Vevçani na tregoi statusin e gjuhës shqipe

Ngjarje të vogla ndonjëherë arrijnë të kristalizojnë përnjëherë çështje të mëdha për të cilën thyhen dhëmbë vite me rradhë. Një ngjarje e tillë që kaloi pa shumë bujë te mediumet maqedonase dhe as që u përmend te ato shqiptare ndodhi dje në komunën e Vevçanit, afër së cilës kalon rruga magjistrale Strugë-Dibër. Për ca kohë kjo komunë e vogël, kryekëput me banorë maqedonas, kishte reaguar pse shenjat e rrugës magjistrale përveç në gjuhën maqedonase dhe maqedonishten e shkruar me latinicë (duhet të jesh idiot të besosh se mbishkrimet e dyta në tabelat në Maqedoni janë anglisht siç thonë zyrtarët) ishin të shkruara edhe në gjuhën shqipe. Kjo megjithëse udhëtarët më të shpeshtë në këtë rrugë gjithsesi janë shqiptarë dhe se mbishkrimet tregojnë edhe rrugët drejt vendbanimeve shqiptare. Pas kërcënimeve të komunës se në fund të fundit mbishkrimet mund t’i heqë edhe vetë, dje tekstin në gjuhën shqipe e fshiu vetë Agjensioni Shtetëror i Rrugëve, institucion i pushtetit qendror i ngarkuar me mirëmbajtje të rrugëve nacionale dhe magjistrale të vendit.

Më problematik se vetë fshirja e mbishkrimeve në shqip në këtë rast është arsyetimi i dhënë nga komuna Vevçan dhe Agjensioni i Rrugëve dhe pohimi se një veprim i tillë ishte mbështetur në ligj. U tha se meqë bëhet fjalë për komunë ku nuk ka 20% shqiptarë, nuk ka nevojë që tabelat të jenë edhe në shqip, duke harruar se megjithatë bëhet fjalë për rrugë magjistrale dhe që fundi fundit lidh dy qendra me shumicë të madhe shqiptarësh. Sipas kësaj pra del se edhe për rrugët nacionale (magjistrale apo autostradë) kriter parësor ligjërisht duhet të jetë përbërja demografike lokale e komunës ku kalon rruga.

Pasi pushtetarët tanë edhe sot e kësaj dite nuk na e kanë bërë të qartë se ku dhe kur mund të përdorim gjuhën shqipe (përrallave se ajo është çdokund zyrtare rrallëkush më ju beson), le të supozojmë për një moment se komuna Vevçan dhe Agjensioni i Rrugëve kanë të drejtë. Atëherë parashtrohet pyetja: pse kriteri i njëjtë nuk aplikohet edhe në vendbanimet shqiptare? Pse atëherë në autostradën në hyrje të Shkupit, mes fshatrave Saraj e Kondovë, çdo mbishkrim duhet të jetë vetëm në maqedonisht? Apo në dalje të Shkupit në drejtim të Kosovës, në dalje të Kumanovës drejt Tabanovcit, në hyrjet nga autostrada në Tetovë e Gostivar? Pse nuk ka asnjë mbishkrim shqip nëpër autostradën që kalon nëpër komunat Zhelinë e Bogovinë, 100% të banuara me shqiptarë? Pse në rrugën Gostivar-Kërçovë, që kalon mespërmes fshatrave shqiptare gjithkund të zen syri shenja për ‘Debar’, por asnjëherë për ‘Dibër’? Për këto raste natyrisht na thonë se bëhet fjalë për rrugë nacionale e magjistrale, të cilat bien nën kujdesin e pushtetit qendror ku shqipja nuk është zyrtare.

Dhe pikërisht kjo, fshirja e gjuhës në Vevçan, duhet më në fund të na bëjë të qartë se cili është trajtimi zyrtar i gjuhës shqipe. Këtu është me rëndësi fakti që shenjat u hoqën në mënyrë krejt të rregullt, nga një institucion shtetëror dhe gjoja sipas ligjit. Veprimi ishte kryekëput institucional dhe mu për këtë ai tregon më së miri qasjen e pushtetit ndaj çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe. Pra në disa raste pushteti preferon të thirret në rrethanat lokale dhe respektim të vullnetit të pushtetit lokal. Në raste tjera si duket përcaktues është natyra shtetërore e autostradave dhe magjistraleve. E përbashkëta e të gjitha rasteve është dëmtimi i gjuhës shqipe dhe minimizimi i përdorimit të saj sa më tepër që është e mundur. Me një fjalë pushteti vepron në mënyrë arbitrare, pa çarë shumë kokën për ligje e kushtetutë dhe bën si t’i vijë më mirë për momentin.

Dhe kjo nuk është kështu vetëm sa ju përket tabelave të rrugëve. I gjithë statusi i gjuhës është bërë tejet arbitrar, një mishmash i definuar keq, me një morri rregullash që me siguri më nuk i kuptojnë as ata që i kanë shkruar. Kështu në parlament shqip mund të flasë deputeti, por jo ministri, përveç nëse më parë i është drejtuar dikush në shqip. Kryesuesi i parlamentit dhe komisioneve mund t’a flasë gjuhën e vet kur mba fjalë si deputet, por jo kur kryeson mbledhjen. Në shqip mund të jetë letërnjoftimi ose pasaporta, por vetëm nëse e kërkon vetë qytetari dhe vetëm aty ku shqiptarët janë mbi 20%. Nesër ndoshta do të definohet se kur mund shqipja të flitet në treg apo çarshi, paradite ose pasdite, sa herë para buke e sa herë pas buke… Dhe ç‘është më e keqja, gjuha shqipe në Maqedoni as që njihet me emrin e saj të vërtetë; ajo sot për sot është një gjuhë pa emër, e definuar çdokund si “gjuha që flasin mbi 20% e qytetarëve”.

Popullata shqiptare në Maqedoni hë për hë ka probleme shumë më të mëdha se gjuha e tabelave të rrugës ose përdorimi i gjuhës në përgjithësi. Por të paktën ajo duhet t’a dijë se cili saktësisht është statusi i gjuhës së saj, qoftë ky edhe i pavolitshëm për momentin, sepse atëherë të paktën do të dijë t’a kërkojë edhe atë pak të drejtë që i takon me ligj. Mbi të gjitha shqiptari i Maqedonisë meriton që gjuha e tij, ajo që e definon dhe dallon si kolektiv, mos të shërbejë më si objekt manipulimi nga ana e politikanëve dhe objekt talljeje nga institucionet. Dhe fundja, sado që çështja e gjuhës mos jetë prioritare, për hir të dinjitetit dhe respektit ndaj saj, duhet të qartësohet se si është e mundur që në jug të Italisë të qëndrojë një tabelë si kjo e para, ndërkohë që në rrugën Strugë-Dibër të jetë e papranueshme kjo e dyta, tanimë e fshirë.

Para fshirjes 

Pas fshirjes

Tabela e arbëreshve në Itali

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button