Reagon Shkëndija: “Pse ngrihet “pluhur” i madh kur Vardari s’ka rezultate”?

Kryesia e KF Shkëndija nga Tetova reagon përmes një komunikate lidhur me presionin mediatik që po bën Vardari, pas ndeshjes së parë çerekfinale të kupës së Maqedonisë në futboll, të cilën e humbi me rezultat 3-0 në Çair. Komunikatën e Shkëndijës ua transmetojnë në mënyrë integrale.

Pas gjithë presionit medial të shfaqur në media të caktuara pas ndeshjes së parë të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit (3:0), nuk mundemi të qëndrojmë indiferent dhe mos reagojmë. Disa ditë para ndeshjes në një takim të përbashkët në FFM, në prani të Komisioneve për Siguri të Federatës dhe dy klubeve, arritëm marëveshje për angazhimin tonë në drejtim të eliminimit të paraqitjeve negative në tribuna, edukimit të tifozëve dhe ulje të tensioneve, mirëpo mënyra e qëndrimeve të KF Vardarit në media të caktuara nuk i qëndron besnik marrëveshjes dhe e thyejnë të njëjtën vetëm pas disa ditëve. Vetë materiali i zgjedhur nga Vardari me të ashtuquajturat ‘momente të dyshimta’ na bind edhe më shumë se arbitrat vetëm se respektuan rregullat e futbollit dhe kundërshtari u ndëshkua për qasjen e gabuar dhe agresive ndaj ndeshjes.

Në asnjë mënyrë nuk do të përfitojmë nëse tribunat tona të tërbuara nxisim urrejtje të paqëndrueshme, vetëm për shkak të humbjes që në rastin e takimit në Çair rezultati dhe loja e Shkëndijës ishin në avantazh shumë më parë se kur u skandalizuan futbollistët e Vardarit. Ndëkohë nuk përmendet edhe rasti i futbollistëve të caktuar dhe me dosje të njohur problematike që vazhdimisht bënin provokime drejt publikut (quarja e tyre ‘indianci’ dhe përsëritje e të njëjtës më vonë para kamerave televizive), ndërsa e njëjta demantohet nga kryesia e Vardarit!

Në kushte të këtilla edhe pse flitet pozitivisht për klubin tonë, megjithatë reagimi i mbështetur në fakte të gabuara nënkupton presion medial për arbitrat për sfidat e ardhshme në Kupë dhe kampionat. Kësaj ‘fushate’ për fat të keq i’u përgjigjën pozitivisht media të caktuara me qëndrimin e tyre të njëanshëm dhe joprofesional, ndërsa vetë ne si klub po i ndjejmë pasojat.

Nuk arrijmë të kuptojmë pse ngrihet gjithë ky pluhur gjithmonë kur Vardari nuk ka rezultate të mira? A duhet gjithë ekipet tjera të ndëshkohen, për t’i hapur rrugën Vardarit drejt titullit?! Me këto qasje humb kuptimin kampionati dhe sistemi i garave!

Vlerësojmë se veprime të këtilla nuk shërbejnë për krijimin e një klime të mirëfilltë sportive dhe ndikojnë në ngritjen e dallimeve nacionale ndërmjet tifozëve të dy klubeve.

Në të njëjtën kohë mbështesim qëndrimin e Federatës së futbollit të Maqedonisë për situatën në fjalë, mirëpo në të njëjtën kohë kërkojmë të jenë të kujdesshëm për menaxhimin e situatave të këtilla kur klube të caktuara pretendojnë të krijojnë presion për tjerët. Ne kërkojmë vetëm kushte të barabarta për gjithë pjesëmarrësit. Shpresojmë që drejtuesit e FFM-së dhe Komisioni për Arbitra bashkë me ndarësit e drejtësisë të mos bien në ndikim të presionit medial, për tu angazhuar bashkërisht për avancim të futbollit.

KF Shkëndija – 30.11.2015

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button