Shqiptarët e Luginës ende të diskriminuar

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se shqiptarët në Luginën e Preshevës, edhe 15 vjet pas konfliktit të armatosur, vazhdojnë të diskriminohen nga shteti serb.

Kamberi ka thënë se Qeveria e Serbisë po injoron kërkesat e dy deputetëve shqiptarë atje sikurse po i injoron kërkesat për më shumë të drejta në Luginë.

Në 15-vjetorin e konfrontimit të parë të armatosur në fshatin Dobrosin (15 nëntor 2000), që i hapi rrugë dy muaj më pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), Kamberi ka thënë se pozita e shqiptarëve në avancimin e të drejtave shumë pak ka përparuar.

Në një intervistë për “Zërin” ai ka thënë se pas luftës falë prezencës së vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare në Luginë u realizuan disa projekte të rëndësishme për shqiptarët, megjithatë Serbia, sipas tij, nuk ka treguar gatishmërinë dhe vullnetin politik për të mundësuar integrimin e shqiptarëve në institucionet publike, nuk u ndihmua as zhvillimi ekonomik dhe si pasojë Presheva, Bujanoci e Medvegja mbeten komunat më të pazhvilluara në Serbi.

Sipas përfaqësuesit të shqiptarëve në Parlamentin serb, të drejtat në arsim, në përfaqësim në institucionet publike, në përdorim të simboleve kombëtare dhe përdorim zyrtar të gjuhës janë të drejta nga Korpusi i të Drejtave Kolektive, që po shkelen në vazhdimësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button