Maqedoni, a sjell risi Kodi i ri zgjedhor?

Në parlamentin e Maqedonisë është votuar pakoja me ligjet, dakorduar më parë nga liderët e partive politike në Maqedoni. Deputetët me procedurë të shpejtë e kanë miratuar ligjin për mbrojtjen e privatësisë dhe atë për mbrojtjen e informatorëve. Poashtu, janë votuar edhe ndryshimet e reja ligjore që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe Ligjin për qeverinë.

Votimit të kësaj pakoje i ka paraprirë një debat i ashpër mes deputetëve në Kuvend. Retorika e tyre le të përfundojmë se ligjet e votuara, konkretisht Kodi zgjedhor- për të cilin diskutimi ishte më i madh, ishin një “e keqe e domosdoshme”.

Portalb në vijim ju sjell disa pika që hyrën në Rregulloren e re të Kodit zgjedhor.

  • Me kodin zgjedhor rregullohen zgjedhjet për deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, zgjedhjet për Kryetar të RM-së dhe zgjedhjet lokale, respektivisht zgjedhjet për kryetarë dhe anëtarë të këshillave lokal.
  • Ligji i ri i dalur nga pakoja e Marrëveshjes së Përzhinos parasheh implikacione financiare shtesë nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë.
  • Për nevojat e fushatës zgjedhore, ndalohet shfrytëzimi i hapësirave zyrtare, pajisjeve dhe automjeteve zyrtare, përveç se personave për të cilët ka rregulla të vecanta për mbrojtje.
  • Ndalohet ushtrimi i presionit dhe frikës së votuesve ose anëtarëve të familjes.
  • Në ditën e sjelljes së vendimit për zgjedhje, partitë politike që marrin pjesë në procesin e zgjedhjeve do të nënshkruajnë Kodin për zgjedhje fer dhe demokratike. Me anë të së cilës palët obligohen të mos ushtrojnë presion ndaj punëtorëve të administratës dhe institucioneve tjera. Gjithashtu, asnjë punëtorë të mos jetë lëndë e çfarëdo kërcënimi si rezultat i përkrahjes ose mospërkrahjes të cilësdo parti apo kandidat.
  • Komisioni shtetëror zgjedhor e publikon Listën zgjedhore në ueb faqen e tij më këto të dhëna: emri, mbiemri dhe adresa e qytetarëve.
  • KSHZ ngre iniciativë për procedurë disiplinorë, parashtron kërkesë për procedurë penale ose ngre padi për organin kompetent, nëse sheh bazë për të dyshuar se është shkelur ndonjë rregull i Kodit zgjedhor.
  • KSHZ-ja kryen regjistrimin, plotësimin dhe fshirjen e listës zgjedhore, zyrtarisht, në bazë të dhënave nga librat amë, me kërkesë të qytetarëve, por edhe në bazë të kërkesës se partisë politike duke dorëzuar të dhëna për personin e vdekur.
  • Radiodifuzioni nuk guxon të emitojë emisione politike pa pagës deri në fund të zgjedhjeve. Mediat e shkruara dhe portalet në Republikën e Maqedonisë obligohen që t’u japin hapësirë të barabartë programeve të paguara politike.

Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni kanë rënë dakord që reformat ligjore të zbatohen para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen në 24 prill të vitit të ardhshëm për të garantuar një proces zgjedhor demokratik.

“Maqedoninë e pret edhe shumë punë në rrugën e saj për krijimin e kushteve normale, për organizimin e zgjedhjeve sikur në vendet perëndimore dhe jo sikur në Bjellorusi”, u shpreh Renata Deskovska, deputete e LSDM-së.

“Nuk mund të mos reagojë kur këta të LSDM-së flasin për forcimin e kapaciteteve demokratike sepse më kujtohet kur kjo parti bënte lista me emra të personave që nuk lejoheshin të votojë në referendumin për ndarjen territoriale”, tha Ilija Dimovski, shef i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Ermira Mehmeti: Ligji do të ndihmojë përkohësisht

“Kodi zgjedhor ka për qëllim që të sigurojë demokratizim në logjikën e përfaqësimit. Përgjegjësia jonë po rritet, do të ballafaqohemi me shumë dilema në vazhdim. Na duhen reforma në sistem. Nuk kemi sundim të ligjit. Megjithatë mendoj se ky ligj do të ndihmojë përkohësisht”, tha deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti, raporton Portalb.

Adili: Ligji për kodin zgjedhor nuk paraqet vullnetin e popullit

Nuk është ndryshuar asgjë nga ligji i mëparshëm. Si do të pastrohen listat zgjedhore për këtë kohë të shkurtër, kur s’kemi ndonjë mekanizëm konkret!? Nuk është në këtë ligj vullneti popullit shqiptar,  kështu tha deputeti nga partia e Unitetit, Zylfi Adili, duke diskutuar në foltoren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në lidhje me propozim ligjin për Kodin e ri Zgjedhor, raporton Portalb.

“Nga kjo foltore i falënderohem ndërkombëtarëve të cilët ushtruan presion që Maqedonia të mos shkoj në ndonjë rrugë të pakthim. Disa e krahasojnë Përzhinon me Marrëveshjen e Ohrit. MO-ja ishte rezultat e një lufte, por sa kjo po aplikohet”, tha Adili, informon Portalb.

Gërçeva: Kodi i ri zgjedhor nuk jep shpresë për pluralizëm

Është e vërtet se kjo krizë politike duheshe të mbarojë me marrëveshje, por kontestuese është procedura dhe numri i madh i dispozitave të Kodit zgjedhor, tha deputetja e pavarur Sollza Gërçeva në seancën parlamentare ku u diskutua për Kodin zgjedhor.

Sipas Gërçevës, Kodi zgjedhor nuk len hapësirë për pluralizëm dhe garë të drejtë në mes të gjithë partive politike.

“Me këtë Kod zgjedhor nuk do të ketë pluralizëm. Sipas asaj cka e shoh në Kodin zgjedhor, edhe në zgjedhjet e ardhshme do të kemi listë të njëjtë zgjedhore nga zgjedhjet e fundit. Ju doni të bëni kontrolle në teren për disa muaj, por s’ka gjasa t’ia dilni”, tha Gërçeva.

Akuza dhe kundërakuza në parlament për votën e diasporës

Deputeti nga diaspora, Pavle Sazdov tha se ndjehet mirë për faktin se partitë kanë vendosur që të votojë diaspora dhe se rezultatet e votave më të sakta kanë ardhur pikërisht nga diaspora.

“Edhe pse LSDM donte që diaspora të mos votojë, më vjen mirë që qytetarët që nuk jetojnë në Maqedoni do të kenë mundësinë të votojnë. Besoj se për këtë arsye votuesit e diasporës do ta dënojnë LSDM-në”, tha Sazdov.

Për këtë qëndrim të Sazdovit reagoi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugareski, i cili tha se nuk është njëjtë të jesh deputet me 10 mijë vota dhe 1 mijë vota.

“Pavle edhe je jolegjitim edhe po gënjen. Që një deputet të jetë legjitim duhen 10 mijë dhe jo 1 mijë vota, ti je zgjedhur me 1 mijë vota. As pesë fjalë s’i ke thënë në foltore. Pse po gënjen se LSDM s’ka dashur të votojë diaspora, ne vetëm kemi kërkuar barazinë e votës. Pavle ti je jolegjitim unë me jetë të garantojë se deputet si ti kurrë më nuk do të zgjedhen, a ti kurrë nuk do ta shkelësh në këtë Kuvend”, replikoi Sugareski, transmeton Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button