenë propaganda e baltës mbi kundërshtarin”, tha kryeministri.

“Sepse, një gjë është që, së bashku çojmë përpara një proces që lehtëson padyshim çdo votues nga ndenja e keqardhjes madje dhe dëshpërimit, kur i është dashur të votojë për dikë që nuk e meriton, por meriton të jetë jashtë procesit të përzgjedhjes. Por, një gjë krejt tjetër është kriminalizimi i skajshëm, ekstrem që i është bërë jo vetëm politikës, por edhe Shqipërisë, zyrë më zyrë e vrimë më vrimë, nga ata, që në janar duhet të japin provën se kanë pasur të drejtë, kur flisnin për lista dhe për tufa kriminelësh qoftë në Parlament, qoftë në nivele të tjera”, vijon kreu i qeverisë.

Ndërkohë, i pyetur lidhur me atë çfarë është diskutuar në takimin që zhvilloi me kreun e LSI-së, Ilir Meta, kryeministri tha se në fokus ishte reforma në drejtësi, e cila tashmë sipas Ramës kalon në një fazë të re, pas ‘mbështetjes së pavarur dhe të qartë që Komisioni i Venecias i jep kësaj reforme si domosdoshmëri për një ndryshim radikal.

“Është përgjegjësi në radhë të parë e kësaj shumice të votuar nga 1 milion shqiptarë që të çojë përpara një proces për të cilin shqiptarët nuk janë të ndarë, por plotësisht të bashkuar”, tha kryeministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button