Marrëveshja për klimën, Ban Ki-moon: Ende e komplikuar

Marrëveshja historike për klimën është në orët e saj të fundit përpara finalizimit. Këtë e bënë të ditur vet autoritetet franceze, të cilët ishin edhe organizatorët e këtij samiti dyjavor për ndryshimet klimatike, transmeton TCH.

Pavarësisht vështirësive për të rakorduar, delegatët e 172 vendeve të botës, ditën e shtunë do të konkretizojnë sagën e diskutimeve të nisura në 2011-n mbi një pakt të ri global mbi klimën, që do të parashtrojë strategjinë afatgjatë mbi mënyrat sesi do të mund të përballohen ndryshimet e saj. Çdo ujdi e firmosur në Paris hyn në fuqi vetëm në 2020-n.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon u shpreh se, pavarësisht faktit që ka qenë pjesë e shumë marrëveshjeve, negociatat këtë herë i cilësoi si më të komplikuara, pasi – sipas tij, – lidhen drejtpërdrejt me njerëzimin.

“Na ka ngelur një orar i limituar për të vepruar. Sinqerisht unë shpresoj që negociatorët dhe ministrat do të formojnë një udhëheqësi të fortë. Mbeten ende çështje të ndryshme, që nuk rakordojnë, me diferencë konceptesh, ambicie vendesh, apo mbi financimin e paktit. Por ne i kemi identifikuar zgjidhjet e shumicës së problematikave. U bëj thirrje të gjithë shteteve të marrin vendimet përfundimtare në emër të humanizmit”, tha Ban Ki-moon.

Sikurse edhe vet Ban Ki-moon e pohoi, financimi i paktit të klimës mbetet pa një përgjigje konkrete. Vendet e pasura këmbëngulin të ndryshohet ndarja e bërë më 1992-shin, kur hyri në fuqi konventa kornizë e OKB-së për ndryshimet klimatike.

Në këndvështrimin e tyre, peshën e uljes së emetimeve duhet ta ndajnë më shumë ekonomitë në rritje, të cilat të garantojnë edhe financim për kombet e varfra e të goditura më fort nga rritja e temperaturave.

Të pasurit këmbëngulin po kështu në krijimin e një sistemi të vetëm verifikimi të premtimeve, për të gjithë vendet me radhë. Megjithatë, vetëm marrëveshja e re do të hedhë dritë mbi këto çështje, të cilat mesa duket edhe samiti në 2009-n i Kopenhagenit dështoi t’u jepte zgjidhje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button