ATA TË 68-SHIT, TË 81-SHIT DHE HAFIJA

Rrugët e Tetovës i ka mbuluar një tym, kurse veturat që lëvizin në to duken si buburreca. Zhurma e tyre e ka vështirë të depërtojë nëpër ajrin e ngjeshur dhe të ngarkuar me gazra plot grimca helmi të ngjyrave të vrugëta e të plumbta. Verës paria e komunës dhe baballarët e Ministrisë për mbrojtjen e ambientit jetësor lëshojnë premtime të cilat arrijnë në veshët e qytetarëve vetëm përmes televizioneve joqeveritare të pushtetit: shpejt do ta zgjidhim këtë problem, shpejt… Pastaj vjen dimri e shkon dhe… asgjë nga premtimet. Vetëm hafijet gjejnë arsyetime. Habiten njerëzit, përveç hafijes. A deri në këtë derexhe, a? pyesin njerëzit e rëndomtë e vazhdojnë ta shohin punën e tyre. Hafija ecën me duar në xhepa. Por është një shtresë njerëzish janë të mërzitur, janë të shqetësuar: Njerëzit e 68-shit e të 81-shit. Ata pyesin: “Ku është energjia rinore që së paku t’u drejtohet instancave: o burra çfarë po ndodh kështu? Çfarë po bëni? Na vrasin me gazra e helme, kurse ju… Ju asgjë…Po të gjithë nguten. Ata të 68-shit e të 81-shit dalin me tabllën e shahut nën sqetull në rrugët me smog. I kërkojnë këndet e dikurshme të blerta të ulen ta luajnë një parti e të bëjnë ndonjë koment. Po blerim nuk ka këtu, përveç se në kujtimet e tyre. Ndonjëri shan ashtu shqip, rrast! Tjetri e luhat kokën e thotë: haj-haj… Dikush nga ata që e kanë pasur dhe e kanë zanat “bashkëpunimin” me shërbimet, hafija pra, e nxjerr celularin dhe me gishtat në të cilat ka depërtuar emocioni i zi i shtyp preklat e telefonit dhe e njofton policinë: I dëgjova disa që e shajnë shtetin. Shajnë dhe thonë – haj-haj!… janë nga ata të 68-shit… dhe të 81-shit. Policit s’i bëhet vonë, por e dëgjon sa për ta dëgjuar. E di polici se hafija do të paraqitet nesër dhe do të shkruajë deklaratë me shkrim, prandaj thotë: shko bre në t’amës. Hafija shkon, por edhe ata të 68-shit dhe të 81-shit kthehen në shtëpi. Kur kthehen – hafija e çon një qese najloni plot me ushqime e gjëra të tjera nga vetëshërbimi, kurse ata të 68-shit dhe të 81-shit shkojnë me gisht në gojë e me shahun nën sqetull. Gruaja e hafijes, e pushueshme e merr najlonin dhe e pyet të shoqin a ka pirë kafe. Hafija e var kësulën dhe e lëviz kokën si shenjë se e do një kafe. Gratë e atyre të 68-shit dhe të 81-shit me krahët e këputur nga puna thonë: ju kaloi jeta me protesta e me shah. E, çfarë nxorët në dritë? Asgjë! Lëvizni, bëni diçka, jepni ndonjë ryshfet, sot është kohë ryshfeti… Shikoni si jeton hafija!… Po ata janë të 68-shit e të 81-shit e vonë e kanë t’i mësojnë ato punë. Pastaj nuk e durojnë dot t’i shajë dikush, ashtu siç e shan hafijen ai polici kryemadh duke i thënë: a përsëri ti me ato mualife, shko bre në rrotë t’samës ti bashkë me shokët tu hafije. Po Hafija di si ta blejë policin, di si ta blejë edhe nëpunësin, di të bëhet shok edhe me ata të pozitës, edhe me ata të opozitës e kështu kungulli gjithmonë i shkon mbi ujë. Ata të 68-shit e të 81-shit nuk duan të bien në këto ujëra, nuk pranojnë të bien aq ulët. Vazhdojnë ta ruajnë krenarinë dhe dinjitetin.

Kur del hafija prej shtëpie gruaja ia shkund setrën, ia lustron pluhurin dhe e kontrollon a i ka krehur mirë flokët e thinjura. Natyrisht ia drejton pak edhe kollaren dhe i thotë: “Hajt kalofsh mirë! E mos harro, merr mish, arra Indie, fëstëka, lajthi se do të vijë Jemenja. Ndryshe është puna kur dalin nga shtëpia ata të 68-shit dhe të 81-shit. Ata s’i përcjellin gratë, askush nuk ua lustron këpucët, ata nuk kanë kollare, kurse gratë kur e dëgjojnë derën si mbyllet kur dalin ata, thonë: shkofshi e mos u kthefshi ju që s’dini asnjë gozhdë ta ngulni në mur.

Dhomat në të cilat flenë këta të 68-shit e të 81-shit janë krejt ndryshe nga ata të hafijes. Hafija pas ndryshimeve politike menjëherë u bë patriot dhe si Midasi mitik aty ku preku u bë flori. Kështu shtëpia e tij është e stolisur me abazhurë prej kristali, me pasqyra të mëdha, me mobile të shtrenjta prej Italie. Vetëm govata në banjën e hafijes bën sa një veturë. Ndryshe është te ata të 68-shit e të 81-shit. Këta i kanë dhomat e vogla e me lagështirë. Me ndonjë kauç e me velenxa si mbulojsa, mos të duken se janë të grisur. Kur çohen burrë e grua nga shtrati në mëngjes mezi kalojnë pranë njëri-tjetrit të shkojnë në banjë. Është ngushtë, pra. Ngushtë është, por edhe këtë ngushticë e kanë me qira. Hafija jo. Ai e ka banesën me 120 metra katrorë. Të veten. E ka edhe një vilë diku në ajër të pastër. Veç i ka banesat e fëmijëve.

Gratë e këtyre të 68-shit dhe të 81-shit janë lodhur. Burrat e tyre as mund të punësohen e as mund të marrin pensione. Prandaj ato shkojnë e i pastrojnë shtëpitë e huaja. Natyrisht edhe shtëpinë e hafijes. I varin tërkuzat nëpër kopshtet e bukura e të rregulluara nga firmat e specializuara me lot në sy dhe u shkon mendja si të ishin lak për to. Aty i thajnë teshat e patronëve arrivistë të ardhur nga politika folklorike dhe natyrisht edhe të hafijes. Në vendin e bërë apostafat. Tesha, perde e çarçafë të shtrenjtë. Në makinën për larje ndonjëherë i fusin edhe të brendshmet e tyre që t’ia lehtësojnë vetes. Me frikë. Mos t’i diktojnë.

Kur i marrin rrogat, më mirë të thuhet mëditjet, gratë e atyre të 68-shit e të 81-shit blejnë patate dhe kur e qesin thesin në shpinën e rraskapitur u kujtohen fjalët e shokut Enver që ka thënë se edhe patatja është bukë. “M’i marrsh të ligat”! i thonë ato shokut Enver. “Patatja na qenka bukë! Pse s’ke ngrënë ti patate! Nuk e paske ditur ti mor shok se ne me fjalën bukë kuptojmë krejt zahirenë, krejt ushqimin… Kur shkojnë në shtëpi këto gra, të lodhura, të molisura, venë disa kokrra patatesh t’i ziejnë për darkë, pastaj i shikojnë fytyrat e përsosura të folësve të lajmeve që flasin për problemet e vendit duke anatemuar keqpërdorimet e korrupsionin. Disa fjalë i kuptojnë gratë e shkreta, disa jo, por ato dinë ta thurin tregimin e vet nga lajmet e emetuara me një gjuhë të çalë. I lidhin qëllimet e synimet e gazetarëve “të lirë” të TV-ve të “lira” që nuk e lejojnë mendimin ndryshe në studiot e tyre. E kuptojnë këto gra kur u kanosen përmbaruesit e bankat të cilat kanë lidhur aleancë djallëzore kundër njerëzve të pakrah. Ngrihen, e hapin magjen – miell nuk ka. Në shtretha s’ka vaj, përveç kripës. Si do t’i bëhet çareja?

Te hafija çdo gjë është në rend. Ata e shikojnë televizionin dhe kur jepet ndonjë lajm për hajnat e imtë që kanë vjedhur ndonjë copë bukë ose ndonjë konservë, burrë e grua e shprehin mllefin e tyre kundër hajnave. Po kur televizioni jep reportazhe për shtëpitë më të bukura të cilat i kanë ndërtuar mujsharët e pushtetarët me dorën e gjatë të pushtetit, gruaja lakmohet, kurse hafija thotë: aferim!

Ndërkaq Tetovën e mban në grusht mbështjellca e trashë e gazrave të helmueshëm…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button