“Paraja… “ në qytetin tuaj

Komedia “Paraja…” me tekst të autorit britanik Rej Kuni, në regji të Ilir Bokshit do të shfaqet para publikut të Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Kumanovës dhe Manastirit. Aktorët Luran Ahmeti, Zarije Jonuzi, Xhevdet Jashari, Amernis Jovanovska Nokshiqi, Blerim Dardhishta, Visar Etemi dhe Fisnik Zeqiri do të sjellin para publikut komedinë me shumë ngatrresa dhe labirinthe të këndshme, me shpikje emrash dhe ngjarjesh që fusin në kurthe personazhet dhe vazhdimisht krijojnë situata komike.

“Paraja…” do të nis rrugëtimin në qytetet e Maqedonisë në kuadër të projektit “Teatri Shqiptar në qytetin tuaj” të miratuar nga Ministria e Kulturës, me të ciliën është paraparë që disa nga shfaqjet e repertoarit të Teatrit Shqiptar – Shkup të shfaqen edhe para publikut të qyteteve të tjera në vend.

Edhe pse turnetë nëpër qytetet shqiptare, jo vetëm në Maqedoni, duhet të jenë praktikë e vazhdueshme, buxhetet e viteve të fundita nuk kanë mundësuar një gjë të tillë. Këtë vit për shkak të rikonstruimit të paraparë një pjesë të buxhetit nga programi vjetor ia kemi dedikuar pikërisht turneut nëpër Maqedoni dhe shpresojmë se kjo do të bëhet traditë, përkatësisht do të kthejmë traditën e dikurshme të Teatrit tonë. Publiku ynë ka nevojë për më shumë teatër (në skenë), ka nevojë për më shumë ngjarje kulturore.

“Paraja…” është shfaqja më e reprizuar gjatë vitit 2012 në Teatrin tonë, dhe njëherit është prezentuar edhe në Festivalin e Komedisë në Gjakovë, në Festivalin Ditët e Komedisë në Preshevë – në të cilin aktori Luran Ahmeti mori çmimin “Aktori më i mirë i Festivalit”, si dhe para publikut të Tetovës.

Turneun e shfaqjes “Paraja…” krahas Ministrisë së Kulturës e mbështesin edhe Komuna e Gostivarit, Komuna e Kërçovës, Komuna e Strugës dhe Festivali i Teatrove në Dibër.
Drejtoria e Teatrit ka vendosur një çmim simbolik për biletat (100 denarë), me qëllim që tu jepet mundësia sa më shumë artëdashësve të shohin shfaqjen. 
Shfaqjet fillojnë në ora 19.00.

Lajme të ngjashme

Back to top button