Moska në konflikt me Reuters-in: a jeni vërtet gazetarë?

Pyetja e mësipërme u është bërë korrespondentëve të agjencisë së lajmeve Reuters në Moskë, që janë diku te 50 në numër, nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Reuters do të publikonte një raport ekskluziv tre ditë më parë, ku pretendohej se agjencia kishte shtënë në dorë një draft të një plani rus për një proces prej 18 muajsh të reformës kushtetuese në Siri, në kuadër të kërkimit të një zgjidhjeje të konfliktit sirian, e të përgatitur për bisedimet shumëpalëshe të kësaj jave.

Moska e ka dënuar veprimin e Reuters-it, që ka zgjedhur të publikojë një raport “ekskluziv”, që, sipas saj, ka shpërfillur një deklaratë të hollësishme nga Ministria e Jashtme ruse në favor të një narrative të paracaktuar nga një “dokument draft” që vinte nga burime anonime, shkruhet në faqen elektronike të RT-së.

Agjencia e lajmeve, sipas Russian Today, do të kërkonte një koment nga Ministria e Jashtme ruse në lidhje me këtë draft, i cili iu dha, por që ajo zgjodhi ta shpërfillte e të mos e paraqiste në raportimin e vet.

“Agjencia e [lajmeve] kontaktoi vërtet me ne para shkrimit të këtij informacioni,” shpjegoi dje para gazetarëve zëdhënësja Maria Zakharova. Ajo sqaron më tej, “Korrespondentët e Moskës [të Reuters-it] kanë marrë komente të gjera se ky informacion nuk përkon me realitetin.”

Ministria e Jashtme ruse i pohoi Reuters-it se Moska është në kontakt dhe në konsultim me partnerët, por theksoi se nuk kishte “sigurisht” asnjë dokument të tillë në qarkullim, ka hedhur më tej dritë mbi ngjarjen zëdhënësja ruse.

Siç thotë ajo, Ministria e Jashtme ruse kishte këmbëngulur që agjencia e lajmeve Reuters ta përfshinte në raportimin e vet deklaratën zyrtare të Rusisë, gjë që u bë vetëm katër orë pas daljes së versionit fillestar: “Siç mund ta kuptoni, askush nuk i kushtoi rëndësi, sepse sensancioni ndërkombëtar kishte marrë dhenë tashmë.”

“Kam një pyetje legjitime për agjencinë e lajmeve Reuters, e cila përfaqësohet në Moskë nga rreth 50 korrespondentë: a jeni vërtet gazetarë?”, do të thoshte Maria Zakharova. “Nëse nuk po punoni dhe [nuk po mbuloni] komentet e Moskës, nëse gjithçka po shkruhet për ju në Londër, çfarë po bëni në Moskë në numër të tillë?”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button