Lëvizja VV!: Marrëveshjet Prishtinë- Beograd janë edhe bllokimi i librave për Luginën e Preshevës!

Janë rreth mbi 100 mijë tekste mësimore të Republikës së Kosovës për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, që janë bllokuar nga Qeveria e Serbisë, dhe këtë VV e konsideron rast sa të rëndë aq edhe të dënueshëm.

“Përderisa Serbia angazhohet për krijimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë me bekimin e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, ajo vazhdon të mbajë të bllokuar që nga 10 shtatori të këtij viti donacionin me tekste mësimore të Republikës së Kosovës, duke diskriminuar nxënësit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të cilët zhvillojnë procesin edukativo-arsimor pa tekste adekuate mësimore”, thuhet në komunikatën e dërguar nga VV.

Ata kujtojnë se të martën e kësaj jave në Bujanoc, Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq e përgënjeshtroi vetë dhe publikisht argumentimin zyrtar të deritanishëm se arsyet janë procedurale, duke deklaruar se “nuk mund të lejohen tekste me mbishkrimin e Republikës së Kosovës dhe ku Adem Jashari paraqitet si hero kombëtar shqiptar”, duke potencuar se edhe një herë Serbia vërteton se për shkak të pretendimeve të saj hegjemoniste ndaj Kosovës dhe qasjes së saj dominuese fashiste ndaj shqiptarëve, nuk ngurron që t’i shtypë të drejtat e garantuara ndërkombëtarisht të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u arsimuar edhe në gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare.

“Me politikën e saj të mosnjohjes së diplomave të Republikës së Kosovës dhe vështirësimit të procedurave së nostrifikimit dhe njohjes së diplomave të universiteteve shqiptare në Maqedoni dhe Shqipëri; Serbia ka dëbuar me vite të tëra brezin më me perspektivë shqiptar nga Lugina e Preshevës; ndërsa me moszgjidhjen e problemit të teksteve mësimore për nxënësit e ciklit të parë dhe të dytë arsimor, ajo po vazhdon politikën e saj të asimilimit kulturor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thuhet më tej nga VV.

Ata thonë se strukturat e Bashkimit Evropian do të duhej ta përfshinin si kusht në negocimin për anëtarësim të Serbisë çështjen e zgjidhjes së të drejtave kombëtare të minoriteteve, e veçmas të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si komuniteti më i shtypur në Serbi për shkak të pretendimeve politike të saj ndaj Kosovës dhe qasjes së saj armiqësore ndaj çdo gjëje shqiptare, dhe po ashtu Qeveria e Republikës së Shqipërisë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta përcaktojë si prioritet të saj sa i takon mekanizmave si Këshilli i Evropës dhe atyre të Kombeve të Bashkuara e veçanërisht si çështje kyçe kur merren në konsideratë marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Bllokimi disa mujor i teksteve mësimore të dhuruara nga Republika e Kosovës për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës dëshmon edhe më shumë se sa i dëmshëm ka qenë ky format dialogu i Brukselit i cili po thellon edhe më shumë armiqësitë, si dhe po e forcon agresivitetin e Serbisë. Lidhur me vazhdimin e diskriminimit të Serbisë ndaj arsimit shqip në Luginën e Preshevës dhe mungesën e reciprocitetit në fushën e arsimit midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi përgjegjësinë politike e ka drejtpërdrejtë Qeveria e Kosovës të cilët i kanë lënë rrugë të lirë Serbisë në agresivitetin e saj”, përfundon VV.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button