fbpx

Duhet vullnet apo fuqi politike për zyrtarizmin e gjuhës shqipe?

“Përdorimi i gjuhës shqipe duhet rregulluar me ligj”, është fjalia më e shpeshtë që mund ta dëgjoni nga politikanët shqiptarë të Maqedonisë. Së fundi për të njëjtën na rikujtoi zv/kryeministri Musa Xhaferi.

Avancimi i gjuhës ka mbizotëruar si temë edhe gjatë fushatave zgjedhore.

“Po hyjmë në një mandat tepër të rëndësishme politike dhe strategjike, siç është anëtarësimi në NATO, BE, avancimi i mëtejshëm i gjuhës shqipe, si do e përmbyllim kapitullin e gjuhës shqipe, sepse sipas MO dhe Kushtetutës, shqipja është gjuhë zyrtare në gjithë Republikën por deri tani, hap pas hapi kemi shkuar, dhe nuk e kemi mbyllur si kapitull”, ishte shprehur numri një i Bashkimit Demokratik për Integrim në prillin e vitit të kaluar.

Ndoshta Ali Ahmeti ka harruar se më 2012 në një takim me ministrat e jashtëm, aso kohe, të Austrisë dhe Sllovakisë, Mihael Shpindeleger dhe Mirosllav Lajçak, pat thënë se gjuha shqipe do të zyrtarizohet plotësisht pas vitit 2015.

Tani jemi në fund të vitit 2015. Dhe jemi në pozicionin e njëjtë. Kuadri i BDI-së, zv/kryeministri Musa Xhaferi thekson se nuk ka vullnet politik.

Kudo nëpër institucione mund ta vërejmë mungesën e gjuhës shqipe, mbishkrimet nëpër institucione janë kryesisht në gjuhën maqedone, duke përfshirë këtu edhe ueb faqet e ministrive.

Funksionarët e shqiptarë mospasjen e fuqisë për ta aplikuar gjuhën shqipe dhe për t’i sanksionuar shkelësit, ndërruan retorikën dhe tani pafuqinë e tyre e emërojnë si mosvullnet nga të tjerët.

Në lidhje më problematikën në fjalë, redaksia jonë ka tentuar të marrë qëndrimin e zv/kryeministrit Xhaferi, por ky i fundit ka qenë i pakapshëm.

Pushteti mendon se dygjuhësia do t’i hutojë qytetarët

Futja e gjuhës shqipe në Ligjin për administratë shtetërore si obligim për drejtorët e ardhshëm apo bartësit e posteve të tjera udhëheqëse shkakton probleme dhe huti tek qytetarët. Kështu ishte përgjigjur ish ministri i Administratës publike dhe shoqërisë informative, Ivo Ivanovski, gjatë refuzimit të një amendamenti të Partisë Demokratike Shqiptare në debatin e Komisionit parlamentar për sistem politik.

Nga ana tjetër në Kushtetutën e Maqedonisë me anë të nenit 7 është e rregulluar çështja e gjuhëve.

“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, siç është përcaktuar me këtë nen. Dokumentet personale të shtetasve të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe shkrimin e saj në pajtim me ligjin. Cilido shtetas i cili jeton në njësinë e vetadministrimit lokal në të cilën së paku 20% e shtetasve flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund të përdor cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetadministrimit lokal përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi. Çdo shtetas në komunikim me ministritë mund të përdor një nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi.”

Fakt ky që le të nënkupton se nuk duhet vullnet, por fuqi politike për ta aplikuar nenin.  Institucionet kompetente që nuk e respektojnë gjuhën shqipe duhet të sanksionohen.

“Përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë natyrale që u takon shqiptarëve. është e drejt që e garanton Marrëveshja e Ohrit, por është e drejt që e garanton edhe Kushtetuta. Gjithsesi se ne si forcë politike duhet t’i përdorim të gjitha opsionet që gjuha shqipe të përdoret në gjithë Maqedoninë konform standardeve që i garanton Kushtetuta”, tha për Portalb Rafis Aliti, nënkryetar i parlamentit.

I pyetur nga Portalb se a bëhet fjalë për pafuqi të BDI-së për përdorimin e plotë të shqipes, Aliti përgjigjet:

“Jo, nuk them se është pafuqi e BDI-së, ishte një strategji nga BDI që prioritet tu jepet eurointegrimeve. Edhe lideri Ahmeti, në këtë drejtim, ka qenë i qartë në këtë drejtim, se çështja e gjuhës do të hapet në një të ardhme shumë të afërt këtu në Republikën e Maqedonisë pasi që është gjë që ju garantohet me ndryshimet kushtetuese që u bënë në vitin 2002”, përfundoi Aliti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button