Sa kujdesen për muzikën radiot dhe televizionet e Pollogut?

Pavarësisht nga mosha, gjinia apo pozicioni në shoqëri, media është pa dyshim një ndikues në jetën e kujtdo. Televizioni është një ndër format më të konsumuara të medias duke qenë se përfshin disa elemente njëherazi.

Televizioni dhe mediat në përgjithësi, si dhe ndërveprimi me to (nëse mund ta quajmë të tillë) është një ndër aktivitetet më të rëndësishme dhe më të zakonshme që dikush realizon gjatë ditës së tij. Në të, një njeri mesatarisht shpenzon më shumë kohë se në çdo aktivitet tjetër, rreth tre orë e gjysëm dhe kjo ndikon në krijimin e disa gjendjeve të caktuara, si ç’është fakti me uljen e kreativitetit të njeriut, mungesa e ndjeshmërisë së realitetit, zëvendësimi i aktiviteteve të lira me konsumimin mediatik, rritja e agresivitetit dhe ngjashëm.

Në Maqedoni, në bazë të Regjistrit të Agjencionit për Shërbime Mediatike Audiovizuale, tanimë punojnë disa kanale televizive dhe disa radiostacione lokale, regjionale dhe qendrore, të cilat ndikojnë në krijimin e shijes estetike artistike te publiku i gjërë. Ajo që shfaq te ne interesim është krahina e Pollogut dhe radiotelevizionet që funksionojnë brenda saj, pra, sa institucione të tilla ka, si funksionojnë ato dhe si duket programa e tyre, konkretisht ajo muzikore.

Duke qenë një mjedis i zhvilluar tregtar, institucionet mediale të krahinës së Pollogut luajnë rol të madh në promovimin e veprimtarive të ndryshme tregtare dhe veprimtarive tjera të rajonit. Këto institucione, natyrisht kanë edhe skemat e tyre programore dhe ajo që na intereson neve që e kemi bërë një hulumtim si ky është se sa në këto programe është i planifikuar dhe e pranishme veprimtaria muzikore.

Radiotelevizionet të cilat veprojnë në krahinën e Pollogut janë me qendër në qytetin e Gostivarit dhe Tetovës, me përjashtim të Tv Çegranit, që është i vendosur në fshatin Çegran (komuna e Gostivarit), pra konkretisht kemi pesë radio dhe katër televisione  në qytetin e Tetovës dhe tre televizione dhe dy radio në qytetin e Gostivarit.

Sa i përket çështjes se a kanë këto radiotelevizione programe të veçanta muzikore, përqindja që fituam ishte me të vërtetë dëshpëruese. Përveç Radio Red, i cili realizon gjashtë programe muzikore, Tv Art që ka një program të veçantë për muzikë me Top Lista dhe të ftuar nga skena muzikore shqiptare dhe Radio Bleta që ka një programë me Top Lista, të gjithë të tjerët u përgjigjën që nuk kanë ndonjë programë të organizuar muzikore.

Gjatë kontaktit tonë me këto media, deshëm ta dijmë edhe atë se cila muzikë është më e përfaqësuar te to, ajo vendase apo e huaj, me çka nxorrëm rezultat që, muzika vendase dominonte më shumë në këto radiotelevizione dhe më pak ajo e huaj.

Po ashtu, një tjetër kategori e nevojshme për hulumtimin tonë ishte edhe ajo se cili zhanr muzikor është më i përfaqësuar te radiotelevizionet në krahinën e Pollogut, ku te shumica e mediave zotëronte muzika zbavitëse dhe ajo popullore, kurse te mediat në gjuhën maqedonase dominonte muzika folklorike maqedonase dhe ajo zbavitëse.

Ajo që neve na interesonte shumë ishte aspekti i pranisë së muzikës klasike në këto radiotelevizione. Edhe këtu, rezultatet ishin dëshpëruese, mos them dhe qesharake. Për ta treguar më mirë këtë rezultat lidhur me pyetjen se sa muzikë klasike lëshohet në këto radiotelevizione, do të bëj citime të personave të marrur në pyetje: “po, lëshojm, pas mesnate”, “një herë në javë”, “në ditë zie”, “kur e kemi patjetër”, “dy përqind në muaj” , “shumë pak” dhe përgjigje të ngjashme.

Këto radiotelevizione a kanë të punësuar ndonjë muzikant profesionist?  Si rezultat morëm përgjigje negative nga të gjitha këto institucione.

Në pyetjen se a bëhet ndonjë trajtim analitik dhe kritik lidhur me këngët, albumet apo videot muzikore të cilat transmetohen, përveç Radio Red, Tv Art dhe Radio Bleta, radiot dhe televizionet tjera, gjatë lëshimit të këngëve nuk japin trajtim analitik apo kritik, kurse njëri nga televisionet jepte kritika dytësore lidhur me dukjen e interpretuesit, e jo vlerat artistike që përmban kënga.

Për sa i përket kriteriumieve në bazë të të cilave këto radiotelevizione i transmetojnë krijimet muzikore, përgjigjet ishin nga më të ndryshmet dhe fatkeqësisht joprofesionale. Po bëj sërish citim të personave të marrur në pyetje: “nuk ka kriterium”, “sipas dëshirës tonë”, “kualiteti i klipit, teksti, skenat e videoklipit”, “tallava jo, vetëm vlera artistike”, “këngë origjinale, tekste pa fjalë të ndyta, videoklipe pa banalitet” , “Këngët që thërrasin në urrejtje nuk i lëshojmë”. Ajo që na la përshtypje ishte fakti që gjatë parashtrimit të kësaj pyetjeje të gjitha mediat në gjuhë maqedonase dhe  vetëm Tv Art, na u përgjigjën që përfaqësimi muzikor në mediat e tyre varet nga kërkesat e ligjit për radiodifuzion, sipas të cilëve 35% transmetohet muzikë vendase maqedonase dhe te Tv Art muzikë zbavitëse shqipe dhe pjesa tjetër sipas dëshirës.

Diçka pozitive që fituam si rezultat nga ky hulumtim ishte fakti që të gjitha radiotelevizionet që veprojnë në krahinën e Pollogut i informojnë qytetarët rreth aktiviteteve kulturore artistike dhe muzikore që ndodhin në vend, por pa komentuar detajisht mbi këto aktivitete dhe pa dhënë më pas vlerësim adekuat për to.

Duke i lexuar rezultatet e lartëshënuara, shumë nga ne mund të shprehen që këto janë informacione veçmë të ditura. Por, gjithësesi qëllimi jonë ishte që të vërtetohen këto të dhëna nëpërmjet një hulumtimi, i cili do na sjellë përqindje dhe përgjigje “burimore”, të sakta. Pra, në një përmbledhje të shkurtër, faktor dhe problem kyç në krijimin e një niveli të pranueshëm muzikor (jo më shumë!) në radiot dhe televizionet tona, është mungesa e muzikantëve të nivelit profesionist, të cilët do merren me organizimin e aspektit muzikor brenda një medie të caktuar. Si rezultat i kësaj, në radiot dhe televizionet tona nuk i krijohet ndonjë hapësirë e veçantë krijimtarisë origjinale të fushës së muzikës. Gjithashtu, si rrjedhë e mungesës së profesionalizmit, është e vërtetë që nuk mungon informimi, por mungon kritika e paanshme dhe vlerësimi profesional. Edhe nëse ka analizë të ndonjë fenomeni muzikor (qoftë dhe me shkrim), edhe ato, në të shumtën e rasteve bien pre e joprofesionalizmit, duke i servuar shikuesit, dëgjuesit apo lexuesit një realitet të rrejshëm lidhur me një koncert, aktivitet, videoklip apo album muzikor. Derisa të vazhdojë një mënyrë e këtillë e organizimit muzikor brenda një radioje apo televizioni, është shumë e natyrshme që emancipimi muzikor dhe kulturor i një shoqërie do vazhdojë të mbetet në nivel të pakënaqshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button