Ky është uji!

Po e nis me historinë e dy peshqve të rinj që janë duke notuar teksa e takojnë një peshk më në moshë i cili i pyet: “Djema si është uji sot?” dhe peshqit e vegjël vazhdojnë notojnë edhe për ca derisa njëri prej tyre i drejtohet tjetrit: “Cka dreqin është uji?”. Këtë histori ma përmendën shpeshherë motra ime, në kontekste të ndryshme duke iu referuar ligjeratës së David Foster Wallace përpara studentëve të tij. Konteksti i autorit është që shumica jonë nuk është e vetëdijshme për realitetin në të cilin jeton. Njejtë si ato dy peshqit e rinj, që megjithëse jetojnë në realitetin e ujit, nuk e dijnë cka ËSHTË uji. Të zhytur në monotoninë stresuese të jetës, bëjmë jetë banale.

Në këtë mënyrë realitetin e perceptojmë si banal dhe monoton, duke mos i përkushtuar vëmendje aspak “ujit”, asaj që na rrethon, jetës. Harrojmë vetveten dhe kyçemi si pa dashje në haosin që e kemi përreth, të krijuar nga njerëz që poashtu janë të zhytur në monotoni dhe banalitet. Është pikërisht ky banalitet i cili na bën të prirur të udhëhiqemi nga ide dhe nga njerëz të cilët nuk i kemi perceptuar si pjesë të realitetit tonë të vërtetë, por të cilët në mënyrë stihike bëhen pjesë e ndërgjegjes tonë banale dhe monotone. Duhet forcë e madhe e vullnetit personal për të kuptuar që jeta ime është pikërisht ajo: jeta ime; që realiteti im është realiteti të cilin e krijoj unë vetë. Në bazë të zgjedhjeve të mia individuale. Jo në bazë të ideologjisë së turmës, të shumicës, të ideve kolektive që nuk kanë për qëllim përmirësimin e mirëqenies time si individ, por të mirëqenies së atyre të cilët janë pronarë të atyre ideve.

Përtej individit, edhe popujt vuajnë po nga i njejti sindrom i mosperceptimit, apo edhe i refuzimit të perceptimit dhe krijimit të realitetit. Popuj banalë dhe monotonë, të prirur për të notuar në realitetin e tjerëve; pikërisht sic është populli shqiptar. Një popull i cili historikisht e ka patur më të lehtë të qeverisë nën gëzhojën e një populli tjetër më të madh i cili e ka sunduar, sesa që ka qenë i gatshëm të krijojë realitetin e vet në të cilin të ndjehet mirë dhe i plotësuar.

Ky është një sindrom të cilin ne e kemi trashëguar brez pas brezi, dhe vazhdojmë ta kultivojmë. Sikur jemi të trembur nga pavarësia; sepse ajo sjell obligimin dhe detyrimin për të menduar për vetveten. Jemi të prirur që të presim të tjerët të na i zgjidhin problemet që i kemi në shtëpinë tonë, zhytemi në haosin e asaj që na rrethon dhe harrojmë më të rëndësishmen: veten tonë, interesat tona si komb. Mendoj që arsyeja qëndron në dembellëkun tonë intelektuar përsa i përket zhvillimit dhe krijimit të realitetit tonë, të pranimit të vetes tonë, të punës për të përmirësuar veten dhe mirëqenien tonë si popull.

Duke mos punuar për vetveten dhe me vetveten, zhytemi gjithnjë e më shumë në defetizma dhe fatalizma shpeshherë abstrakte. Humbemi në banalitetin tonë të mendimit gri. Mbytemi nga dembellëku intelektual për të krijuar projekte dhe për të pranuar proceset, shpeshherë duke u përshpejtuar dhe gabuar në vendimet të cilat i marrim si popull.

*(Me popull nënkuptoj ata që i zgjedhim të na përfaqësojnë: Si populli ashtu edhe liderët). Ajo që duhet të bëjmë është t’i kthehemi vetvetes, vlerave tona dhe potencialit tonë për t’u bërë faktor i vërtetë në rajonin në të cilin jetojmë dhe veprojmë, të mendojmë në të mirën tonë si popull (ose personale nëse nëpërmjet fjalës “popull” e gjeneralizoj individualen). Në këtë mënyrë do të hapim dyer të cilat nuk e kemi ditur që ekzistojnë, realitete për të cilat nuk jemi të vetëdijshëm. Do ta pranojmë që “ky është uji, dhe uji sot është i qetë dhe i ëmbël”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button