Rusi, sulmohet diplomati holandez, pa rrezik

Një diplomat i lartë në ambasadën holandeze në Moskë është rrahur në pallatin e tij, disa ditë pas zënkës që përfshiu një zyrtar rus në Hagë.

Diplomati, i identifikuar nga media ruse si Onno Elderenbosch, raportohet të jetë grindur me njerëz, të cilët u paraqitën si elektriçistë.

Ministri i Jashtëm holandez, Frans Timmermans, tha se diplomati ka pësuar lëndime të lehta. Ai shtoi se kishte thirrur për të marrë në pyetje ambasadorin rus në Holandë. Timmermans kërkoi falje gjatë javës së kaluar, pas arrestimit të një diplomati rus.

Dmitri Borodin u mbajt i arrestuar për disa orë, pas dyshimeve për keqtrajtimin e dy fëmijëve të tij të vegjël, duke detyruar presidentin Vladimir Putin të kërkonte faljen e holandezëve.

Protesta u zhvilluan jashtë ambasadës holandeze në përgjigje të arrestimit.

Pas një hetimi, minitri i Jashtëm holandez pranoi se policia kishte thyer rregullat kundrejt imunitetit diplomatik. Duke shkruar në Facebook, mbrëmjen e së martës, Timmermans tha se diplomati holandez, emrin e të cilit nuk e përmendi, ishte keqtrajtuar nga dy agresorë.

“Njerëzit tanë duhet të punojnë atje të sigurt, ndaj dhe kërkoj garanci se autoritetet ruse do të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në lidhje me këtë çështje”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button