Ndërtesa 10 katëshe në lagjen shqiptare të Shkupit, as energji elektirke e as legale!

Objekti i ri banesor i ndërtuar në lagjen Serovë të komunës së Çairit në Shkup, nuk ka energji elektrike dy javë, gjegjësisht që nga e hëna e javës së kaluar. Banorët e revoltuar thonë se në këtë gjendje nuk jetohet dhe se një ndërtesë kaq e madhe (10 katëshe pa shitoret në përdhesë) pa energji elektrike të tmerron, transmeton Portalb.

Problemi qëndron në faktin që ndërtesa nuk është e legalizuar, ndërkaq nga komuna thanë se nuk dinë gjë për këtë problem.

“Po bëhen dy jave që nuk kemi energji elektrike, është tmerr, nuk mundemi të përgatisim ushqim, të ngrohemi, është errësirë në të gjitha vendet. Kjo është banesë e madhe, ashensori nuk punon nga kati i nëntë njerëz zbresin disa herë në ditë. Si mund të ndodh kjo në këtë kohë, jemi duke jetuar si në kohën kur energjia nuk ka ekzistuar fare”, tha S.T., banor.

Banorët kërkojnë nga EVN që sa më shpejtë të zgjidh rastin sepse dimri po afron dhe në ndërtesa nuk kanë me se të ngrohen përveç se me rrymë.

“Kërkojmë nga EVN që sa më shpejtë të zgjidh këtë problem. Ne të hollat e rrymës i kemi dhënë, kurse rrymë ende nuk kemi. Na thanë nga EVN që mungoka një rregullator apo nuk e dimë se çka, dhe prandaj nuk kemi rrymë. Gjithashtu na thanë se për rregullimin e këtij mjeti nevojitet rreth një muaj kohë, kurse dimri po afron, me çka do të ngrohemi ne?”, thonë për Portalb, banorët.

Ata shprehen se disa nga familjet që banojnë në këtë ndërtesë janë larguar duke shkuar tek kushërinjtë pasi që nuk mund ta përballojnë mungesën e rrymës, mirëpo që kjo nuk është zgjidhje afatgjate.

Ndertesa ne Serove
Ndertesa ne Serove

Nga EVN thonë se janë të informuar për rastin ku kanë pasur edhe takime me investitorin si dhe me disa banorë mu të kësaj ndërtese. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i Qendrës Energo të Konsumatorëve pranë Vasil Gllavinovit ishte në vendngjarje gjatë shkyçjes, pra demonstrimit të orëmatësit.

“Ndërtesa në fjalë është e lidhur me një orëmatës në mënyrë ilegale, ku të gjithë janë furnizuar me një orëmatës, ndërsa orëmatësi ka qenë i shfrytëzuar në emër të një harxhuesi tjetër, i cili ka qenë pronar i shtëpisë së mëparshme, ku borxhi ka arritur afër 17.000 euro. Investitori prej çdo pronari të banesës ka faturuar çmim paushall dhe të njëjtat sjanë paguar për harxhimin e rrymës, me çka dyfish është dëmtuar kompania EVN.  Sa për të sqaruar, orëmatësi direkt ka kapacitet të shfrytëzohet vetëm për një kyçje (maksimum 40kË të njëkohshme), gjithçka që është mbi këtë standard rrezikon edhe infrastrukturën e EVN-së, si rrjetin, kabllon, trafostacionin i cili nuk është planifikuar për kapacitetin e kësaj ndërtesës. Njëkohësisht rrezikohen edhe vetë banorët që jetojnë në këtë ndërtesë, sepse vjen deri tek nxemja e kabllove dhe vetë orëmatëst,i me çka shkaktohet edhe zjarr ku kemi dhe raste konkrete”, tha për Portalb, Vlera Gjakova, zëdhënëse e EVN-së .

Ajo shton se për t’u rregulluar kyçja, investitori në fjalë duhet të bëjë kërkesë për kyçje të ndërtesës, kërkesës duhet t’ia bashkangjisë edhe dokumentacionet e nevojshme: leje ndërimi ose vendim legalizimi., çertifikatë të planit detal urbanistik, plan të parcelës, projekt të elektrifikimit të EVN-së (rrjetit, kabllo por edhe të trafostacionit për shkak se nuk është ilegale, pra është pa leje ndërtimi.)

Ndertesa ne Serove
Ndertesa ne Serove

“Në rast të kompletimit të dokumentacioneve do të duhet: 1. Të paguhet borxhi i bërë në orëmatësin që ka qenë ilegalisht i montuar. 2. Të bëhet zgjidhja teknike që nuk është aspak problem nga ana e EVN-së, pra trafostacion i ri; si dhe 3. Të paguaj llogarinë e kyçjes për 85 orëmatës, aq sa ka kapacitet ndërtesa”, shtoi Gjakova.

Udhëheqësi i sektorit për urbanizëm pranë komunës së Çairit, Xhengis Hani thotë për Portalb se nuk janë të njoftuar për rastin në fjalë.

“Nuk kemi informacion lidhur me këtë rast. Te ne askush nuk është ankuar lidhur me mungesën e rrymës apo diçka të tillë, sidoqoftë do shqyrtojmë problemin”, tha Hani./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button