Manastir-Elbasan, do të ndërtohet linja e interkonjeksionit 400 kw

Operatori maqedonas i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike (MEPSO) ka nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për kredi në vlerë prej 37 milionë eurosh për të financuar ndërtimin e linjës së re 400 kw të interkonjeksionit, e cila do të lidhë Maqedoninë dhe Shqipërinë mes qytetit të Manastirit dhe Elbasanit.

Ky projekt i cili do të realizohet deri në vitin 2019 është iniciativë e Komisionit Evropian (KE) për krijimin e një korridori portativ lindje-perëndim të energjisë elektrike, përmes Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë, përfshirë kabllon e planifikuar nënujore nga Mali i Zi në drejtim të Italisë.

Ministri i Ekonomisë të Maqedonisë, Bekim Neziri tha se tregu i Maqedonisë dhe Shqipërisë do të kenë një dobi domethënëse me ndërtimin e linjës së energjisë.

“Ky është një ndër projektet vitale në sferën e energjetikës, projekt i cili është përfolur më tepër se dhjetë vite. Andaj bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Shqipërisë fillon të intensifikohet dhe këso lloje të bashkëpunimit do të kemi edhe në të ardhmen”, deklaroi ministri Neziri.

Nga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoni, Aivo Orav tha se BE-ja siguron mbështetje të konsiderueshme në vlerë prej 12 milionë eurosh përmes IPA programit dhe programit për investim në Ballkanin perëndimor.

“Energjia është një sektor strategjik në çdo vend, vitale në të gjitha aspektet e jetës së përditshme të njerëzve, si dhe për zhvillimin e të gjitha sektorëve të ekonomisë”, theksoi Orav.

“Ky projekt do të ndihmojë integrimin e sektorit të energjisë të Maqedonisë në sektorin e energjisë elektrike rajonale, që lidhet me vendet e Bashkimit Evropian”, u shpreh drejtori i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Holger Muent.

“Kuptimi strategjik i krijimit të korridorit lindje-perëndim ka edhe një kuptim të madh sistematik, sikurse për sistemin e transmetimit të Maqedonisë, ashtu edhe për sistemin e transmetimit rajonal”, tha drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Sinisha Spasov.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) filloi të investojë në ekonominë e Maqedonisë në vitin 1993. Deri më sot në vend janë nënshkruar mbi 90 projekte nga sektori publik dhe privat në vlerë prej 1.5 miliard euro. /AA/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button