(VIDEO) Hoxhë dr. Shefqet Krasniqi mbron Lutfi Hazirin

Shefqet Krasniqi, Imam i Xhamisë së Madhe të Prishtinës ka dalë në mbrojtje të Lutfi Hazirit, ndërsa e ka quajtur dëshpëruese deklaratën e Ministrisë së Arsimit. Ai përmes një reagimi ka thënë se Haziri ka dalë në mbrojtje të së drejtës. 

“Ai ka bërë interpretimin më të mirë të kushtetutës, e cila garanton të drejtat dhe se udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë, vështruar nga ky aspekt, është i padrejtë dhe në kundërshtim me kushtetutën. Kjo duhet të jetë transparenca dhe sjellja qytetare e politikanëve tanë. Kjo është ajo që kërkojmë”, thotë Krasniqi në reagim.

“Por, ndërkohë që po shkruaja këto fjalë, lexova një reagim nga Ministria e Arsimit, e cila konfirmon udhëzimin famëkeq në fjalë dhe ia tërheq vërejtjen Lutfi Hazirit se në rast të ardhjes në krye të Gjilanit duhet ta respektojë atë. Unë nuk dëshiroj që kjo çështje të politizohet. Unë po shpreh një admirimin timin për Lutfi Hazirin për shkak të një qëndrimi që duhet ta kenë të gjithë. Konsideroj se kjo deklaratë nga Ministria e Arsimit është dëshpëruese. Me këtë sikur po konfirmohet vullneti për të mos garantuar këtë të drejtë në mënyrë institucionale”, ka kundërshtuar kah ana tjetër deklaratat e Ministrisë së Arsimit.

“Evropiane të reja nuk janë vetëm ato që dinë të ecin gjysmëlakuriq, e pa shije madje edhe në salla sportive, pa protokoll dhe pa stil të veshjes, por edhe ato që ndjekin një kod të caktuar pasi që me dëshirë kanë përcaktuar stilin vet të veshjes, sjelljes dhe jetesës. Uroj që Ministria të tërheq këtë deklaratë dhe të përmirësoj gabimin që iu ka kushtua me edukim disa vajzave tona”, përfundon reagimi. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button