Panariti, “kërcënon” se do të bllokojë produktet bujqësore të Maqedonisë

Shqipëria tashmë ka reaguar te Bashkimi Evropian për bllokimin e produkteve të tyre në Qafë Thanë nga dogana e republikës së Maqedonisë. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në Shqipëri, Edmond Panariti, tha që nëse nuk gjendet një zgjidhje mes dy vendeve, hapi i fundit mund të jetë reagimi i njëjtë nga ana e tyre.

“Ajo që bën për fat të keq shteti Maqedonas është një diçka penalizuese, për të cilën unë kam filluar procedurat e ankimimit në CEFTA (Central European Free Trade Agreament) dhe në Bashkimin Evropian. Thjesht këtu kemi të bëjmë me pengesa për qëllime të pengimit të konkurrencës së lirë që marrin formën e një lufte tregtare. Unë këto ja kam bërë të ditur autoriteteve maqedonase dhe deri tani nuk kam pasur ndonjë reagim adekuat.” – thotë Panariti duke shtuar se kjo që ju ndodh me Maqedoninë nuk ju ndodh me asnjë vend tjetër dhe madje as me vendet anëtare të Bashkimit Evropian meqë eksportojnë në Gjermani, në Bullgari, në Rumani etj. Panariti gjithashtu mendon se nuk është zgjidhje e duhur që këtij akti t’i përgjigjen në mënyrë të njëjtë se do të fillonte një klimë e tensionuar raportesh por hapi i parë ku do të drejtohen sipas tij është Brukseli dhe e dyta CEFTA.

“Pastaj do të kërkojmë që ky të jetë një diskutim në nivel të lartë. Nëse do të vazhdohet edhe më tej, sigurisht ne do t’i japim vetes të drejtën për të kaluar në masa simetrike por këto do të jenë hapi i fundit. – thotë Panariti.

Besir Jashari, sekretar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, për Portalb thotë se “Nuk bëhet fjalë për bllokada por bëhet fjalë për kontrolle. Bëhen analiza laboratorike dhe të cilësisë, dhe po qese janë në rregull lëshohen kurse nëse nuk janë në rregull kthehen mbrapsht. Nuk kam informacione për deklaratën e Ministrit të Bujqësisë në Shqipëri prandaj nuk mund ta komentoj këtë. Unë tregoj për në Maqedoni dhe jo për në Shqipëri.” – thotë Besiri.

Mediat e Shqipërisë raportojnë se deri tani ka pasur disa raste të bllokimit të produkteve bujqësore shqiptare në kufirin e Maqedonisë dhe rasti i fundit ishte para disa ditësh ku automjetet me produkte bujqësore qëndruan për disa ditë në doganë me arsyetimin për kontrolle më të detajuara.

Këto deklarata, Panariti i ka dhënë për “Top Channel” dhe emisionin “Wake up”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button