Dorëzohet edhe Xhindal, Senatorët dominojnë Guvernatorët

Gara republikane mbetet me 14 kandidatë, ndërsa senatorët vazhdojnë të kryesojnë ndaj guvernatorëve

Fusha e gjerë dhe fluide republikane para disa ditësh morri viktimën e rradhës, kur nga gara u tërhoq guvernatori i Luizianës, Bobi Xhindal. Ashtu si dy kandidatët tjerë para tij, Peri dhe Uoker, kampanja e Xhindal u ndesh me probleme të papërballueshme në terren dhe financiare. Pas disa muajsh fushate Xhindal nuk kishte ndonjë rezultat për të treguar në anketa. Maksimumin e arriti në shkurt të këtij viti kur regjistroi një mesatare prej 1.7%. Më pas, me hyrjen e kandidatëve tjerë në garë hapësira e veprimit të tij u ngushtua së tepërmi dhe ai nuk arriti as të hyjë në ndonjërin prej katër debateve kryesore të deritanishme. Ngecja në terren bëri që me kohë Xhindalit t’i thahen edhe fondet. Deri në datën e fundit të raportimit fushata kishte mbledhur vetëm 1.2 milionë dollarë dhe kishte harxhuar 900 mijë dollarë prej tyre.

Atraksioni i Xhindal në partinë republikane gjithsesi ishte bekgraundi i tij etnik. Djalë i imigrantëve hindusë nga Nju Orleansi, Xhindal është njëri nga fytyrat e reja të partisë republikane. Në një parti të akuzuar se është “tepër e bardhë dhe tepër e moshuar”, ai është pjesë e një gjenerate të re republikanësh që sfidojnë karakterizimin e mësipërm. Me moshë 44-vjeçare dhe prejardhje hinduse ai në këtë grupacion ju bashkangjitet politikanëve si senatorët kubanë Ted Kruz dhe Marko Rubio, guvernatores hinduse të Karolinës së Jugut Niki Hejli apo guvernatores meksikane të Nju Meksikos, Suzana Martinez. Këta politikanë të rinj dhe etnikisht divers sjellin freski në rradhët republikane, por të paktën për Xhindal duket se koha e tij akoma nuk ka ardhur.

Nga ana tjetër dështimi i Xhindal nuk përbën ndonjë befasi. Ai ka qenë dy herë kongresmen nga Luiziana dhe është në mandatin e tij të dytë si guvernator i po këtij shteti, por kohët e fundit rejtingu i tij ka rënë tej mase. Xhindal ka qeverisur si konzervativ ekstrem fiskal, ndërsa në fushatën presidenciale e kombinoi këtë ideologji me një evangjelizëm të theksuar. Me këtë kombinim tepër të përshatshëm për në Ajova, ai shpresonte të ndjekë hapat e Santorum nga viti 2012. Gjegjësisht ai planifikoi të qëndronte në garë deri në votimet e para në Ajova, të shënonte aty një rezultat të mirë dhe të merrte shtytje për vazhdimin e garës. Por në këtë fraksion republikan hapësira është tepër e ngushtë; aty janë edhe Ben Karson, Ted Kruz, Majk Hakabi, Rik Santorum, pa mos përmendur populizmin e Donald Trampit që merr vota nga të gjithë. Si rezultat Xhindal pati maksimum 6% në Ajova në një anketë të vetme, ndërsa ditën që lëshoi garën mbështetja mesatare e tij në Ajova ishte 2.0%.

Nga ana tjetër dështimi i Xhindal vazhdon rrëfenjën e një fenomeni tjetër që ndodh kohët e fundit në politikën amerikane. Për të ardhur në maje të politikës, pra për t’u bërë president, ka dy rrugë: njëra kalon nëpër Senat, tjetra nëpër guvernaturën e ndonjë shteti. Dekada me rradhë përparësinë e kanë patur guvernatorët si Karter, Regan, Klinton dhe Bush, ndërsa senatorë përndryshe të suksesshëm si Bob Dol, Xhon Keri apo Xhon Mekkejn kanë dështuar në garën presidenciale. Për këtë gjatë kohë ka mbizotëruar teoria se guvernatorët kanë përparësi automatike për presidencë, për shkak të përvojës ekzekutive që kërkohet në presidencë. Pas disa dekadash dështimesh, senatori i parë që theu monopolin e guvernatorëve ishte Obama në 2008, por edhe kjo më tepër konsiderohej si përjashtim nga rregulli.

Mirëpo këtë vit nga ana demokrate kemi kandidaturë të sigurtë të një ish-senatoreje, Hillari Klinton. Ndërsa nga ana republikane Xhindal bëhet guvernatori i tretë që lëshon garën, pas Rik Perit dhe Skot Uoker. Guvernatorë dhe ish-guvernatorë tjerë si Bush, Kristi, Pataki apo Kasiç janë nga fundi i tabelës në anketa, ndërsa përjashto autsajderët Tramp dhe Karson dhe garën e udhëheqin dy senatorë tjerë, Rubio dhe Kruz. Me gjithë befasitë tjera që sjell kjo fushatë, nuk është çudi që edhe këtë vit të triumfojnë senatorët, me çka do të përmbysnin avantazhin tradicional të guvernatorëve.

Me tërheqjen e Xhindal në garë mbesin 14 kandidatë republikanë. Realisht është çështje kohe kur përfundimisht do të tërhiqen edhe Santorum, Graham, Pataki dhe Gilmor dhe gara të reduktohet në 10 kandidatët e mbetur me gjasa diçka më reale për t’u nominuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button