Mjaku: Vetëm të çmendurit e flasin atë që tjerët nuk guxojnë

Aktori që magjepsi skenat e teatrit shqiptar dhe më gjërë, Bajrush Mjaku, evokon sfidat artistike, por ai nuk na le përshtypjen e zakontë që krijohet kur aktori përmbledh jetën, skenën dhe të kaluarën e tij,  ai ende nuk e ka mendjen të zbret nga skena. Në intervistën për “Portalb”, ai tregon se krahas sfidave të kohës, janë pikërisht interpretimet e krye personazheve të mëdha të dramaturgjisë botërore, që e inspiruan ta “përdor lapsin”. Mjaku 40 vite në skenë, qindra drama dhe një libër, ai flet për kohët më të vështira, për shantazhet por dhe për momentet e bukura që i fsheh teatri.

Intervistoi: Elida Zylbeari

PORTALB: Pas shumë shfaqjeve, Bajrush Mjakun e shohim  si autor libri, ju ka lodhur rrugëtimi i gjatë në skenë?

B.MJAKU: Jam aktori i parë që kam pasur fatin të interpretoj në skenë figurat apo kryepersonazhet më të mëdha të dramaturgjisë botërore, kjo nuk është modesti. Kam dëshmuar se vetëm puna më mban. Dhe sapo kam mbaruar një shfaqe, mendjen e kam te tjetra. Nuk ndjej aspak lodhje.

PORTALB: Na flitni pak për librin tuaj, cili ishte inspirimi për ta shkruar “Ditari i ditarit të një të çmenduri”?

B.MJAKU: Pas suksesit të madh që pata me shfaqjen “Ditari i një të çmenduri” që është punuar me regjisorin nga Shkupi Ivan Popovski, i cili pas përfundimit të Akademisë, dega e regjisë në Moskë, ka vazhduar punën e tij në Teatrin e Pjetër Fomenkos në Moskë, erdhi deri tek realizimi i pesë shfaqjeve, pesë prezantimeve të “Ditari i një të çmenduri”, pikërisht në Teatrin e Pjetër Fomenkos në Moskë. Të realizosh një personazh siç është Poprishkini që e njeh i madh e i vogël në Rusi, të shkosh nga Ballkani si shqiptar, është një sukses.  Atje shfaqja është pranuar jashtë mase mirë, ku si rezultat i atyre shfaqjeve janë disa kritika, prej kritikës më eminente ruse dhe që atëherë fillova të mendoj për ti kushtuar një libër pikërisht asaj shfaqe dhe fillova ta “përdor lapsin”  dhe shoh që del një material i interesant, meqë, duhet të keni parasysh që shfaqen e kam punuar në një kohë pa kohë gjatë konfliktit të vitit 2001.

PORTALB: Një aktor shqiptar dhe një regjisor maqedonas, me shfaqjen “Ditari i ditarit të një të çmenduri”, pikërisht në vitin 2001, si ia dolët përballë sfidave dhe paragjykimeve të konfliktit?

B.MJAKU: Ishte koha kur më kishte kapluar një çmenduri. Ajo kohë nuk ishte kohë për teatër, një shqiptar me një maqedonas, dy artdashës, nuk shkonte, por ja që ne ja dolëm, edhe përkundër shumë telefonatave kërcënuese si nga ana shqiptare ashtu edhe nga ana maqedonase, derisa më kanë thënë ndale punën se ne kemi gajle të tjera me maqedonasit e ti bënë shfaqe me to. Përkundrazi, jo që bëja shfaqen por bëja një luftë që ti tregoj secilit që në këtë nën qiell ka dashur, Zoti na ka krijuar të gjithëve dhe nuk mundem askujt ti them që ky është vendi im apo është i atij sepse është i përbashkët. Ishte një kohë e vështirë ndërsa vetëm të çmendurit mund të përballonin presione të tilla. Vetëm të çmendurit flasin drejtë, e flasin të vërtetën, e flasin atë që të tjerët nuk guxojnë.
Ndodhi ajo më e mira, ku gjatë rrumbullakimit të shfaqjes, punës tonë, vjen deri tek ndërmjetësimi i palës amerikane dhe evropiane dhe nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit. Menjëherë më pas, më 23 shtator të 2001, në kuadër të festivalit “Mot” është bërë edhe premiera e kësaj shfaqje, dhe është eveniment i parë që mblodhi 200 intelektual, 100 shqiptar dhe 100 maqedonas që gjatë 75 minutave nuk mendonin për atë se çka ndodhi dje dhe përjetuan shfaqjen dhe dhanë një duartrokitje marramendëse gjithë se bashku. Mendoj që kjo ishte fitorja e shfaqjes.
Deri sa dy ditë para shfaqjes në konferencën për shtyp në kuadër të Festivalit “Mot”, një gazetare nacionaliste maqedonas më pyeti:  Jam shumë kureshtare ta shoh këtë shfaqe, ta shoh derri ku ka mbërritur çmenduria e Bajrush Mjakut e Ivan Popovskit në këtë kohë kur nuk është kohë për teatër? Shtrova edhe un një pyetje: A është më mirë që bëmë këtë apo t’ia kishim nxjerr sytë njëri tjetrit? Pastaj Josif Papagjoli, doktor i kritikës teatrore nga Shqipëria thotë: Po Bajrushi ka të drejtë, teatri të bën ta ndjesh veten mirë, të relakson, nuk është pushkë që vret por është e kundërta e asaj. Gjatë asaj kohe kur luftonin në malet e Tetovës e të Lipkovës, unë  bëja provat  e shfaqes ndërsa mbaja dhe ditarin tim. I kam bashkangjitur edhe disa ide, disa copëza, disa ndodhi dhe ngjarje që  i kam quajtur çmenduri. Në librin tim përfshihen edhe shumë ngjarje siç janë demonstratat në Prishtinë, dhe vështirësitë dhe paditë nga ana e partisë Komuniste për gjoja nacionalizëm.

PORTALB:  Sa mbresëlënëse ka qenë periudha kur ju ishit drejtor i Teatrit shqiptar, atë kohë ndaj jush u ngritë padi gjyqësore, si e tejkaluat këtë situatë?
B.MJAKU:  E keqja më e madhe është se në vitin 2003-2004 kur un nga ministria e Kulturës emërohem drejtor i dramës,  pranova, sepse edhe më herët kisha menaxhuar me Teatrin. Në atë kohë në Teatrin shqiptar kishte vetëm një shfaqe “Repriza e Lirisë”, dhe ishte e vetmja shfaqe që unë e ndava në repertor dhe fillova paralelisht të punoj edhe dy shfaqe të tjera. Kështu arrita për 16 muaj të realizoj 9 premiera si drejtor i dramës me 106 repriza në mbrëmje dhe me një numër të madh shikuesish.  Në vitin 2004 e pash se më kështu nuk shkon dhe dhashë dorëheqje dhe fillova të merrem me menaxhimin e  vetvetes. Në vitin 2006 pas zgjedhjeve parlamentare ndërrohet partia në pushtet, edhe pse  nuk e konsideroj  veten të ngjyrosur politikisht, sepse  jam artis dhe i përkas skenës, ndodh që në ndërrimin e drejtorëve në teatër vjen urdhër nga Ministria e Financave që të verifikohen të dhënat për atë se çka kam punuar deri sa isha drejtor i dramës, dhe komisioni ka ardhur  në përfundim që unë kam abuzuar me mjetet financiare të Dramës shqiptare atëherë, dhe më padisin në gjyq për abuzim të mjeteve.
Marr dhe shoh gazetën dhe portreti im ishte në faqe të parë aty ku ishin mësuar qytetarët të më shohin vetëm për gjëra të mira. Por e drejta gjithmonë duhet të del në shesh, nga Gjyqi vjen një ekspert i cili verifikon fakte dhe ajo që ishte më interesante të gjitha dokumentet që i kisha nënshkruar në atë kohë nuk gjendeshin. Por për fat të mirë, në momentin e dorëheqjes unë kam marrë të gjitha fotokopjet e dokumenteve  që i kam nënshkruar dhe ti mbajë në shtëpi dhe të cilat ishin argumente kryesore që un kisha për të mos ma shkatërruar familjen dhe mua, gjë që ato kishin në plan. Të gjitha këto i kam të shkruara në libër. 

PORTALB: Akademia e Arteve të Bukura në Shkup, para disa viteve ju premtoi botimin e biografisë tuaj, kjo nuk u realizua, cfarë ndodhi?

B.MJAKU: Para disa viteve më paraqiten nga Akademia e Arteve të Bukura në Shkup, profesoresha dhe drejtore e Dramaturgjisë Jelena  Luzhina dhe më thotë se do të jemi shumë mirënjohës nëse na sjell të gjitha materialet në planin e realizimit dhe disa shfaqje që i kam realizuar në Akademi, meqë ata si këshill iniciues ishin të interesuar të botojnë një monografi për mua. Ishin të bindur që e meritoja.  Isha më i ri, kuptohet dhe më erdhi mirë, dhe si i sinqertë, e sinqeritet është gjithmonë  naiv, mblodha të gjitha materialet që i kisha dhe i dorëzova në Akademi, dhe më tha, të lutem, kemi nevojë për akademik Luan Starovën që të jetë një përkrahës i kësaj iniciative dhe të shkruaj diçka për ju. Kuptohet që ja dhashë numrin, kontaktuan me të dhe pranoi, shkruan një faqe, një recensim lidhur me idenë e tyre që kishin për të botuar një monografi për mua, bëhen të gjitha parapërgatitjet, marrin nga unë të gjitha shkrimet dhe kritikat e shumë shfaqjeve që i kisha, nga kritik nga Maqedonia Kosova, Shqipëria, Holanda, Suedia, Franca, Rusia dhe kështu me radhë, atje ku kam pasur shfaqe, dhe kishte materiale të bollshme. Ata bëjnë propozimin, aplikojnë në Ministrinë e Kulturës.
Nga ministria marrin përgjigje negative se nuk mund të përkrahin monografi të tillë meqë Bajrushi është i gjallë. Edhe pse e dish që praktika këtu, e monografive, apo e lëvdatave bëhen pas vdekjes, por pas vdekjes lavdërohen edhe ata që kanë kaluar nëpër teatër dhe nuk kanë lënë asnjë gjurmë. Ata më informuan që nuk ka përkrahje prej Ministrisë, kanë fotokopjuar materialet, kritikat me shkrim, i kanë marrë DVD i kanë kopjuar dhe kanë bërë një arkiv të tyre. 

PORTALB:  Keni në plan libër të ardhshëm, cfarë do të rrëfeni në të?
B.MJAKU:  Libri i ardhshëm do të jetë i ndarë në tri kapituj, në kapitullin e parë do të jenë 10 shfaqe, dhe krye personazhe nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore të cilat i kam interpretuar unë, kapitulli i dytë do të jetë me intervistat e mija që kam pasur në momente të ndryshme dhe kapitulli i tretë do të jetë mospajtimi im me shumë njerëz të teatrit, të cilët janë munduar ta ngufatin teatrin shqiptarë.

PORTALB: Në kohën kur ndesheni pikërisht me sfidat që i përmendni në librin tuaj, jeta juaj artistike njeh ngritje, si e vlerësoni periudhën pas vitit 2001 për Teatrin shqiptar?

B.MJAKU: Fatkeqësisht ndryshimet që po ndodhin, nuk do t’i vlerësoja se janë në të mirë, ka ndryshime që mund të konsideroj se janë në funksion te mpleksjes të jetës artistike. Madje, në kohën e komunizmit kur gjithçka kemi pasur mbi kokë ne kemi qenë shumë produktiv. Në atë kohë nuk ke mundur që mos ti realizosh 5 premiera brenda vitit dhe të mos i realizosh tre terminët në javë që i kemi pasur, tani ndodhë që muaj me radhë të mos ketë asnjë shfaqe. 
E dini se ku qëndron problemi? Gjeneratat e reja tash, janë ata që e duan veten në teatër më shumë. Kanë pikësynim pajisjen me diplomë të aktrimit dhe e keqja më e madhe është se shumë të rinj vrapojnë që të kryejnë  maste rin që të pajisen me diplomë dhe të dalin në skenë dhe të luajnë. Skena nuk njeh magjistra dhe nuk njeh doktorë, por njeh “je apo nuk je aktor, të mban apo nuk të mban skena”, sepse në skenë merë atë nokdaunin dhe nuk çohesh më. 

PORTALB: Aktorit i duhet talenti apo puna?
B.MJAKU: Vetëm me talent mbetesh aktorë në bufenë e teatrit, por në skenë duhet punë.

PORTALB: Në skenën teatrore vishni petkun e shumë personazheve, cilët regjisor ju kanë inspiruar më shumë?

B.MJAKU: Bashkë me kolegët e mi kemi realizuar shfaqje të mëdha me regjisorin Vlladimir Millçin. Historinë e veprimtarisë time si aktor, mund të them se e kamë bërë me këtë regjisor. Shfaqje të tjera mbresëlënëse janë punuar me Rahim Burhanin, Dushko Naumovskin, Branko Brezovec dhe Dino Mustafiq. Kjo i takon periudhës së mëhershme, më vonë vjen një etapë e re me regjisorë tjerë si Ivan Popovski. Ajo që më solli kënaqësi të posaçme është bashkëpunimi me regjisorin Sllobodan Unkovski, në shfaqen e parë të produksionit tim të pavarur, Babanë e Strinbergut. Këta janë ata regjisorë me të cilët e kamë ndier veten shumë komod dhe jam tejet i kënaqur që kamë arritur të bashkëpunoj me ato.

PORTALB: Ju jeni nga Kosova, mund të na thoni arsyet pse vendosët të jetoni dhe të veproni në Shkup e jo në Prishtinë?

B.MJAKU: Ka shumë arsye. Arsyja e parë është regjistrimi në shkollën e mesme Zef Lush Marku, meqë në vendlindjen time në Kaçanik nuk kishte shkollë të mesme, pastaj angazhimi  im në teatër në fillim si statist e më pas si aktor ku edhe më “gëlltiti” skena. Më pas shkova në Prishtinë ku pas dy viteve kthehem dhe punësohem në teatrin e Shkupit. Pse jo në Prishtinë po në Shkup? Kosovën atëherë politikisht e kanë mbajtur Gjakovarët, Pejanët dhe Mitrovicasit. Dhe në Teatër në Prishtinë në atë kohë nuk ka pasur aktorë nga qytete të tjera të Kosovës. Kjo ishte arsyeja se  pse unë nuk mbeta në Prishtinë edhe përkundër kërkesës time për të vepruar atje. Un jam  shumë i kënaqur që mbeta këtu, pastaj këtu krijova edhe familjen. 

PORTALB: Cila ka qenë shfaqja apo personazhi i juaj i parë, që ju ka magjepsur për tu ngjitur ne skenë?
B.MJAKU: Aromën e mrekullueshme të skenës  e kamë ndier në vitet e para të shkollës së mesme. Ishte shfaqja “Buçitje Malesh” e Murteza Pezës, ku aktori Muharem Shahiqi, luante rolin e një malësori të vërtet, pikërisht në rolin tim “Skenderbeu”, pas kësaj shfaqje nuk kisha më dilema se cila do të jetë e ardhmja ime.

PORTALB: Ç ‘mund të na thoni për kujtime të mira e të trishta? 
B.MJAKU:  Po, është momenti kur më futën në delegacion për të shkuar në Shqipëri në vitin 1979, më 15 maj duheshe të nisemi për Shqipëri, më 11 maj më lind vajza e parë, fëmija i parë.  Atëherë ka pasur rregulla kur të lind fëmija në spital duheshe të qëndrojë një javë aty, dhe un isha i detyruar që ta lus drejtorin e spitalit që të ma lëshon me datë 14, shoqen me vajzën  ti dërgoj në shtëpi. Atëherë gjinekologu më tha, ti s’qenke  normal, kur ju lind baballarëve fëmijë, ku janë nëpër skena të mëdha të botës ata kthehen në shtëpi, ndërsa ti po ik nga shtëpia. “Po, por ti nuk e di çka do të thotë të shkosh në Shqipëri”, i thashë atij.

PORTALB:  Një aspekt interesant që lidhet me një aktor kaq të njohur si ju, është ai i lidhjes që keni me karakteret që interpretoni, cila ka qenë kritika me interesante që keni marrë?
B.MJAKU: Interpretimet e mia, nuk kanë pasur ndonjë kritik që kanë vënë në dyshim punën time si aktor.  Gjithmonë kamë pasur kritika pozitive  për rolet që kamë interpretuar.  Do të veçoja një kritikë shumë interesante në formën e një shakaje të një kritiku holandez pas balit në teatrin e Debalianas, i cili më tha: “Bajrush Mjaku është njëri prej aktorëve që në skenë bën vallëzim si një buldozer”.

PORTALB: Po ndërtesa e Teatrit të ri në Shkup, si ju duket?
B.MJAKU: E kam thënë dhe nuk nguroj ta them edhe tash, ai objekt i teatrit që është rrënuar në kohën e tërmetit është dashur që moti të rimëkëmbet. Mua më vjen keq që e kanë futur në kuadër të projektit “ Shkupi 2014”. Mua më pengon stili i ndërtimit, ajo histori e imponuar nga ana e atyre të cilët kanë harxhuar shumë para për të ndërtuar atë objekt. Unë them se ne, shqiptarët këtu në Shkup, po jetojmë në fakt të getoizuar, nuk shoh ndonjë  dritë  të bardhë në tunel të gjatë.

PORTALB:  Cili është mesazhi juaj për lexuesit e Portalb?
B.MJAKU: Secili duhet të dëshmohet në profesionin e vetë me punë. Nuk ka gjë më të shenjtë në jetë se të merresh me vetveten . Po të kishim qenë kritik të vetvetes, nuk do të ishim këtu ku jemi, do të ishim atje ku meritonim.

PORTALB: Ju falemnderit!   /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button