Haxhi 2013 përfundoi qetë dhe pa incidente

Rreth 1,4 milionë myslimanë nga 188 vende të botës filluan të largohen nga Arabia Saudite, pasi që e përfunduan haxhin e tyre të sivjetmë në Mekë, i cili kaloi pa incidente.

Zyrtarisht haxhi përfundon sot, por besimtarët mund të largohen që nga dita e enjte, pasi që gjuajtën gurë ndaj tre shkëmbinjve të mëdhenj, që e simbolizojnë dreqin, siç predikon tradita islame  në ritualin e fundit të haxhit.

Një lum njerëzish në mëngjesin e së enjtes u drejtuan drejt Minas, ku ndodhen shkëmbinjtë. Më pas besimtarët i ranë për qark Qabesë – rreth së cilës është ndërtuar Xhamia e madhe.

Ministri saudit i Shëndetësisë shprehi kënaqësi nga fakti që gjatë haxhit nuk ka pasur raste të sëmundjeve ngjitëse, përfshirë edhe sindromën respiratore të Lindjes së Afërt (MERS), që deri më tani mori 60 viktima në mbarë botën, nga të cilët madje 51 në Arabinë Saudite.

Sipas autoriteteve, këtë vit në haxh morën pjesë gjithsej 1,98 milionë besimtarë, në krahasim me 3,16 milionë në vitin 2012.

Lajme të ngjashme

Back to top button