LUFTËNXITËSIT

Sa herë që vin koha e zgjedhjeve nis ulërima e çakejve luftënxitës të disa medieve të vërdhemta të shkretishtes. Të tillët reagojnë robotshëm, me sustat e shtypura prej kalorësish zgjebarakë të apokalipsave, të gjendur në maje t’pushtetit të kurgjësë, a në shpella paranjerëzish, që tim-për-tim vrasin shpresat e ekzistencës së shtetit, i cili nuk mund të mbijetojë ndryshe përpos si multietnik, multikulturor dhe multikonfesional.

Vendet me burrështetas të mençur bëjnë politikë pragmatike në favor të përparimeve të vazhdueshme, duke mos u lënë qyrravecëve medialë sheshe për përmjerrje të çështjeve madhore. Por, ne jetojmë në Zulluland, ku, ashiqare, rriten më së miri pjeprat dhe shovinistët, ndaj dhe bota na konsideron vaki të shfytyruar të Zotit. Këtu qëndron shkaku përse askush nuk ngre padi penale për urrejtje, racizëm, luftënxitje dhe antishqiptarizëm të kapardisur nga ana e “gazetarit” Vasko Eftov, i cili në emisionin “Në qendër” të, 23 nëntorit, trajtoi temën “A janë shqiptarët nën 20 %?!”, qëllimi i së cilës është mobilizimi i maqedonasve kundrejt rrezikut të shqiptarëve që e paskan rritur numrin e tyre në sajë të asimilimit të turqëve, romëve, torbeshëve…

Pa dyshim, tezat që ngre “gazetari” i askujt dhe i të gjitha pushteteve të çmendura bashkë janë të rrezikshme, sepse frustrojnë me gënjeshtra njerëzit që kanë besim në mediet e tyre. Në fakt, qëndrimet e Evtovit, të servuara përpara publikut të gjerë në kohë krizash të mëdha në nivel lokal dhe global, janë tejet luftënxitëse. Ato vlojnë nga urrejtja patologjike dhe injoranca oqean e autorit, i cili, për plasimin e ideve shovene, fton në emision pseudohistorianë me identitet ufosh dhe “analistë” të së njëjtës mendësi të prapë, sigurisht në shërbim të të njëjtave qendra ku gatuhen planet për zhbërjen e tjetrit, pa e menduar se nga zjarret e vjellura kuturu mund të përbihen dhe vetë.

Po çfarë sikleti ka i serti Vasko me pretendimet për gjoja asimilimin e madh që ua paskemi bërë turqëve, romëve, torbeshëve…, të cilët, për shkak të dhunës sonë, paskan ikur me mijëra në shkretëtirat e Anadollit? Sipas tij, atje qenkan shpërngulur ekskluzivisht turqit, ndërkohë që shteti turk e pranon se janë mbi 5 milionë shqiptarë, të ikur atje kryesisht nga viset e mbetura nën çizmen rapacele të Evtovit.

Me sa shihet në paçavrat televizive, Vaskoja e njeh serbishten si ta kishte gjuhë nëne. Prej montazheve që u bën (e)misioneve të tij është e qartë se e njeh edhe teknikën kompjuterike. Së këndejmi, përse nuk i hap faqet e zeza të elaborateve garashaniniste… për zhbërjen e “armiqëve” të përbetuar sllavë, për të kuptuar të vërtetat e spërdredhura pa pikë ndërgjegje njerëzore e me 0 përgjegjësi morale e profesionale?

Për marifete gjenocidesh dhe asimilimesh të pamundshme të robit nga robi, Vaskoja ka tema më të afërta se Sanxhaku i Nishit, fjala vjen. Ja ku është Reka e Epërme e Dibrës dhe rajoni i Mavrovës, ku sot bën sefa dhe plazhe diellore vetëm ekselenca e tij? Mendoni se “gazetari” erudit dhe të ngjashmit me të nuk kanë informacion për asimilimin perfid që u është bërë shqiptarëve ortodoksë të Rekës përgjatë gjysmës së dytë të sh. XX? Mendoni se nuk di gjë për shfytyrimin gati të plotë të një krahine të tërë të populluar prej se mbahet mend prej shqiptarëve autoktonë?

Vaskoja ka dhe tema të tjera përpara hundës së ngritur përpjetë, po bën kinse nuk i sheh nga frika e punëdhënësve. Meqë “e njeh” mirë temën e ardhacakëve shqiptarë në vilatin e tij qiellor, do të ishte me interest ta vë në qendrën e tij punën e vendosjes së të ashtuquajturve maqedonas egejë pikërisht në vendbanimet e pjesës perëndimore të vendit, ku ai nuk e përbën shumicën. Kjo gjithsesi është temë më e afërt në kohë, se ato që paskan ndodhur në periudha perandorishë të perënduara kahmot.

Lista e temave interesante për të është shumë e gjatë, po ç’ti bësh kolumnës sime që nuk i nxë të tërat. Fundja, ai as që denjon të dëgjojë për to, sepse nuk dëshiron të jemi pasagjerë të të njëjtit vapor. Jemi në stinë zgjedhjesh dhe Vaskoja duhet ta luajë sa më mirë rolin e sejmenit pushtetar që synon të ulë me domosdo numrin e shqiptarëve nën 20%, për të uzurpuar më pastaj të gjitha të drejtat e tyre njerëzore, qytetare e kombëtare. A do t’ia arrijë kësaj mbetet të shihet, por ajo që më bën përshtypje, sa herë që shoh burlkeskë, është makthi i Vaskos për t’mos na parë si shqiptarë – kështu si na ka falur Zoti, por vetëm si turqë, romë, torbeshë…

A thua rastësisht tendenca e tij përputhet cep-më-cep me nasihatet e shtonave shqipfolëse?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. të lumtë Fatmir. Ishalla fjala jote i zgjon nga gjumi i dimrit polar ata që e bënë tërë stazhin si ministra dhe do të dalin në pension nga fotela ministrore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button