HESHTI

Rri në dhomë dhe heshti. Dal jashtë e heshti. Takoj njerëz, miq, të njohur, përsëri heshti. Heshti nëpër ndenja, heshti nëpër dasma. Gjithnjë e gjithkund heshti, sepse fjala që e thua merret si sulm ndaj Napoleonit, ndaj kryeplakut, ndaj shefit të policisë, ndaj policisë pyjore, ndaj tagrambledhësit, ndaj hoxhës, ndaj oratorëve të drunjtë të mitingjeve. Heshti se këtu fjala e kall urrejtjen te pandurët, te xhandarët, te policia e shpirtit, te pronarët e ngjyrave të ndryshme, te të merituarit për punë partiake, te të vetëquajturit patriotë, te pritësit e amshueshëm që presin të bien gurabija nga qielli, te shteti. Heshti se po të flas do të shkaktohet tërmet në hapësirën tonë të lodhur etnike, do të mobilizohen ushtarët e partive që ta venë në shenjë fjalën, që ta përgatisin lakun për qafë. Heshti se këtu po e the një fjalë të njollosin, të përbaltin, të nxijnë, të anatemojnë, të hedhin në llaç nga i cili nuk dilet deri në frymën e fundit. Heshti se të përqeshin po të thuash se asgjë këtu nuk ndodh, se këtu uji rri amull një shekull e më tepër. Heshti. Heshti se po ta hap gojën do të m’i thyejnë dritaret, do të më shajnë, do të më largojnë nga puna, do të m’i lënë fëmijët pa martuar. Heshti se pastaj nuk do të më lënë as kontejnerëve t’u afrohem të gjej një parë çizme të vjetra që i kanë hedhur që t’ia mbath fëmijës së uritur e të mardhur. Heshti se gjithandej jam i rrethuar me mure, me tela me gjemba. Heshti se gjuha ime është hedhur nën hije dhe zërat nga hijet gjithmonë merren si të dyshimtë. Heshti se po të flas shtëpitë do të nisin të dridhen dhe fqinjët do të kërkojnë që të sanksionohet guximi im që flas. Heshti sepse jam në korridoret e Kafkës dhe nga dritarja në fund të korridorit duket si shkëlqen tehu i thikës në dritë të hënës. Heshti se të gjithë më thonë me qortim se qengji i butë thith dy nëna, se miqtë më këshillojnë dhe më thonë: çka të hyn në punë ty a është apo s’është e barabartë gjuha shqipe me gjuhët tjera. Heshti se farefisi më thonë se ma duan të mirën. Heshti se shokët më thonë prit, pse merr hov! Heshti se im atë më ka thënë vazhdimisht: çfarë të hyn në udhë ty a kanë njerëzia të drejta apo nuk kanë, a kanë bukë apo s’kanë. S’është punë për ty! Heshti se nuk të falet po the se politika s’ka bërë gjë prej gjëje ta mbrojë trashëgiminë tonë. Heshti se instancat e dinë që unë e mbaj anën e bimëve e kafshëve të pambrojtura. Heshti se kështu i lë të qetë nëpunësit e lartë që të bëjnë gjumë të rehatshëm, se po fola do të zgjohen e vaj halli për njerëzit e pambrojtur, për njerëzit pa lidhje partiake, për të gjithë ata që kryetari i partisë i shpall komunistë derisa vetë zoti kryetar trashet në livadhet e hoxhës. Heshti se fjala ime shkakton stuhi ndër njerëzit që i falënderohen perëndisë për copën e bukës thatë dhe për pak kokrra kripë që i hanë përditë. Heshti që të mos u hapen sytë njerëzve e pastaj të verbohen nga shkëlqimi i pallateve të vozhdëve të tyre. Heshti. Heshti se do t’u nxjerr punë autoriteteve që ta shtrojnë rrugën dhe do të ngrenë pastaj padi penale kundër meje për paratë që do t’i shpenzojnë për këtë punë. Heshti për Isën e nuk e bëj të madhe se ky Isë është ana tjetër, ana e ligë, e medaljes së Isë Boletinit. Heshti për budallallëkun e atyre që bëjnë zhurmë duke thënë se paska komb kosovar, se paska gjuhë kosovare. Heshti e nuk bëj zë për të gjitha këto, sepse për fjalën që mund ta them do ta pësojnë fshatarët dhe proletariati. Do ta pësojnë studentët dhe intelektualët e rinj. Heshti edhe kur bie shi, edhe kur bie borë, edhe kur bie breshër, sepse bëra e fola do të laget tërë populli. Nuk them asgjë kur bëhet thatësi, kur shteret lumi, kur zbrazen fshatrat nga rinia. Nuk flas se thonë duhet ta vërtetojë fjalën time instanca. Nuk flas kur dëgjoj ndonjë lajm të keq, sepse më kanë thënë se kjo s’qenka punë për mua. E hesht edhe urrejtjen, sepse më kanë porositur se urrejtja ndaj nesh e ruan balancimin e bashkëjetesës.

I hap sytë e shikoj – qielli lart, toka e fortë. E ndjej hidhëtinë që derdhet gjithandej rreth meje, i ndjej vitet që më rrëshqasin kot e kot duarve, e ndjej helmin që e ka mbështjellë Tetovën. Më mundon gjithë kjo, por nuk flas sepse i di pasojat. Nuk flas as për qeverinë shqiptare e cila na trajton si të huaj, sepse do ta ndjell edhe një instancë të afrohet rreth vathit e të më qëndrojë mbi kokë me shpatën e Damoklit.

Jam afruar në zgrip, në buzë të humnerës dhe matem të hidhem, por nuk hidhem sepse do të më akuzojnë për gjëra që s’i kam bërë dhe do të më mbulojnë me baltë harrese siç i kanë mbuluar shumë burra me peshë dhe më të mirë se unë. Nuk flas. Më vjen të vjell, po nuk mundem.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Me heshtjen tuaj gjithecka kuptuam pervec qe duhet heshtur , ju uroj shendet dhe suksese i nderuari Xhabir Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button