Banorët e Sfillares së Epërme pa ujë të pijshëm, projekti në harresë

Sfillarja e Epërme tashmë disa vjet përballet me mungesë të ujit të pijshëm. Banorët për momentin furnizohen vetë me ujë nga Mali Zheden nëpërmjet një rezervuari të ndërtuar me iniciativë vetanake, por uji që ata e pijnë nuk është i sigurt për pije dhe madje nuk mjafton për plotësimin e nevojave të të gjitha shtëpive. Edhe pse BDI-ja nisi projektin për furnizim të banorëve me ujë 4 vjet më parë, tash në Sfillare nuk ka asnjë gjurmë të ujit të pijshëm. Ndërtimi i sistemit të ujësjellësit këtu në fshatin Sfillare është premtuar që në vitin 2011, mirëpo siç mund të shihet tani për momentin rezervuari i ujit ka vetëm themelet. Edhe pse është premtuar se do të ndërtohet në afat prej tre muajsh. Rezervuari aktual i ndërtuar dhe mirëmbajtur nga vetë banorët, nuk ka kapacitet që të furnizojë me ujë tërë fshatin, i cili po tejkalon numrin e 1500 banorëve.

“Presim tashmë 7,8 vite ta sjellin ujin por nuk po bëhet. Vetëm i kanë marrë paratë që ua kanë lëshuar, nuk e di sa mijë euro ua kanë lëshuar 100 mijë euro dhe ja ka mbetur. Ende nuk është askund. Gjysma e punës duhet të bëhet. 5 kilometra i ka prej Rashçes deri këtu të sillet uji. Nuk e dimë se a do të bëhet apo jo. Këto partitë hy njëra e dil tjetra, nuk ka asgjë prej tyre”, deklaroi një banorë i Sfillarës.

“Kanë premtuar prej kur e mbaj mend veten, prej kur kam lindur por deri më tani nuk ka asgjë, e keni parë besoj edhe vetë. Si mulli e kanë lënë. E kemi ujin tonë që furnizohet fshati por ujë ka vetëm dimrit. Asnjëherë nuk besoj se do ta rregullojnë këtë problem, vetëm kur të vijnë votimet ndoshta do ti sjellin edhe nja 5 blloqe edhe aq do ta lënë njëjtë përsëri. Kemi shumë problem me ujin, gjithmonë kemi mungesë”, shtoi një banorë tjetër.

SHENJA ka kontaktuar edhe kreun aktual të Komunës Saraj, Bekim Murati, por edhe ish kryetarin Blerim Bexheti, por asnjëri nuk dha prononcim lidhur me këtë temë, as mbi ngecjen e projektit e as mbi atë se ku kanë shkuar paratë e ndara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button