Përmbytje të mëdha në periferinë e Tiranës

Shtrëngatat e shiut që ranë natën e së martës, duke u gdhirë e mërkura nxorri nga shtrati lumin e Tiranës, duke përmbytur zonën përreth. 

Zona e Treshit, në afërsi të Kamzës ka qenë dhe pjesa ku janë regjistruar më shumë dëme. Si pasoje e daljes nga shtrati i lumit, mbi 60 banesa në këtë zonë janë përmbytur, ndërsa numri i tyre në total është disa qindra.

Niveli i ujit ne disa vende arrinte dhe deri në 2 metra dhe disa banorë kanë rrezikuar edhe jetën.

Në ndihmë të banorëve të kësaj zone kanë ardhur dhe forcat e Ushtrisë, si dhe ka inspektuar nga afër operacionet e ndihmës, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

“Sigurisht ka një problem të ndërtimit pranë shtratit të lumit dhe për pasojë shirat e kanë përkeqësuar situatën. Forcat e Ushtrisë dhe forcat e Policisë janë këtu, kanë ardhur në ndihmë të qytetarëve. Do të merren të gjitha masat që fillimisht të sistemohen fëmijët dhe gratë dhe më pas të vlerësohet dëmi. Këtu jam me prefektin e qarkut, besoj që do të sjellë një ekip që do të bëjë vlerësimin e dëmit dhe më pas edhe shpërblimin. Mendoj që këta qytetarë kanë ndërtuar në vendin e gabuar, por kjo nuk do të thotë që nuk do të merren masat për mundësimin e hapjes së shtratit të lumit, që është mbyllur për shkak të hedhjes së inerteve gjatë ndërtimit”, tha Kodheli.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha pasi takoi nga afër banorët e përmbytur deklaroi se më shume se 1000 shtëpi janë prekur nga shirat, ndërkohe që ka dëme të mëdha materiale. Basha kërkoi bashkëpunim me Qeverinë qendrore.

“Të kemi një bashkërendim edhe me institucionet qendrore, për të shtuar krahun e punës që ndihmon në pastrimin e zonës dhe për të stabilizuar furnizimin me gjërat bazë, kryesisht me ujin e pijshëm. Do të fillojë menjëherë me autobot dhe me mjete të tjera furnizimi nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, evidentimin e dëmit dhe pas kësaj përpjekjen për t’i ardhur në ndihmë banorëve sipas dispozitave të shtetit shqiptar, sepse nuk bëhet për një ngjarje të zakontë, fryrja e lumit në këto parametra ndodh një herë në 20 vjet, dëmet janë të mëdha dhe kërkohet përgjigje proporcionale për to”, tha Basha

Lajme të ngjashme

Back to top button