DUKE PRITUR SHPËTIMIN

Sot më shumë lexohen libra të pavlerë që nuk thonë asgjë dhe gjithnjë e më pak lexohen libra të pacenueshëm nga tirania e kohës; libra gjenish që thonë shumëçka dhe do të thonë edhe në kohërat që do të vijnë, sikurse vepra “Duke pritur Godonë” e Samjuel Beketit.

Një vepër shumëdimensionale, shumështresore e shumëkuptimshme, që duket sikur është shkruar për kohën tonë.

Një vepër e cila na shpalon të vërteta të tmerrshme.

Personazhet presin Godonë që duhet t’i shpëtojë, por ai nuk do të vijë asnjëherë. Duke pritur tentojnë t’i japin kuptim jetës. Ata janë qenie tragjike e groteske njëkohësisht. Janë qenie të parëndësishme. Janë qenie të pafuqishme për ta ndryshuar gjendjen e tyre.

Kjo vepër e Beketit fiton aktualitet për sa kohë vazhdojmë që të presim shpëtimin, sikurse personazhet e kësaj vepre.

Në këtë pritje ndoshta jemi të pafuqishëm për ta ndryshuar jetën. Ndoshta nuk dimë si ta ndryshojmë. Ndoshta nuk dëshirojmë.

Presim shpëtimin siç Vladimiri e Estragoni e presin Godonë që nuk do të vijë kurrë.

Presim duke na thënë se Godoja apo shpëtimi nuk do të vijë sot, por me siguri do të vijë nesër. Dhe nesër është sërish nesër e kështu kalon jeta.

Derisa presim u ngjajmë personazheve qesharakë dhe të humbur në kohë e në hapësirë. Në këtë pritje jeta është e pa qëllim dhe e pakuptimtë. Në këtë pritje, sikurse thotë Mercieri, dy herë ndodh asgjëja.

Derisa presim nuk arrijmë që t’i kuptojmë problemet esenciale të ekzistencës njerëzore dhe të tjetërsimit tonë në jetën moderne.

Ashtu si te vepra e Beketit jeta jonë nuk është veçse lojë forcash të epërme, kurse ne nuk jemi tjetër veçse marioneta që presim shpëtimin prej forcave të jashtme.

Dikush tjetër i vë në lëvizje proceset, ku ne nuk kemi kurrfarë ndikimi.

Dikush tjetër i krijon situatat që përsëriten në vazhdimësi, ku ne sillemi si marioneta groteske.

Pritja herë është ankth, herë shpresë, herë kotësi.

Presim më kot të na vijë shpëtimi nga ata që nuk mendojnë tjetër veçse si të luajnë me fatin tonë.

Presim shpëtimin nga ata që na duan si marioneta groteske.

Kalojnë stinët, gjethet lulëzojnë e vyshken, kurse ne në secilin akt jemi në të njëjtën gjendje. Gjithçka përsëritet përsëri. Edhe refreni: Godoja nuk do të vijë sot, por me siguri do të vijë nesër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button