Bejta kërkon përkushtim nga arsimtarët dhe profesorët me kontratë

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta realizoi takim me arsimtarët dhe profesorët e angazhuar me kontrata me kohë të caktuar në shkollat fillore dhe të mesme të Gostivarit. 

Qëllimi i takimit ishte dhënia e mesazhit nga kryetari Bejta për arsimtarët dhe profesorët se duhet dashuri, përkushtim dhe punë e madhe në shkollat ku janë të angazhuar, sepse ata punojnë me një kategori të ndjeshme siç janë fëmijët.

Të pranishëm krahas kryetarit Bejta, ishin edhe Shefi i Kabinetit të kryetarit, Bashkim Hasani, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Qeramedin Selimi, si dhe drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme të Gostivarit.

 “Premtuam se do të bëjmë reforma në arsim dhe këtë gjë jemi duke e bërë. Me këto reforma besoj se do të kemi sukses. Ju keni fat që punoni në arsim, por keni edhe përgjegjësi të madhe sepse punoni me të ardhmen e qytetit tonë. Do të dal edhe në vëzhgim pedagogjik në të gjitha shkollat, nuk ka nevojë për frikë dhe panik. Nëse punën e bëni me dëshirë dhe dashuri, nëse e realizoni programin, atëherë do të keni sukses. Nëse ju do silleni me dashuri ndaj fëmijëve atëherë do kemi gjenerata të edukuara”, tha para mësimdhënësve, kryetari Nevzat Bejta. Në fillim të mandatit, në fund të vitit të kaluar shkollor, kryetari Bejta i vizitoi të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në qytet.

Lajme të ngjashme

Back to top button