Bosnja si yrnek për Maqedoninë

Prej të enjtes, Maqedonia mbetet shteti i vetëm ku nuk është realizuar procesi i regjistrimit në Evropë. Pas përfundimit të regjistrimit në Bosnjë dhe Hercegovinë, tani radhitemi në grupin e vendeve si Somalia, Eritrea ose Iraku. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në botë ka vetëm shtatë shtete ku nuk parashihet realizimi i këtij operacioni statistikor në ardhmërinë e afërt. Për të qenë të veçantë deri në fund – jemi absolutisht të vetmit ku është ndërprerë procesi i filluar i regjistrimit.     

Problemet e lidhura me regjistrimin në Bosnjë janë pothuajse identike me ato të Maqedonisë: efektet mbi të drejtat e punësimit dhe përfaqësimit, përbërja e regjistruesve, mbrojtja e të dhënave, falsifikimet e mundshme me motive politike dhe etnike, si dhe përfshirja e shtetasve që jetojnë jashtë vendit. Kjo është edhe një dëshmi tjetër për rritjen e veçorive të përbashkëta me Bosnjën, që trajtohet si shtet jofunksional dhe problematik. Një shembull tjetër është Libani, që gjithashtu nuk planifikon të numërohet për shkak të problemeve etnike dhe fetare.  

Për momentin, përparësia e Bosnjës është vlerësimi i dhënë nga EUROSTAT – regjistrimi ka qenë transparent dhe është realizuar mirë. Notë kjo që Maqedonia mund ta ëndërrojë për të paktën dy vite tjera, sipas skenarit më optimist që ka pak gjasa për realizim. 

Sot askush nuk e di saktë sa njerëz frymojnë këtu. Çuditërisht, shpallen statistika për ulje ose rritje të papunësisë dhe konsumit, ndërkohë që nuk dimë për sa njerëz flasim. Në një vend ku krejt është pjesë e politikës, duket krejtësisht logjike që edhe regjistrimi të dirigjohet nga selitë partiake, që kontrollojnë gjithçka që nga drejtori i Entit statistikor deri tek regjistruesit dhe kompanitë furnizuese. 

Për një vend që pretendon të jetë i gatshëm për t’i filluar negociatat për anëtarësim në BE, duhet të pyetemi se çka kanë bërë institucionet tona që gjërat të jenë ndryshe? Duke e ditur që regjistrimi ngarkohet me shumë dimensione etnike dhe historike, në vend që të punohet drejt krijimit të kapacitetit institucional, koalicioni qeverisës jo vetëm që nuk angazhohet për një regjistrim profesional dhe objektiv, por madje përfiton nga mungesa e numrave duke i manipuluar ato (si edhe shumëçka tjetër) për mobilizim të mbështetjes etniko-partiake. 

Në mjegullën e numrave, shqiptarët manipulohen se kinse pas njëzetë ose kushedi sa viteve do të bëhen shumicë, duke pritur se më në fund do ta marrin shtetin në dorë. Në ndërkohë, tek maqedonasit shitet ideja se bashkëqytetarët e tyre janë disa herë më pak se shifrat zyrtare, që me automatizëm e nënkupton edhe abrogimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe ligjeve gjegjëse. Këto dy versione mbështeten nga dy partitë në pushtet përmes medieve nën kontroll, që heret ose vonë do të ndeshen me realitetin duke shkaktuar kaos për të gjithë. Në jetën reale, nga llogaritjet e Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian kuptojmë që një e katërta e Maqedonisë tashmë është larguar. Atyre nuk ju nevojitet ndarje etnike, meqë të gjithë ikin nga mjerimi i sheshtë në kërkim jetës dinjitoze. 
Është e vërtetë historike që Enti statistikor mbetet një prej institucioneve më të izoluara në aspektin etnik, duke e pamundësuar besueshmërinë prej të gjithëve. Partitë politike pohojnë që në një vend si ky i joni, regjistrimi është çështje politike dhe jo vetëm statistike. Por, çka është ndërmarrë kundër falsifikuesve të regjistrimit, që sipas partisë së Kryeministrit është parandaluar në momentin e fundit për të mirën e shtetit. Në po të njëjtën kohë, çka ka bërë partia shqiptare në pushtet për ta ndryshuar këtë? Sa profesionistë kanë rekrutuar ata për operacionet statistikore gjatë dhjetë viteve të kaluara? Përderisa institucionet shtetërore dhe drejtuesit e zgjedhur nuk i marrin përgjegjësitë që ju takojnë sipas pozitës, pa e ditur sa jemi në këtë hapësirë, vetëm se mashtrohemi se jemi shtet sagllam. 

Mungesa e numrave zyrtarë mund të duket si diçka e parëndësishme dhe problem i izoluar. E vërteta është krejtësisht e kundërt. Përveç maskimit të realitetit, fiaskoja statistikore e pasqyron gjendjen në të gjitha fushat tjera shoqërore, institucionale dhe politike. Sot Maqedonia është më afër Bosnjës sesa Kroacisë, ku ishte para dhjetë viteve. Ky prapakthim është meritë e udhëheqësve që nuk kanë guxim dhe gatishmëri për ndërtimin e mirëfilltë të shtetit. Në të njëjtën kohë, nuk mund të evitohet pyetja se si ndodh krijimi i një Bosnjë e re në Ballkan. Sipas raporteve të Brukselit, Maqedonia është e gatshme për negociata anëtarësimi. Nëse një shtet konsiderohet i gatshëm pa e ditur numrin e banorëve – anash telasheve tjera – atëherë diçka vërtetë nuk është në rregull me kriteret e vlerësimit.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button