Snowden ka ende sekrete për të zbuluar

Pas një vizite njëjavore te djali i tij në Moskë, babai i Edward Snowdenit ka thënë se i biri i tij duhet të qëndrojë në Rusi që të garantojë zbulimin e shumë sekreteve të tjera në vijim.

Babai i Edward Snowdenit ka thënë se ish-punonjësi i agjencisë së spiunazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ende sekrete për të zbuluar dhe se ai duhet të qëndrojë në Rusi që “të garantojë zbulimin e të vërtetës”, ka shkruar “Reuters”. Lon Snowden ka folur në aeroportin “John F. Kennedy” në Nju-Jork, pas një vizite njëjavëshe tek i biri i tij, në Moskë.
Kjo ka qenë hera e parë që ata dy janë takuar që kur Edward Snowden, ish-pjesëtar i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare amerikane (NSA), ka marrë azil të përkohshëm në Rusi më parë këtë vit, pas publikimit të shumë të dhënave sekrete për operacionet e agjencive amerikane të sigurisë.

I pyetur se çfarë i ka thënë të birit të tij gjatë vizitës në Rusi, Snowden u ka thënë gazetarëve: “Që të qëndrojë, por kjo është këshilla ime. Nuk do të thotë se kështu do të veprojë i biri im. Ai është rehat atje. Ai është i lumtur. Dhe, ai është absolutisht i vendosur për gjërat që i ka bërë”.
Zbulimet e Snowdenit të ri për metodat dhe për operacionet e NSA-së, përfshirë monitorimin e internetit dhe të thirrjeve telefonike, i kanë zemëruar aleatët e SHBA-së, nga Gjermania e deri te Brazili. Admiruesit e quajnë atë mbrojtës të të drejtave të njeriut, kurse kritikët e tij tradhtarë.

“Ka ende shumë gjëra për t’u zbuluar”, ka thënë Lon Snowden. Qëndrimi i të birit të tij në Rusi, sipas tij, i mundëson atij “të vazhdojë t’i zbulojë ato dhe të garantojë zbulimin e së vërtetës”.

“Ai nuk është në arrati. Ai është azilant legal i Federatës Ruse dhe mediat duhet ta kuptojnë atë drejt, dhe unë mendoj se qeveria jonë e kupton këtë tani”. Snowden e ka kritikuar komunitetin amerikan të inteligjencës si neglizhues dhe bashkëfajtor në skandalin e spiunimit, duke e veçuar shefin e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper; shefin e NSA-së, Keith Alexander; senatoren Diane Feinstein, e cila kryeson Komisionin për Inteligjencë në Senat; dhe kongresistin Mike Rogers, i cili udhëheqë Komisionin për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit.

Autoritetet ruse e kanë mbajtur të fshehtë vendtakimin e Snowdenëve gjatë vizitës së babait, si edhe vendin ku po jeton i biri. Moska gjithashtu i ka mbajtur mediat dhe publikun larg Edward Snowdenit, i cili po mbrohet nga një avokat që besohet të ketë lidhje me shërbimet sekrete ruse.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ish-spiun i KGB-së, vazhdimisht ka thënë se Rusia do ta mbrojë Snowdenin vetëm nëse ai ndërpret dëmtimin e SHBA-së. Por, ai e ka shfrytëzuar këtë rast për ta akuzuar Uashingtonin zyrtar se po i mban botës ligjërata për të drejtat që ai vetë nuk i respekton. Lon Snowden është kthyer në SHBA nga “Sheremetyevo”, aeroporti ku i biri i tij ka kaluar gati dy muaj në zonën neutrale ndërkombëtare para se të merrte azil të përkohshëm në muajin gusht.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button