Evropa e rrezikuar nga polio prej Sirisë

Dy epidemiologë kanë thënë se rreziku i përhapjes së polios në Evropë është i padukshëm, por i vërtetë. Ata kanë paralajmëruar se Evropa është e pambrojtur nga sëmundja ngjitëse.

Paraqitja e poliomielitit në Siri përbën rrezik për Evropën, ku sëmundja e rëndë dhe potencialisht fatale është shpallur e zhdukur më 2002, kanë paralajmëruar mjekët, të premten.

Evropa është e pambrojtur nga sëmundja, sepse disa vende kanë shkallë të ulëta të vaksinimit, gjë që zvogëlon “imunitetin e tufës”, apo mbrojtjen nga vaksinimi në mbarë komunitetin, kanë paralajmëruar dy epidemiologë gjermanë në revistën e përjavshme mjekësore “The Lancet”.

Përveç kësaj, shumica e vendeve përdorin një lloj të quajtur vaksinë e çaktivizuar e polios (IPV), e cila është më pak efektive kundër virusit sesa një vaksinë orale, prodhimi i së cilës tashmë është ndërprerë për shkak se ajo shkakton raste të rralla të paralizës, kanë tërhequr vërejtjen ata.

Të paktën 10 raste të polios janë konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në Siri, ku vaksinimi është pamundësuar nga lufta mbi dyvjeçare e gjysmë civile. Virusi i polios është gjetur edhe në Izrael në teste të zakonshme në ujëra të zeza, nga njerëzit që e kishin virusin, por nuk ishin prekur nga sëmundja, duke nxitur vendin të nisë një fushatë emergjente vaksinimi.

Në shkrimin e tyre në “The Lancet”, Martin Eichner nga Universiteti i Tybingenit dhe Stefan Brockmann, një zyrtar rajonal i shëndetësisë në Rojtlingen, kanë thënë se rreziku i përhapjes së polios në Evropë është i padukshëm, por i vërtetë. Nga 200 njerëz të infektuar me virusin e polios, vetëm një preket nga simptomat klasike të sëmundjes, që quhet paralizë akute, sipas tyre.

“Në rajonet me shkallë të ulëta të vaksinimit (për shembull, në Bosnjë dhe Hercegovinë, 87 për qind, apo Ukrainë, 74 për qind), veçanërisht në ato me shkallë të ulëta të vaksinimit me vaksinën e çaktivizuar të poliomielitit (për shembull, në Austria, 83 për qind, imuniteti i tufës mund të jetë i pamjaftueshëm për të parandaluar përhapjen e vazhdueshme”, thuhet në shkrimin e mjekëve.

Përveç vaksinimit të refugjatëve sirianë, duhet të shqyrtohen “masa më gjithëpërfshirëse”, kanë thënë mjekët. “Kontrollimi i zakonshëm ujërave të zeza për poliovirusin nuk është bërë në shumicën e vendeve evropiane, por kjo masë e intensifikuar e vëzhgimit duhet të shqyrtohet për qendrat me masa të mëdha të refugjatëve sirianë”, thuhet në shkrimin e tyre në “The Lancet”.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button