Kobe Bryant zyrtarizon largimin nga basketbolli

Kobe Bryant, 5 herë kampion i NBA dhe i konsideruar si një nga basketbollistët më të mirë të historisë, ka njoftuar se në fund të këtij sezoni do të tërhiqet. Nëpërmjet një letre në “The Players Tribune”, vendi ku sportistë të famshëm kanë hapësirën e tyre të shprehjes dhe shpesh japin lajme historike, lojtari i Los Angeles Lakers zyrtarizoi tërheqjen pas 20 vitesh karrierë dhe 32 683 pikësh të shënuara, duke nisur me frazën “I dashur basketboll”.

37-vjeçari ka pasur dëmtime të rënda në dy sezonet e fundit dhe e ka ulur shumë nivelin e tij, gjë që e ka bërë të kuptojë që është koha të dalë në pension. Ndeshja e tij e fundit do të jetë ndaj Utah Jazz, në 13 prill të vitit 2016, duke qenë se LA Lakers e ka të pamundur të kapë fazën e playoff-it.

Ja letra e plotë e Kobe Bryant:

“I dashur basketboll. Që kur nisa të realizoja gjuajtje imagjinare, u dashurova me ty. Një dashuri e thellë që më ka bërë të jepja maksimumin për ty me mendje, trup dhe shpirt. Dhashë gjithçka për ty sepse kjo gjë bëhet kur diçka të bën të ndidesh gjallë, siç më bëre ti të ndihem. I dhe një djali 6-vjeçar ëndrrën e Lakers-ave dhe gjithmonë do të të dua për këtë. Por, nuk mund të fiksohem më pas teje. Dhe ndihem mirë. Jam gati për të të lënë të lirë. Të dy do të shijojmë çdo moment që kemi kaluar bashkë. Të mirat dhe të këqiat. Dhe të dy e dimë se çfarëdo që të bëj në të ardhmen gjithmonë do të jem ai djaloshi që ëndërronte duke u munduar të fuste topin në një kosh mbeturinash, duke imagjinuar një fundndeshjeje. 5,4,3,2,1… Do të të dashuroj gjithmonë. Kobe”.

/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button