Gruevski: Rekomandimi i ripërtërirë mirënjohje për rezultatet e realizuara

Rekomandimi i ripërtërirë i KE-së për fillimin e negociatave inkuadruese paraqet mirënjohje për rezultatet e realizuara gjatë vitit të kaluar dhe punën e bërë nga ana e institucioneve, administrata, faktorët politik dhe shoqëror. Republika e Maqedonisë pret se edhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së do të udhëhiqen nga këto argumente, nga interesi i përbashkët i BE-së dhe në dhjetor, do të sjellin vendim për fillimin e negociatave, deklaroi sonte kryeministri, Nikolla Gruevski në konferencën e përbashkët për shtyp me euroambasadorin,  Aivo Orav i cili do t’ia dorëzojë Raportin e KE-së për progresin e vendit për vitin 2013.

“Republika e Maqedonisë mbetet tërësisht e përgatitur të kalojë në fazën e ardhshme të procesit inkuadrues. Pajtohemi me konstatimin e Komisionit se fillimi i negociatave jo vetëm se do ta përshpejtojë konsolidimin e reformave dhe do ta përforcojë kohezionin ndëretnik por edhe do ta ruaj kredibilitetin e zgjerimit të BE-së, si proces meritor i bazuar në kushtëzimin e fuqishëm”, potencoi Gruevski.

Sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal Gruevski potencoi se Komisioni gjithmonë e ka njohur dhe e ka vlerësuar lartë rolin konstruktiv të Maqedonisë në marrëdhëniet bilaterale me vendet fqinje dhe angazhimin aktiv në nismat rajonale. Kështu ndodh edhe me raportin e sivjetmë që potencoi se është me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë në mënyrë proaktive të investojë në zhvillimin e marrëdhënieve edhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit në rajon. Marrëdhëniet me vendet anëtare janë shumë të rëndësishme për ne. Dëshirojmë që ta kalojmë rrugën deri në anëtarësimin në BE në bashkëpunim dhe duke i shfrytëzuar në mënyrë aktive përvojat e tyre. Prandaj iniciojmë dhe do të vazhdojmë të propozojmë me vullnet të sinqertë mjaft aktivitete dhe projekte konkrete për zhvillimin e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë”, tha kryeministri Gruevski.

Lidhur me dallimet e Maqedonisë dhe Greqisë rreth emrit, ai përsëriti se Maqedonia dëshiron që sa më shpejtë ta zgjidhë kontestin dhe se rruga deri te zgjidhja është përmes sundimit të së drejtës dhe respektimit të kornizës së definuar juridike ndërkombëtare nga KB-ja dhe gjykata ndërkombëtare e drejtësisë.

“Dëshirojmë të kemi proces proaktiv dhe intensiv të nivelit më të lartë politik. Pezullimi i zgjidhjes së kësaj çështje nuk është në interesi për askënd”, tha kryetari i Qeverisë. Sipas tij, me rëndësi të jashtëzakonshme është që marrëdhëniet e Maqedonisë dhe Greqisë të zhvillohen në frymën e respektit të përbashkët, bashkëpunimit, besimit dhe partneritetit dhe nënvizoi se hapja e negociatave inkuadruese të BE-së me Maqedoninë mund të kontribuojnë për përparimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe tejkalimin e dallimeve.

 Ai i bëri thirrje Greqisë ta përkrahë marrjen e vendimit për Maqedoninë në Këshillin Evropian të dhjetorit dhe me këtë drejtpërdrejtë të kontribuojë për euro integrimet e Ballkanit. “Dëshirojmë që konferenca e jonë e parë ndërqeveritare për negociatat inkuadruese të mbahet gjatë kohës së kryesimit grek me BE-në”, tha Gruevski.

Lajme të ngjashme

Back to top button