Raporti i KE-së, shuplakë për gjyqësorin e Maqedonisë

Edhe në Raportin e sivjetëm të Komisionit Evropian për Maqedoninë, ndër vërejtjet kryesore janë vërejtjet në sferën e gjyqësorit. Kritikat e ashpra përsëriten tashmë disa vite me radhë. Komisioni Evropian kërkon nga Maqedonia sigurimin e pavarësisë në institucionet gjyqësore dhe efikasitetin e tyre, dhe angazhim më i madh i institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Profesori universitar në lëminë e së drejtës Bekim Kadriu theksoi se problemi më i madh i Maqedonisë është zbatimi në praktikë legjislacionib në fuqi që garanton pavarësinë e gjyqësorit.

“Komisioni Evropian insiston në zbatimin e legjislacionit që është i miratuar. Jo që nuk ka nevojë të miratohet legjislacion shtesë, mirëpo supozoj se pjesa më e madhe e legjislacionit është i miratuar që të garantojë pavarësinë e gjyqësorit.  Është i nevojshëm zbatimi  efektiv i tij. Republika e Maqedonisë dështon në garantimin e legjislacionit gjyqësor”, tha profesori Bekim Kadriu.

Kadriu thotë se përveç zbatimit në mënyrë të përpiktë të legjislacionit, Komisioni Evropian kërkon edhe zgjedhjen e gjyqtarëve në bazë të meritokracisë, specifikimin e kritereve për shkarkimin e gjykatësve, dhe trajtimin e drejtë të rasteve të veçanta.

“KE insiton që funksioni gjyqtar të garantojë edhe gjykime cilësore, kualitative që është për mua një moment shumë i rëndësishëm. Komisioni Evropian eka parasysh që tani gjykatësit duhet të plotësojnë norma të caktuara të lëndëve që duhet ti zgjidhin, mirëpo sjellja e vendimeve duhet të jetë cilësore. Të garantohet gjykim i drejtë, të garantohet që zgjidhja e rasteve do të shkojë me rezonime juridike të shëndosha nga ana e gjyqtarëve”, deklaroi Bekim Kadriu.

Vetë Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti, duke komentuar Raportin e Komisionit Evropian, tha se pikërisht respektimi i ligjeve, vërejtja kryesore e Komisionit Evropian, ka qenë theksi edhe në mandatin e tij.

“Që ditën e parë që udhëheq këtë dikaster, kam thënë se ky është mandati i zbatimit të ligjeve dhe për këtë punohet në mënyrë intensive. Për sa iu përket debateve për ndikime në gjyqësor, mendoj se kontribuojmë pa nevojë dhe pa dashje dhe mund të japim kontribut në një aspekt tjetër pozitiv. Në procese gjyqësore çdo herë ka dy palë dhe njëra palë do të jetë e pakënaqur, dhe kjo nuk duhet të jetë shkak që ne të krijojmë një perceptim se me ndikime të ndryshme është arritur deri te ky vendim”, deklaroi  Blerim Bexheti.

Nga viti në vit, ndryshojnë vetëm detajet e vërejtjeve të Komisionit Evropian për sa i përket gjyqësorit, që nënkupton se Maqedonia pothuajse nuk bën progres në këtë drejtim. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button