SABRI DHE TOLERANCA

Ditë e bukur, me diell në Prizren. Në qendër të qytetit vlon nga nxënësit të cilët kanë ardhur nga të gjitha viset shqiptare të Jugosllavisë së dikurshme. Dëgjohet një këngë e mallëngjyeshme popullore për një vajzë të mjerë. Vjen nga një lokal jo larg Shtëpisë së Lidhjes Shqiptare. Jo larg këtij monumenti të cilin disa herë e kanë rrënuar serbët dhe po aq herë e kanë ngritur përsëri në këmbë shqiptarët, kalojnë dy makina nga Serbia – njëra me targa të Beogradit, tjetra me targa të Kragujevcit. Ndalen të dyjat dhe njëri nga shoqëruesit e shoferit të veturës së parë pyet. “Znate li srpski”? (A dini serbisht) “Znam, znam” (Di, di), i përgjigjet një kalimtar që ndodh aty. “Ima li tu neki parking”? (A ka këtu pari ndonjë parking) “Ima, ima” (Ka, ka)… u përgjigjet kalimtari duke u treguar me dorë parkingun. Theksi i kalimtarit tregon se ai është shqiptar. Njerëzit zbresin, kurse shoferët kthehen prapa, sepse për të shkuar në parking është vështirë, sepse rrugët janë njëkatëshe. Znate li gdje je bogoslovija? (A e dini ku është bogoslovia) “Znam, znam” (E di, e di) përgjigjet kalimtari dhe u tregon me dorë me dashamirësinë e mikpritjes tradicionale shqiptare…

Njerëzit treten në kallaballëkun e madh. Shkon edhe shqiptari me serbët dhe përzihen me turmën drejt adresës që e kërkojnë. Qyteti vlon nga nxënësit e shumtë, të cilët kanë ardhur nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët e hapësirës së Jugosllavisë së dikurshme. Duan ta shohin qytetin e lashtë, qytetin e Lidhjes…

Duke shkuar kah qendra e qytetit që stoliset me shatërvanin e famshëm ku dikur kanë qenë bustet e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, por të cilat i kanë rrëzuar autoritetet okupuese serbe ecim ngadalë me mikun tim nga Prizreni. Në kodër lart, përfund kalasë piktoreske duket një kishë e madhe serbe. “Po kjo”? e pyes mikun tim. “E, këtë e ka ndërtuar Çançeja”. “Kush është ky”? “Çançeja ka qenë kryetar i Komunës para luftës”. “Ç’emër qenka ky”? “Po serb ka qenë… Nuk është emri i tij i vërtetë. Llagap është. Emrin ia kam harruar”. A nuk qenka e lashtë kjo kishë, a”? “Jo, jo. Ç’është e vërteta ajo është ndërtuar mbi themelet e një kishe të vjetër, po kjo s’është e vjetër”… Pastaj ecim rreth lumit i cili tash duket si një përrua, sepse shi s’ka rënë që moti, por edhe qyteti është shtuar shumë. Janë dhjetëfishuar, ndoshta, banorët sot. Tash shpenzohet ujë shumë më tepër se në kohën kur lumi ka qenë lumë. Heshtim dhe mundohem t’i dëgjoj notat e mrekullisë të cilat shpërthejnë nga kalaja madhështore. E shikoj lagjen e vogël që është vendosur në rrëzë të kodrës ku është vendosur kalaja dhe buzë lumit. Nga atje duken shtëpitë e reja. Të gjitha shtëpitë e dikurshme të kësaj lagjeje janë tretur. I kanë rrëzuar dhe në vend të tyre kanë bërë shtëpi të reja. Nga e kaluara e kësaj lagjeje me shtëpi të vendosura mbi burimet e famshme kanë mbetur vetëm një mulli, një rrap i lashtë, një teqe dhe një xhami. “S’paska më burime”? i them mikut. “I ka shterë pushteti serb… Ua ka ndërruar rrjedhën…”. Bie përsëri një heshtje që të shurdhon. Ecim tutje. Para nesh është lagja ortodokse e vendosur përfund kalasë. Dikush e quan Potkala (nga serbishtja Nënkala), dikush Varosh. Thuajse asnjë shtëpi e vjetër nuk ka mbetur. Të gjitha janë të reja. Në to duket megalomania e pronarëve. “O mik”, i drejtohem shoqëruesit tim, “po kush i bëri këto shtëpi”? “Serbët”… “A nuk janë shpërngulur ata”? “Janë shpërngulur”… “Mediat serbe”, i them, “vetëm vajtojnë për ‘fatin e zi’ të serbëve të cilët paskan ikur nga dhuna”… Miku im qesh. “Po shiko edhe vetë… Derisa mediat serbe vajtojnë, serbët i bëjnë shtëpitë… të reja. I bëjnë si duan. Dhe, shkojnë. I bëjnë për t’i shitur. Vijnë pastaj i shesin dhe marrin para të majme për to. Kurse shqiptarët në këtë ngushticë detyrohen të sakrifikojnë shumë për një shtëpi në qytet. Serbët nuk duan këtu. Nuk duan të jetojnë në këtë varfëri. Nuk duan të jetojnë me ne. Por nga shtëpitë e tyre duan të fitojnë. Për ta nuk ka as ligj, as pushtet. Si duan, ashtu bëjnë. Jashtë qytetit e kanë uzurpuar një vend me rrënoja mesjetare dhe e kanë ngritur një manastir, këtu e kanë shkollën fetare… Ata çka të duan marrin nga qeveria… Ata i mbajnë këto kisha mesjetare, jo për ndonjë fe a ndonjë traditë kulturore, por për ta mbajtur çizmen e tyre brenda”.

I afrohemi lagjes së Varoshit. Gjithandej është atmosferë ndërtimi: tulla, çimento, gëlqere, muratorë… “Hë, si të duket”? më pyet miku. “Prit”, e ndërpres unë, “a vijnë serbët shpesh këtu”? “Po si s’vijnë… A bëhet shtëpia vetë… Vijnë dhe kërkojnë nga qeveria jonë t’u japë mbështetje materiale… Dhe, nuk ka serb që nuk ka marrë subvencione. A e ke parë Shtërpcën si e kanë bërë… si një qytezë zvicerane. Mos mendo se kanë dhënë ndonjë para… Ata vijnë e shkojnë kur duan… Çka të bëjmë ne?! Ne po shkuam, e pat puna jonë. Neve na zhbëjnë kudo që të shkojmë. Neve s’na pret askush askund. Ne s’e gjejmë kurrkund një qeveri si kjo e Kosovës e cila i mbështet ata materialisht, kurse neve na e ofron sabrin dhe tolerancën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button