BB: Maqedonia krijon vende të punës, por me produktivitet të ulët

Rritja solide dhe performansat fiskale të Maqedonisë në dekadën e fundit rezultuan me ulje të papunësisë, edhe pse niveli i saj ende mbetet lart me rreth 30 për qind, thuhet në raportin e ri të Bankës Botërore “Prapa në punë: Rritje me vende të punës në Evropë dhe Azi Qendrore”.

Përveç papunësisë së madhe, sipas raportit, edhe pjesëmarrja në fuqinë punëtore edhe më tej është mjaft e ulët nga niveli i BE-së, posaçërisht tek gratë me 50 për qind. “Në mesin e atyre që punojnë, rrogat dhe produktiviteti janë të ultë. Maqedonia arriti të krijojë vende të punës dhe përderisa vendet e tjera në rajon i humbnin, megjithatë, shumica e këtyre vendeve të reja të punës janë ose me produktivitet të ulët ose të shtrenjta në mënyrë fiskale: 27,1 për qind nga neto vendet e hapura të punës nga viti 2007 janë në bujqësi, 13 për qind në tregtinë me pakicë, ndërsa 19,7 për qind në sektorin publik. Njëkohësisht, edhe krahas papunësisë së lartë, ndërmarrjeve shpesh u vjen rëndë të punësojnë punëtorë me shkathtësi të vërteta, duke treguar për nevojën që të rritet relevanca e rezultateve arsimore në krahasim me nevojat e tregut të punës, bën me dije Banka Botërore.

Në raport theksohet  se Maqedonia tashmë ka zbatuar reforma të rëndësishme në tregun e punës, siç janë ulja e kufizimeve të marrëveshjeve në kohë të caktuar, ulja e tatimit personal të të ardhurave dhe kontributeve sociale dhe ndarja e sigurimit shëndetësor nga paraqitja e të papunëve. Niveli mesatar i arsimit vazhdon në mënyrë konstante të rritet dhe pjesëmarrja e personave të rritur (të moshës prej 15 deri 64 vjeç) me shkollë të mesme të kryer apo arsim të lartë, në periudhën ndërmjet viteve 2007 dhe 2011 u rrit prej 45 në 49 për qind. Të gjitha këto ndryshime, sipas Bankës Botërore, pritet të kenë ndikim pozitiv ndaj nivelit të papunësisë.

“Përmirësimi i mundësive për punësim është kritik për rezultate më të mira sociale dhe ekonomike në Maqedoni”, thotë Tatijana Proskurjakova, drejtoreshë e zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni. Proskurjakova thekson se Banka Botërore bashkëpunon ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë në për balljen me çështjen e papunësisë dhe se së bashku po punohet në analizë me të cilën do të sigurohen informata për strategjinë e re për punësim.
“Banka Botërore planifikon edhe ta financojë projektin për shkathtësi dhe inovacione, i cili do t’i ndihmojë Qeverisë ta reformojë financimin e arsimit të lartë dhe ta përforcojë mekanizmin për sigurim të cilësisë, si dhe ta përmirësojë relevancën e arsimit teknik profesional dhe trajnimin”, thekson drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni.

Sipas BB-së, papunësia në Evropë dhe Azi Qendrore (EAQ) është e lartë dhe krijimi i vendeve të punës është i dobët edhe krahas përpjekjeve reformuese impresive në shumë vende të rajonit dhe dekadës së rritjes së fuqishme ekonomike para krizës së vitit 2009.

Lajme të ngjashme

Back to top button