Kurban Bajrami, Rama jep siguri për xhaminë e re

Në ditën e Kurban Bajramit, kryeministri Edi Rama, siguron besimtarët myslimanë për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë. 

Këto deklarata, Rama i bëri sot pas vizitës së tij në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Duke iu uruar gjithë besimtarëve, myslimanë begati dhe sa më shumë harmoni në familjet e tyre, kryeministri i vendit deklaroi se për projektin e xhamisë së madhe, ai së bashku me familjen e tij, do të vendoset në radhët e donatorëve të parë për ndërtimin e tempullit të madh, siç e quajti Rama. 

 “Ishte kënaqësi që për herë të parë si kryeministër erdha këtu dhe urova gëzuar këtë ditë kaq të shënuar mikun tim Selim Muca, gjithë përfaqësuesve të lartë të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhamin e re dhe i sigurova dhe njëherë që nga një pallat me xhami do kemi një xhami pa pallat. Familjarisht do të jemi dhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli”, -deklaroi Rama. 

Më herët në mëngjes, lidhur me projektin e xhamisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se bashkia e Tiranës e kaloi sprovën për xhaminë duke i nisur punimet, por ka pasur një vendim, i cili ka ndaluar punimet për xhaminë. Basha shtoi se çështja tashmë mbetet midis Komunitetit Mysliman dhe qeverisë së re.  

Lajme të ngjashme

Back to top button