“Jetë me qira” e Teatrit Shqiptar – Shkup triumfoi në Festivalin e 43-të të Teatrove në Ferizaj

“Shfaqja e Teatrit Shiptar – Shkup “Jetë me qira” (Shfaqja më e mire e Festivalit) dhe “Mbas zonjushës Julie” e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Regjia më e mirë) janë dy shfaqjet që kanë qenë mbi nivelin e shfaqjeve të tjera.” – shprehet kryetarii  jurisë, regjisori dhe dramaturgu Fadil Hysaj.

“Jetë me qira”, me tekst të Refet Abazit dhe regji të Luka Kortina është shpallur shfaqja më e mirë në edicionin e 43-të me radhë të Festivalit të Teatrove “Ferizaj 2013.

Krahas çmimit kryesor, “Jetë me qira” e Teatrit Shqiptar – Shkup mori çmimet për rol më të mirë dytësor të cilin e ndan aktorët Adem Karaga dhe Muzbajdin Qamili – Muçi si dhe çmimin e mediave i cili i takoi aktores Gresa Pallaska për interpretimin e rolit të Jetës në “Jetë me qira” dhe atë të Zonjushes Julie në shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Mbas zonjushës Julie”. 
Shfaqja “Mbas zonjushës Julie” e Teatrit Kombëtar të Kosovës u shpërblye me çmimin për regji më të mirë, që iu nda regjisorit Kushtrim Koliqi, aktorja Gresa Pallaska mori çmimin për aktore më të mirë (çmimi Adriana) dhe çmimin e mediave, si dhe çmimin për rol epizodik që iu nda aktores Xhejlane Godanci, të cilin e ndau me aktoren Elona Hyseni për rolin e saj në shfaqjen e Teatrit Metropoli “Tri mendje në ankand”.

Juria profesionale e përbërë nga regjisori dhe dramaturgu Fadil Hysaj, aktorja Drita Krasniqi dhe regjisori Agim Selimi, çmimin për aktor më të mirë ia ndau aktorit Mentor Zymberaj për interpretimin në shfaqjen “Ku…Çka”, të Teatrit “Dodona”. Të nominuar ishin edhe aktori Astrit Kabashi për rolin e realizuar në “Mbas zonjushës Julie” dhe Besfort Idrizi për interpretimin e rolit të Dinit në “Jetë me qira”, që në komunitetin artistik përflitej si pretendenti kryesor i çmimit.
Në garë për aktore më të mirë për rol dytësor ishte edhe aktorja Amernis Jovanovska Nokshiqi për rolin në “Jetë me qira”, ndërsa çmimi i takoi aktores Flora Kadriu për interpretimin në shfajqen “Shtrigat e Salemit” të Dramës Shqipe të Teatrit të Kumanovës. 

Adem Karaga, Drejtori i Teatrit Shqiptar – Shkup u shpreh. “Për mua është një çmim tejet i madh. Më gëzon fakti se shfaqja e cila po ballafaqohet me publikun shqiptar, po vlerësohet thellë dhe sonte ka marrë çmimin kryesor të këtij festivali. Autori i shfaqjes, Refet Abazi, në thelb e dinë se çka janë dërrasat e skenës së Teatrit, emocioni, bartja e mesazhit te publiku, rrethanat… Luka Kortina, siç u shpreh edhe kritika e festivalit, arriti që këtë tekst ta bart në skenë në një formë tejet bashkëkohore dhe inventive përmes procesit të përbashkët me muzikën e grupit FOLTIN, koreografinë e Agnes Nokshiqit, skenën e Sasho Popovskit, kostumet e Elena Spasovska dhe profesionalizmin dhe angazhimin artistik të të gjithë 15 aktorëve të shfaqjes.  I përgëzoj të gjithë kolegët e Teatrit Shqiptar, vërtet është kënaqësi kur gërshetohet kënaqësia, muzika, loja, aktrimi, teksti, regjia me një esencë të vetme të cilën ne e quajmë shfaqje.”, ka pohuar Karaga./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button