BOLL MOO!

– Duam ajër! – është kërkesa e tetovarëve që sot protestojnë udhëve të qytetit më të ndotur të botës.

Kërkesa e tyre është njerëzore, e drejtë dhe e paprolongueshme. Ata e kërkojnë shpëtimin prej një qeverie të papërgjegjshme, që nuk çanë kokën për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe shëndetit te popullatës së saj.

Ata nuk duan më shumë se vendosjen e filtrave në oxhaqet e kombinatit metalurgjik “Jugohrom” – helmuesit të 200.000 banorëve, vrasësit të njerëzve me grimca të padukshme kancerogjene PM10, që, sipas statistikave të vetë Ministrisë së ambientin jetësor…, është cilësuar kontaminuesi numër një i Pollogut.

Gjendja alarmante është përkeqësuar në veçanti ditëve të fundit, kur shkalla e ndotjes është bërë 20 herë më e lartë se ajo e lejueshmja me ligje e konventa ndërkombëtare. Pikërisht ky është sebepi i daljes në protesta masive të qytetarëve dhe ndërprerjes së mësimit në të gjitha shkollat e qytetit.

Përgjigja se si erdhi gjer këtu dhe a mundi të zgjidhet ky problem pa nxitur protestat, i takon së shkuarës dhe atyre që nuk ditën ta japin në kohën e duhur. Tani më janë ezauruan justifikimet e flashkta të politikës, e cila duhet të parandalojë katastrofat anakronike si kjo me ndotjen, jo të zhagitet post festum pas problemeve që i krijon vetë dhe që lejon të arrijnë shkallën e të padurueshmes. Tani është vonë dhe “Jugohromi” nuk mund të vazhdojë kontaminimin çernobilian të popullatës vetëm pse i siguron VMRO-së disa qindra vota të punëtorëve dhe familjarëve të tyre që s’kanë nga t’ia mbajnë.

Nuk ka më vend për arsyetime kontraverse në stilin: jo janë shkaktarë të ajrit të tejndotur drunjtë e nxemjes, jo komunikacioni, jo më the e të thashë. Janë statistikat zyrtare ato që e dëshmojnë më së miri se “Jugohromi” është i pari në listën e ndotësve të ajrit, si për nga sasia, si për nga rrezikshmëria e helmeve që vjellin oxhaqet e tij. Këtu duhet të pushojë muhabeti dhe të merret vendimi për ndërprerjen e punës së exhelit të pollogut gjer në vënien e filtrave, të cilët, pa protesta të qytetëruara qytetarësh, do të prolongohen gjer sa të përfundojmë 100% në ordinancat onkologjike, pa dallime racore, etnike, religjioze, ideologjike…

Kjo është më urgjente, pastaj shohim e bëjmë diçka edhe me ndotësit tjerë: 40.000 automjetet që thuhet se ka Tetova, pjesa më e madhe e të cilëve funksionojnë pa katalizatorët e domosdoshëm, plehërat që digjen brenda sinorit të banuar të qytetit, furrat e ndërmarrjeve më të vogla etj.

Por edhe kur të vendosë filtra “Jugohromi”, dhashtë Zoti sa jemi gjallë!, populli viktimë e meriton transparencën për tipin e materialeve që ka djegur, djeg e do të djegë mortaja që kosit ardhmërinë. Dikush duhet ta thotë të vërtetën, sado e hidhur qoftë ajo, sepse të vërtetat e fshehura nën rogoze gjenerojnë probleme vështirë të zgjithshme në kohëra të mëpastajme. Këtë duhet ta thotë qeveria që harxhon miliona euro për kuaj, luanë e njerëz me hanzharë të frikshëm përpara gjyqeve ku ndahet drejtësia; qeveria që ndërton anije kusarësh në shtratin e Vardarit, në vend se ta pastrojë e shpëtojë atë nga duhma dhe imazhi i qenefhanes; qeveria që nuk mund të gënjejë përjetësisht se s’paska para filtrash të domosdoshëm për vjellësin e helmeve vdekjeprurëse; qeveria që nuk ka të drejtë ta shndërrojë Tetovën kaq papërgjegjshëm në komorë gazi…

Boll moo!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Asnjë qeveri Perëndimore nuk do të lejonte ndotjen masive të ajrit që shkakton helmime masive të qytetarëve. Ndotja vdekjeprurëse e ajrit të Tetovës është akt kriminel që shkakton jo vetëm vdekjen nga kanceri por edhe sterilitetin e rinisë. Të gjithë profesorët e Universitetit Shtetëror të Tetovës duhet të reagojnë krahas Dekanit Fatmir Sulejmani. Në Perëndim ku jetoj dhe veproj, për lexuesit nuk është edhe aq me rëndësi se çka shkruhet në portale/gazeta por kush është ai që shkruan. Nga rrëmuja e fillimit është vendosur rendi dhe USHT-së shtë kthyer në një institucion të qëndrueshëm. Kemi një personel të shquar, që bashkërendon emra të mëdhenj me emra që do të bëhen të mëdhenj në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button