POLITIKANI DHE N-ja

Politikani ambicioz të cilit i ishin hapur dyert e mëdha të skenës politike, po i fërkonte duart, kurse prej syve dukej se do t’i dalin shkëndija.

–         Çuni – i tha shoferit të tij, ndonëse shoferi ishte i moshës së tij, – ja këto para (ia dha pesëdhjetë euro) çoja N-së. A e njeh N-në? Ajo bukuroshja, de… Shko e thuaj se ne të partisë nuk e harrojmë.

–         Nuk e njoh.

–         Punon në vetëshërbimin përballë. Pyet atje cila është N-ja, të tregojnë.

–         Si t’ia jap? Çfarë t’i them?

–         Thuaj të përshëndet politikani, thuaj se… Thuaj diçka dhe jepja paratë…

Shoferi shkoi jo fort i disponuar dhe u kthye shpejt, kurse në dorë e mbante bankënotën për një qoshi, thuajse kënaqej me lëvizjet e parasë në erën e lehtë. E ngriti dorën me bankënotën dhe tha:

–         Kurrsesi nuk pranoi t’i marrë paratë. Më tha se nuk do lëmoshë. Përveç kësaj më shikoi me mëri dhe në fund më tha: “Më fal”… dhe shtoi diçka, murmuriti diçka.

Politikani u mendua, e tha vet me vete: “S’ke kah ia mban moj bushtër! Nuk ke shteg pa rënë në rrjetën time! Përsëri i tha shoferit të shkojë te N.-ja, por shoferi kësaj radhe rezistonte duke gjetur arsyetime të ndryshme. Tha:

–           Po tash sa isha. Do të ma bëjë më zi. Do të më fyejë. Kurse politikani bëri me dorë në shenjë mospërfilljeje dhe kërkoi uiski me ton të ngritur. Shoferi e porositi, kamerierja ia solli.

Të nesërmen politikani:

–           Hajde çuni, merre telefonin dhe ftoje N-në për një kafe në zyrë..

–           Nuk ia di numrin.

–           Ia di unë, tha politikani dhe ia diktoi. Dhe, shoferi e ftoi.

Për nja një orë N-ja erdhi. Nuk e dinte se çka bluan politikani. Por donte ta marrë vesh çfarë është puna. N ishte e re, bionde, me sy të kaltër si qielli dhe me do dhëmbë si rruaza margaritari. Hyri me droje në zyrë, derën e së cilës ia hapi sekretaresha dhe qëndroi në këmbë para politikanit, e ndrojtur, e skuqur.

–          Ulu, ulu, i tha politikani, duke ia treguar karrigen. Pastaj: a je për një uiski?

–           Faleminderit, i tha vajza. Nuk e përdor alkoolin.

–           Atëherë një kafe dhe pa pritur përgjigje i telefonoi sekretareshës: dy kafe, një uiski dhe dy lëngje.

Vajza rrinte kryelëvarur dhe i thyente gishtat përfund tavolinës së madhe të politikanit, të mbushur me letra, gazeta, të bëra lëmsh, kurse politikani e shikonte vjedhurazi. Bukuria fizike e vajzës e tërbonte.

–           Po si je moj N? Si e ke motrën, Ditën, a ashtu quhej?…

–           Po, Dita… E pse po më pyesni për Ditën? pyeti N-ja dukshëm e shqetësuar pse po interesohej politikani kështu. Pse pyeste për Ditën.

–           Ashtu, tha politikani… Mendoj se do të kishim mundur ta punësojmë…

–         Jo, tha N, faleminderit. Ajo përkthen nga gjermanishtja dhe fiton mjaft për vete.

–         Hëm, bëri politikani. Pastaj tha: a kështu domethënë… Pastaj kërkoi ujë pasi e piu një gllënjkë uiski. Dhe, derisa N-ja rrinte si një pulë e lagur në shi, politikani i tha troç: A dalim një ditë te restoranti buzë liqenit, shkojmë e kalojmë një natë të bukur në Ohër së bashku…. Atje do të jemi vetëm e bisedojmë për një punë të mirë për ty dhe për Ditën. E shohim se çfarë ju pëlqen e kaq – u zgjidh puna.

Vajza u skuq, filloi t’i dridhet buza. Politikani ishte dy herë më i moçëm se ajo. Ndoshta edhe më shumë. Me siguri edhe fëmijë ka, mendoi N-ja. Ndoshta ndonjë të moshës së saj. N-së i doli parasysh babai dhe iu dridh shtati. Një valë sikleti, e rëndë, i ra mbi shpatulla. Ajo nuk tha më asgjë dhe u ngrit. E hapi derën pa e përshëndetur fare politikanin dhe me tre hapa u gjet te zyra e sekretareshës. Shoferi që e priste te sekretaresha doli ta përcjellë.

–           Ç’je kështu e shqetësuar? e pyeti ai.

–           Nga shuplaka… i tha vajza në vaj.

–           A të ra, a? Pse?

–           Ka edhe shuplaka morale, ka edhe shantazhe, tha N-ja dhe ia dha vrapit. Iku.

Ndërsa shoferit që e mori vesh sa është sahati iu kujtua e bija gjashtëmbëdhjetëvjeçare dhe iu mbushën sytë me lot. “O zot, çfarë i pret fëmijët tanë”!… psherëtiu. Pastaj edhe ai iku. Nuk kthehem më në punë. Sa për bukë, a?!…

Rrugës i vinte të vjellë.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button