Parkimi zonal në Tetovë i ka lënë banorët pa parking, paralajmërohen protesta

Banorët që jetojnë në qendër të Tetovës, ku gjatë këtij muaji ka nisur të aplikohet parkimi zonal, nuk kanë ku t’i lënë automjetet e tyre. Komuna e Tetovës e ka limituar kohëzgjatjen e parkimit deri në 3 orë dhe banorëve nuk ua mundëson të paguajnë pagesë paushalle për vendparkimet, si në shembujt e qyteteve tjera ku ka filluar të zbatohet parkimi zonal, njofton Portalb.

“Nuk kemi ku ti parkojmë automjetet. Kur vijmë nga puna i lëmë automjetet në hyrje të qytetit dhe në shtëpi kthehemi në këmbë” – tha Milica Ivanovska përfaqësuese e Këshillit të shtëpisë në bulevardin “Ilinden”.

“Shumë keq që nuk mendohet për ne që jetojmë këtu” thotë Agon Jakupi, banor në njërat nga banesat në qendër.

Banorët kërkojnë që Komuna e Tetovës të sigurojë vend-parkim për secilën familje që do të paguajë pagesë mujore. Për zgjidhjen e problemit të tyre, kanë ngritur peticion, por ende janë në pritje të përgjigjes.

Banorët paralajmërojnë protesta dhe bllokada, nëse së shpejti bashkësia lokale nuk do të ofrojë zgjidhje të përshtatshme për parkimin.

“Do të mblidhemi të gjithë banorët, do t’i parkojmë veturat në rrugë dhe nuk do t’i heqim deri sa të marrim përgjigje pozitive për këtë problem” – tha Pero Javçeski, përfaqësues i Këshillit shtëpiak në ndërtesën e bulevardit “Iliria”.

Parkimi zonal zbatohet vetëm në bulevardet “Ilindenska” dhe “Iliria” apo “Zona A”. Një numër i madh i vozitësve parkohen në vendparkimin në fjalë dhe krijohet tollove e madhe në komunikacion.

Nga Komuna e Tetovës thonë se ky problem do të tejkalohet me fillimin e zbatimit të parkimit zonal edhe në pjesët tjera të qytetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button