I zihet fryma lagjes së mbipopulluar në komunën Çair, ende po ndërtohet!

Banorët e komunës së Çairit, gjegjësisht ata që jetojnë në lagjen Serovë ankohen lidhur me infrastrukturën që po shkatërron këtë lagje.

Ata thonë se duke shtuar ndërtime dhe duke ndërtuar banesa, rrugët po shkojnë duke u ngushtuar dhe kështu krijohet edhe vështirësi për qarkullim.

“Ja e shikoni edhe vetë se si janë bërë rrugët, mezi një makinë që kalon kurse e gjithë lagjja ka makina. Madje edhe ende po ndërtohen shtëpi të reja dhe banesa të cilat gjithashtu do të vështirësojnë qarkullimin në këtë lagje. Ku do të bëhet parkim? Nuk ka vend askund, gjitha hapësirat janë mbushur me ndërtime”, tha për Portalb, Sefedin I., banor.

Lagjja Serovë
Lagjja Serovë

Kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj lagje ankohen, por që ankesat e tyre hasin në vesh të shurdhër.

“Prej juve po dëgjojmë që në vendin ku ishte Higjiena komunale do të ndërtohen objekte banesore. Kjo është e tmerrshme këtu jetojmë askush nuk na pyet asgjë. Nuk pyesim për çfarë kemi nevojë. Në gjithë lagje s’ka asnjë vend të gjelbër ku fëmijët mund të lozin. Të gjithë luajnë në rrugë madje rrezikohen edhe nga makinat pasi në këto rrugë nuk ka as vend për këmbësorët”, tha Naile T., banore.

Nga komuna e Çairit thonë se nga ndërtimet ka edhe nga ato që nuk janë të pajisura me leje mirëpo që nuk do të mund të bëhet asgjë deri në përfundimit të procesit të legalizimit i cili do të zgjasë deri në vitin 2016.

“Ka shtëpi dhe objekte që janë ndërtuar pa leje mirëpo ne do të shqyrtojmë gjitha kërkesat që janë bërë për legalizim dhe më pas do të ndërmarrim vendime. Mirëpo duhet të presim deri në fund të procesit të legalizimit i cili zgjat deri në vitin 2016”, tha Rami Qerimi nga Komuna e Çairit.

Lagjja Serovë
Lagjja Serovë

Shiu gjithmonë mbush rrugët me ujë

Banorët e kësaj lagjeje gjithashtu ankohen edhe për kanalizimin pasi që gjithmonë pasi të bjerë shi,  rrugët e kësaj lagjeje shndërrohen në lumenj të vegjël.

“Ka pasur mjaft ankesa për kanalizimin, ujë nuk shkon askund ngelet në rrugë duke bllokuar gjithë lagjen madje edhe nëpër shtëpi hyn ndonjëherë, nëse nuk intervenojnë familjarët me kova dhe gjëra të ngjashme për të hequr ujin”, thonë banorët.

Nga komuna e Çairit, Rami Qerimi kohë më parë tha se shkaku për mbledhjen e ujit është vjetërsimi i kanalizimit si dhe shtimi i popullatës në këtë lagje.

“Kanalizimi në Seravë duhet të zgjerohet sepse është i vjetër. Kjo lagje kohëve të fundit është shtuar dhe dukshëm është rritur numri i shtëpive të reja si dhe ndërtesave dhe për këtë arsye kanalizimi nuk mund ta përballojë. Ne kemi projekt dhe së shpejti do të rregullohet kjo çështje”, tha për Portalb Qerimi.

Mirëpo deri më tani asgjë nuk është ndërmarrë, dhe në këtë lagje vazhdojnë ndërtimet, madje edhe njoftohet se edhe në vendin e ish higjienës komunale do të ndërtohet kompleks banesash.

Fëmijët duke lozur në themele të hapura
Fëmijët duke lozur në themele të hapura

Plani urbanistik sipas interesit politik

Kurse kohë më parë, arkitektit Selman Imeri i pyetur nga Portalb lidhur më planin urbanistik në zona shqiptare, ai tha se për këtë gjendje fajet i kanë personat në krye të cilët përfitojnë politikisht.

“Është fakt që në të gjitha zonat shqiptare, plani urbanistik është i tmerrshëm, madje ai nuk ekziston fare, nuk ka as urbanist shqiptarë. Këtë problem mund ta zgjidhin vetëm komuna nëpërmjet planeve urbanistike, por ja që ato nuk lodhen fare dhe politikanët  sipas qejfit të tyre i rregullojnë planet. Në zonat shqiptare ka mungesë të parkingjeve, mungesë të zonave të gjelbra si dhe të rrugëve të gjëra”, tha për Portalb, Imeri./ Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button