“I pari i fisit” dhe media klienteliste

Në një takim të rastësishëm që pata me një redaktore të një televizioni në Maqedoni, në bisedë e sipër më pyeti pse nuk bëhem pjesë e stafit të atij televizioni. I thash se nuk kam librezë partiake, por këtë e bëra qëllimisht duke menduar se ajo do më thotë s’ka ç’të duhet libreza. Por, zonja m’u përgjigj: “Oh, po duhet të keshë të paktën ndonjë rekomandim nga këto të partisë, pse nuk gjen dikë?”…

Enver Hoxha e sundoi vendin duke e izoluar dhe monitoruar në çdo cep të tij. Kjo është një mënyrë e dëshmuar për të mbajtur pushtetin. Por le t’kalojmë në realitetin tonë demokratik. Pas përfundimit të kësaj fjalie, u mendova si do kaloj në realitetin demokratik dhe çfarë do them ndryshe?! Me thënë të drejtën gjendja është shumë shqetësuaese në çdo pikëpamje që t’a marrësh, por për mendimin tim, më e tmerrshmja nga e gjithë kjo, është kur nuk mund të flasësh për të njejtën gjendje. Pra kur mbyllet goja dhunshëm, kur mbytet mendimi ende pa lindur, kur instalon monitorim mbi mediat dhe kur mediat janë të pajtuara me këtë, atëherë demokracisë mund t’ia lexojmë referatin e lamtumirës.

Ky vend i vogël i tregon plagët edhe nëse janë të freskëta, e le më kur ato zgjerohen dhe bëhen bashkëmoshatare të stërgjyshërve tanë! Kjo i konvenon dikujt, qoftë atij/asaj nga pala politike, qoftë nga ajo mediatike, sepse është bërë vështirë të bësh edhe ndarjen e këtyre dyjave, por dua të them se dikush bëhet milioner nga ky kooperim i shkëlqyer, në kohën kur pjesa tjetër e popullit vuan urie, apo nuk arrin të paguaj faturat e rrymës, se edhe kjo rryma na dogji qe besa! Tani kë gënjejnë këta, popullin? Po më shumë se gjysma e popullit është me mesatare më të lartë intelegjence sesa eprorët politik. Kë gënjejnë këta se duam t’a dimë?! Atëherë pse nuk reagon njeri për këtë? Nuk reagon sepse ka kohë që është mbjellur frikë në këtë vend, ushtrohet dhunë psikologjike që është shumë më e rëndë sesa ajo fizike, i shqetësojnë me telefonata kërcënuese, i largojnë nga puna ose nëse nuk janë ende të punësuar i privojnë nga fati për të pasur punë ndonjëherë, i shohin shtrembër në rrugë, i kanë në shënjestër, i quajnë tradhëtarë, kanë urrejtje ndaj tyre, e kështu me radhë. Ja pse nuk reagon njeri! Kush mund të thotë se diploma është më e vlefshme se libreza partiake? Po duhet të jeshë i verbër që të bësh këtë krahasim. Po kush çan kokën për diplomën tënde edhe nëse ke dhënë parat e fundit për t’a marrë, po kush do t’ia di për meritokraci?! I keni vënë re këto konkurset e qeverisë kur dalin me ato kërkesat galopante dhe me kritere strikte, që të japin ndjesinë se ky është një shtet serioz se jo mahi. Pastaj kur

sheh listën e të pranuarve (nëse e publikojnë), del se të gjithë janë pranuar, përveç atyre që i plotësojnë kushtet! Të mos flasim për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Me të drejtë autori dhe gazetari i njohur gjerman Norbert Mappes-Niediek, i cili ishte reporter në tre luftrat e fundit të Ballkanit, thotë se shtetet e kësaj pjese janë vende të dominimit të bandave kriminele. Çështjen e bandave dhe shtetit të kapur do e lejmë për një herë tjetër. Le të kthehemi te mediat tona. Për të vënë në pah ngulfatjen e mendimit të lirë, do të hiqja një vijë paralele (aq sa mund të paralelizohet) në mes mediave në Shqipëri dhe këtyre në Maqedoni. Kryeministri i sapozgjedhur shqiptar ishte i ftuar te “Opinioni” i Fevziut. Pavarësiht rastit që ndodhi, Rama, në mënyrë metaforike dhe pa tendencën e plotkuptimit të fjalës, i thotë gazetarit përballë që do ia mbyllë gojën. Ndërsa ky i fundit menjëherë e ndërpret duke i thënë: “Çështja e gojës time nuk është problem kaq i thjeshtë për t’u mbyllur”! Çfarë shoh unë këtu? Kjo fjalë aludon në fuqinë e një mediumi apo edhe një gazetari të vetëm, që t’ia kthejë fjalën dhe të ngrejë zërin ndaj çdo politikani, po qoftë ai edhe vetë kryeministri. Dikush mund të thotë po Klani është blu prandaj. Në rregull po marrim edhe Top Channel-in. Këto ditë, stafi i emisionit “Fiks Fare” investigoi dhe publikoi skandalin e blerjes së votave në Korçë nga ana e partisë qeverisëse në Shqipëri, duke filmuar studentë anonimë të cilëve u jepej nga dy mijë lekë për votë. Qoftë edhe nëse presupozojmë se kanali i transmetimit televiziv të këtij emisioni është palë e partisë në pushtet, përsëri reflekton ekzistencen e një farë sovraniteti mediatik, dëshmon për klimën e përshtatshme të veprimit, stimulon zhvillimin e gazetarisë hulumtuese, pasqyron guximin e njerëzve të medias për t’iu kundërvënë çdo shkeljeje ligjore, po edhe nëse këtë e bën vetë shteti. Nuk jam duke e lëvduar Shqipërinë se edhe ajo ka probleme serioze (mjafton vetëm Lazarati për t’u ngritur shumë dyshime njëherazi), por po bëjmë analogjinë. Ndërkaq, mediat në Maqedoni, qofshin ato maqedonase, shqiptare apo mikse, as që mund të imagjinojnë një veprimtari të denjë gazetareske pa mos iu referuar apo konsultuar Babain e familjes, njejtë si në grupet e mafias italiane. Nuk e them ballkanase sepse për atë jam duke folur gjithë kohën. Kryeminstrin e Maqedonisë nuk do t’a marr për analizë, sepse tek ai dihet më, kush guxon të flasë kundër tij, ka marrë fund (kujto Tv A1)! Nga ana tjetër, lideri ynë nuk ka përgjigje për fëmijët e rrahur në rrugët e Shkupit, nuk ka njohuri për ekzistimin e kontrollit ndaj medias, nuk ka ndonjë impresion apo gjykim konkret për qasjen e Presidentit të shtetit ndaj shqiptarëve e kështu me radhë. Dhe të gjitha këto i tha ose nuk i tha në një emision të vetëm në Alsat M. Por absurdi nuk përfundon këtu, sepse mediat tona të trembura, në vend që në titujt e tyre të lajmeve të vendosin njërin nga këto probleme që përmenda, ata si me u marrë vesh, të gjitha vendosën një titull tjetër shumë më pak të rëndësishëm. Këtu vërehet edhe amaterizmi i këtyre televizioneve dhe gazetave, se po dalim në çështje tjera pastaj…

Flasim për eurointegrimin por punojmë kundër këtij procesi. Sa herë që na dorëzohet raporti nga Komisioni Evropian, i gjejmë të njejtat shqetësime të tyre për këtë vend çudirash, e ndër to, asnjëherë nuk lihet anësh porosia dhe vërejtja që i bëhet qeverisë për pavarësinë e mediave. Por kujt i intereson kjo?!

Nuk ka gjë më të shëmtuar për një shtet sesa të ketë kritikun e vetëm opozitën. Dihet dhe është normale që opozita ka për detyrë të kritikojë maxhorancën, por sa do që të përpiqet, opozita është subjektive në këtë aspekt, sepse ka interesin e vet. Ndërkaq, kur një shtet do lejojë që media të bëjë arbitrin dhe t’i shohë gjërat në mënyrë objektive, të balancuar, të ekuilibruar dhe pa emocione, atëherë mund të flasim për zhvillimin e mendimit kritik dhe media profesionale.

Lajme të ngjashme

Back to top button