Komisionet kuvendore të krijuara për mos t’i zgjidhur problemet politike në Maqedoni

Komisioni parlamentar për zbardhjen e rastit të dëbimit të deputetëve opozitar dhe gazetarët nga Kuvendi i Maqedonisë-  24 dhjetor 2012, e njohur në opinion si “e hëna e zezë”, dështoi dhe nuk arriti të zbardh rastin për çka edhe u formua. Në të njëjtën rrugë është edhe Komisioni anketues për përgjimet. Komision ky që u formua me rekomandim të dalë nga Marrëveshja e Përzhinos, të cilën e nënshkruan katër liderët e partive më të mëdha në Maqedoni, nën presion ndërkombëtar, raporton Portalb.

Edhe pas seancës së 4-të të këtij Komisioni, ata ende nuk kanë nisur me punë konkrete. Partitë propozuan dëshmitarë që të dëshmojnë para Komisionit por edhe pas seancës së 4-të asnjë nga të propozuarit nuk është ulur në tavolinën e Komisionit anketues për përgjimet.

Për Xhelal Nezirin, njohës i çështjeve politike, komisionet janë një mënyra më efektive për të tejkaluar një problem, pa mos e zgjidhur të njëjtin.

“Sidomos në vendet me demokraci të brishtë si Maqedonia, ku llogaridhënia nuk figuron në fjalorin e pushtetarëve kurse skandalet pranohen si normale në opinion. Edhe ky komision është një derë dalëse nga kriza që shkaktuan përgjimet”, tha Neziri për Portalb.

Sipas profesorit universitar Jove Kekenovski asnjë Komision anketues deri më tani nuk ka pasur efekt. “Komisioni anketues për përgjimet do të jetë edhe një fakt shtesë se si na funksionon shteti, e para. Dhe, e dyta, në çfarë mënyrë e keqja më e madhe e këtij shteti, Nikolla Gruevski, tenton ta shpëtojë lëkurën e tij”, deklaroi për Portalb Kekenovski.

Komisioni anketues është vetëm një segment i Marrëveshjes së Përzhinos, e cila në fund do të konstatojë se nuk e ka kryer punën, për “X” arsye.

“Ata nuk kanë forcë me polici ta sjellin kryeministrin. Në vende demokratike nuk mendohet për prezencën e kryeministrit në bisedime të këtij lloji, sepse prezenca është e patjetërsueshme” theksoi Kekenovski.

Sot para Komisionit anketues për përgjimet nuk është paraqitur as shefi i kabinetit të Nikolla Gruevskit, Martin Protugjer. Ai përsëriti aktin e liderit të tij, Gruevskit, i cili gjithashtu dje nuk u paraqit para Komisionit. Kështu edhe pas seancës së 4-të të Komisionit nuk është dëgjuar asnjë dëshmitar.

Nesër përpara Komisionit Anketues, deklaratë do të duhet të jep Sasho Mijallkov, 14 dhjetor Gordana Jankulloska, 15 dhjetor Mile Janakievski, asnjëri nga këta dëshmitarë ende nuk e ka konfirmuar se a do të prezantojnë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button