Reagon BDI: Pohimet për kërcënime ndaj studentëve janë të pavërteta

Pas denoncimit të rastit në fjalë, redaksia e Portalbit u mundua disaherë të kontaktojë me zyrtarët e BDI-së por ata nuk kishin qasje. Megjithatë tani, BDI, tani ka dalë me deklaratë zyrtare për rastin e djeshëm në Manasitir, duke i hedhur poshtë zërat për politizim të festës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si dhe kërcënimet ndaj disa studentëve gjatë shënimit të kësaj feste.

“Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk ka qenë prezent në koncertin e organizuar në Manastir, dhe nuk ka kurrfarë kuptimi që atij apo truprojeve të tij t’i mveshet diçka e paqenë. Të gjitha këto pretendime i hedhim poshtë si të pavërteta dhe tendencioze, të cilat kanë për qëllim zbehjen e rëndësisë së madhe kombëtare që ka Festa e Alfabetit”, thuhet në reagimin e tyre.

Përndryshe, dje nëpër portalet elektronike është publikuar një shkrim, i një studentes me emrin, Blerona Brao, e cila thotë se ajo bashkë me kolegun e saj, Arbër Arsllani, dhe arsimtarin e tyre Lebit Murteshi, kanë marrë pjesë në manifestimin kulturor për ditën e alfabetit në Manastir. Siç thotë ajo, mësuesi i tyre në shenjë proteste e ka lëshuar sallën, sepse manifestimi ka qenë i politizuar, ndërkaq pas tij kanë dalë dhe dy studentët, Blerona dhe Arbëri. Siç rrëfen studentja pasi kanë dalë nga salla, “pas nesh u derdhën rreth njëzet banditë të Ali Ahmetit, na rrethuan në korridor me kërcënime më vulgare deri te kërcënimi me zhdukje fizike, të cilave ne u përgjigjëm sipas nivelit të tyre”.

Pas denoncimit të rastit në fjalë, redaksia Portalb, ka tentuar të kontaktojë me shefin e kabinetit të Ali Ahmetit, Artan Grubi, për t’iu përgjigjur akuzave të studentes, por ai nuk e hapë telefonin. Portalb, ka tentuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e BDI-së, Bujar Osmani, i cili gjithashtu nuk ka dhënë asnjë prononcim për rastin në fjalë.

Mbrëmë, nën organizimin e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, në Manastir, është mbajtur manifestim kulturor për kremtimin e përvjetorit të 107 të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë manifestim, kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet BDI si dhe mysafirë të tjerë nga vendi e rajoni.

Rrëfimi i plotë i studentes: Kongresi i Manastirit dhe banditët e Ali Ahmetit

“Unë studentja Blerona Brao dhe kolegu im, gjithashtu student, Arbër Arsllani patëm fatin e mirë të marrim pjesë në përvjetorin e alfabetit të shkronjave shqipe në Manastir.

Fati ynë u bë edhe më i madh kur në mesin tonë erdhi dhe u ul mësuesi ynë shpirtëror, Lebit Murtishi, i cili gjithë jetën ka ecur rrugës së shkronjave shqipe të cilave, u ka falur edhe një grusht gjak nga gjaku i tij.

Çudia ndodhi, kur pas hapjes së programit solemn në skenën e dekoruar ku ishte vendosur orkestra filharmonike e RTSH nga e cila prisnim me padurim intonimin e Himnit Kombëtar, çuditërisht mbi të njëjtën skenë u shfaqën katër shkronja që përbënin emrin ABAZ.

Dhe ky “ABAZI” na qenkësh Ali Ahmeti.

U tronditëm thellë kur në këtë përvjetor, që për ne të rinjtë ishte e para herë që merrnim pjesë në një manifestim të tillë kur pamë se shkronjat e shenjta të alfabetit të lara nga dhjetëra breza me gjak të kulluar shqiptari, u mbuluan me një emër turk që po i shërben turpërisht armiqve të shkronjave shqipe, që vet këtij Manastiri  të lashtë ja ka marrë të drejtën e të shkruarit Shqip.

Në çast, u ngrit në këmbë mësuesi ynë Lebit Murtishi, u nis drejtë derës dhe në shenjë proteste dëgjuam këto fjalë:

“Turp të keni që edhe këtë datë të shenjtë po e njollosni me emrat tuaj të ndotur. Ky është manifestim i alfabetit dhe jo gradim i bandave të krimit”!

Pas tij, si me katapult u nisëm unë dhe Arbëri.

Çudia u bë edhe më e madhe kur pas nesh u derdhën rreth njëzet banditë të Ali Ahmetit, na rrethuan në korridor me kërcënime më vulgare deri te kërcënimi me zhdukje fizike, të cilave ne u përgjigjëm sipas nivelit të tyre.

Duke parë gatishmërinë tonë për të dhënë jetën në manifestimin e shkronjave shqipe, njëri nga banditët, sigurisht kapobandoja i të gjithëve, e pyeti mësuesin tonë se cili ishte ai që mori guximin të prish manifestimin e “ABAZA-VE”.

Jam Lebit Murtishi tha mësuesi ynë, jam njeriu që në këtë qytet njëherë jam torturuar për vdekje nga banda të uniformuar, ndërsa sonte do isha më i lumtur të jap jetën prej jush që flisni “shqip”!

Urdhëroni pra!

Në atë moment kapobadoja e ndërroi qëndrimin dhe kërkoi prej nesh ta lëshojmë atë ambient edhe pse ne presim, tashmë e kishim lëshuar sallën e gjarpërinjve të gjakut.

Do ta mbajmë mend këtë datë të shënuar, manifestimin e së cilës e kishin organizuar bandat e armatosura të pushtetit të Gruevskit që po lufton me tërë qenien e tij kundër gjuhës dhe qenies shqiptare, njëkohësisht i bëjmë thirrje brezit tonë:

QË KURRË TË MOS MASHTROHEN DHE KURRË TË MOS BESOJNË SE VRASËSIT E GJUHËS SHQIPE DOT BËJNË PËR TË MË SHUMË SE Ç’BËNË BANDAT E ALI AHMETIT SONTE ME NE!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button