Mospranimi në UNESCO, e keqja më e vogël për Kosovën!

Mospranimin e Kosovës në UNESCO, dikush e quajti lajm të keq, kush tjetër e vlerësoi si humbje, përderisa qeveritarët votimin nga 92 (prej 110 shteteve sa na kanë njohur) shtete e vlerësuan si “sukses” të Kosovës!

Janë dy aspekte që nxitën optimizmin e kosovarëve për pranim të Kosovës në Agjencionin për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara; në njërën anë arritja e deritanishme e sukseseve të Serbisë në dialogun e Brukseit dhe e dyta, miqësia me serbët e “kryeministrit” Isa Mustafa, kryediplomatit Hashim Thaçi,  “përkushtimi” i Ministrit të Integrimit Evropian, zotit Bekim Qollaku për antarësim në UNESCO e deri tek dashuria e zv. Ministrit të jashtëm z. Petrit Selimi me Ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiq!

Në fakt, mospranimi në UNESCO ndodhi shkaku i ambicieve të sëmura të Serbisë ndaj Kosovës (synon ripushtimin), konstalacionit të forcave ndërkombëtare dhe ndikimit të fuqishëm të Rusisë ndaj shteteve islamike.

Si do që të jetë, ishte ky një testim shumë i rendësishëm i pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe verifikim i shteteve mike të Kosovës.

S’ka dyshim, pranimi do të ishte një hap përpara, por jo edhe aq i rëndësishëm sa i përket gjendjes politike dhe socio-ekonomike të vendit.

Pranimi në UNESCO nuk do t’na e zgjidhte bllokadën në kuvend dhe as krizën institucionale, nuk do t’na përmirësonte situatën e vështirë socio-ekonomike, nuk do t’na e përmirësonte sistemin shëndetësor, arsimin, kulturën e aq më pak sistemin e degraduar të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Sa i përket trashëgimisë sonë kulturore, me ose pa UNESCO-n duhet të kujdeset vet popullata shqiptare, në mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave historike të saj…ndërsa trashëgiminë serbe, përveq institucioneve të Kosovës e mbrojnë KFOR-i dhe EULEX-i bashk me serbët lokal.

Mospranimi duhet të jetë shqetësim për skenën politike kosovare dhe vetëdijësim dhe ndergjegjësim i popullatës shqiptare në Kosovë.

Lënja edhe më tutje e fatit të Kosovës në duart e një klase të korruptuar dhe shantazhuar politike do të jetë rrezik akoma më i madhë për vendin. Ngase Serbia nuk do të ndalet me kaq, invazioni politik i saj kundër Kosovës vazhdon tutje përmes aleatëve të saj vendor dhe ndërkombëtar.

Fajtorin për mospranim nuk duhet ta kërkojmë jashta Kosovës. Fajtor jemi ne, dhe jo shtetet që abstenuan apo votuan kundër Kosovës në UNESCO.

Në njërën anë deklarohemi se jemi të pavarur, ndërsa në tjetrën e negociojmë pavarësinë me pushtuesin tonë,…në njërën anë thirremi në sovranitetin e vendit, ndërsa në tjetrën nuk e kontrollojmë rreth 25 % të territorit të vendit!

Problemi i thelbësor i vendi tonë, në radhë të parë janë politikanët e korruptuar dhe shantazhuar, pastaj të gjithë qytetarët, kush më pak e kush më shumë.

Në vend të garës për të dhënë gjithçka për vendin, përpos garës së politikanëve për pasurim nga shteti, garojmë të gjithë për të përfituar sa më shumë nga gjysëm shteti.

Këtë që e themë në mënyrën më besnike e vërteton gara e “çlirimtarëve” për marrjen e statusit të veteranit përmes lidhjeve korruptive, familjarizmit dhe nepotizmit,…duke injoruar beteja të lavdishme dhe qindra luftëtar të vërtetë të lirisë sonë.

Harresa e qëllimshme e veriut të pushtuar nga “çlirimtarët” dhe fillimi i dialogut me pushtuesit verior nga të njëjtit, paraqet dështimin më fatal në shtetbërjen e Kosovës.

Pas dështimit për pranim në UNESCO, nuk mjafton të thuhet nga kryediplomati Thaçi; fajet i ka opzita, ky apo ai lider partiak,…ky apo ai shtet që nuk na mbështeti me votë në Paris. Llogaria e dështimit bie drejtëpërdrejt mbi qeverinë aktuale (paraprake) të Kosovës. Pa qenë të sigurtë në votat e të gjitha shteteve (mike) që kanë njohur shtetësinë tonë, as që ishte dasht të bëhej kërkesa për antarsim në UNESCO.

Pas këtij dështimi, duhet të ndërpriten negociatet me Serbinë, të anulohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, të shfuqizohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës dy marrëveshjet fatkeqe të Brukselit; ajo e 19 prillit 2013 dhe dhe e 25 gushtit 2015 në Bruksel mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe,…vënja e reciprocitetit tregtar e deri të  bllokimi i mallrave serbe.

Nëse vërtetë, Qeveria nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, është mirë të dorëhiqet urgjentisht, në të kundërtën do të përballet me protesta të fuqishme gjithëpopullore,…do ta harrojnë bllokadën dhe gazin lotësjellës në parlament me çka mund të përballen jashta dyerëve të kuvendit nga qytetarët e vendit .

Qevrisja e stërkequr e ka humbur që moti besimin qytetar, andaj ky koalicion qeverisës duhet të largohet vet, pa pritur trysninë e qytetarëve të vendit.

Një ditë më shumë për koalicionin qeverisës PDK-LDK, do të thotë një ditë më pak për vendin, një copë sovranitet më pak për shtetin e Kosovës.

Thënë ndryshe, mospranimi në UNESCO është e keqja më e vogël, përderisa e keqja më e madhe mbetët qeverisja e vendit nga servilët e Brukselit dhe Beogradit, nga liderët e paarsimuar dhe paedukuar shqiptar, të cilët me tërë qenjen e tyre në bisedimet e pabarabarta të Brukselit janë angazhuar për t’i bërë qefin homologëve të tyre në dëmë të interesave të shtetit të Kosovës.

Dështimet e politikës kosovare filluan me decentralizimin etnik, me pranimin e karakterit multietnik të shtetit me 90 % popullatë shqiptare, me pranimin e dizajnimeve antikombëtare për simbole shtetërore, eliminimi i datës më të madhe kombëtare-28 Nëntorit nga festat shtetërore,…amnistimi i kriminelëve serb dhe akomodimi i tyre në FSK dhe Polici të Kosovës…shitja apo dhënja ne koncession e aseteve strategjike shtetërore (KEK, Aeroporti…) firmave turke e deri të dështimet kulmore me Zajednicën serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin  e Zi.

Më tepër se dështim, është ky një vetshkatërrim i shtetit të Kosovës nga krerët shtetëror dhe liderët e papërgjegjshëm partiak në luftën për pushtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button