Letër Ty

Gjithnjë i dashuri im me sy si të sorkadhes,

Fjalët shpesh na mungojnë për t’u shprehur kur jemi të destinuar të shprehemi vetëm me fjalë!

Se sikur të ishe afër gjithçka ndryshe do mund të “demonstrohej”. Të tëra ndjenjat do gjenin vetë mënyrën për t’u shfaqur të plota.

Cila fjalë mund ta përmbledh mungesën tënde: çdo mëngjes çdo mbrëmje.

Pasi me ty nis dita, pavarësisht ku jam dhe si jam.

Edhe në përfundim të ditës qoftë e gjatë apo e shkurtër të ketë qenë, pra qoftë palidhje apo e bukur të ketë qenë, sërisht fytyra yte (dikur më me nur por prap e ndriçuar përbrenda) hyn e paftuar në dhomë dhe bredh rrotull…

Ti më je edhe mirëmëngjesi edhe natënemira, si me thënë…

Filluam ashtu si thotë njëra nga thëniet e ditës:

– “Si ndodhi që u dashurove tek ai?”

– “Nuk e di…ishim duke folur…”

E kam pyetur Elidën se kush i zgjedh këto myxheverë ditorë, shpesh janë si përvojat tona: dikur, tash ose ato që nesër do të vijnë…

Gjithnjë i dashuri im, vitet më kanë mësuar se dashuria ka afat, kurse mandej kalon në tjera sentimente apo raporte; dikujt mund ti duken të bukura e të vlefshme, dikujt jo gjithaq.

…Më rrëfehej një ditë një shoqe për dashurinë e saj më të madhe.

Shiheshkan aty ku “dielli dhe bota nuk i shihkan”.

“Vitet tona më të bukura” tha ajo, me keqardhjen që nuk janë bashkuar.

Përkundrazi, mendoj se dashuritë më të bukura janë ato që nuk përlyhen nga llumi i përditshmërisë. Mos bashkohesh përjetë me atë që e do sa jetën, ky është çelësi i dashurive që s’harrohen. Këto mandej mbeten etaloni për personat që hyjnë në shpirtin, jetën, frymën tonë, besoj asnjëra nga këto nuk tingëllon patetike.

Në fakt, desha të them se dashuria nga larg mbetet njësia matëse për dashuritë nga afër. Dhe dihet kush ngadhënjen në këtë garë virtuale, pasi cili realitet mund të matet me imagjinatën?? E dëshmojnë edhe letrat më të bukura të dashurisë që zakonisht u janë adresuar personave platonikë apo personave për të cilat të than malli.

Por sidoqoftë, i bukuri im, njeriu nuk është i bërë për të qenë filikat në jetë!

Natyrisht që mund të jemi të kënaqur edhe kur jemi vetëm, por vetmia e gjatë, mendoj se e kemi biseduar, kalon në sëmundje. Simptom i kohës moderne. Askund më shumë se sa në qytetet e mbipopulluara nuk gjen njerëz të vetmuar. Në Njujork veçmë ekzistojnë kafene me nga një tavolinë dhe një karrige. Natyrisht kafeja e mirë me veten ka lezetin e vet, nxit meditimin, ose ta hap ditën më mirë se cilido bashkëbisedues, mirë ama kafeteria enkas e dizajnuar në njëjës është tjetër muhabet, e di se kuptohemi.

Gjithnjë i dashuri im, ngaherë më vjen sikur vetëm sytë nuk ti ngatërroj me asnjë palë sy tjerë.

Hunda, faqet??

Sikur të isha piktore nuk do dija vërtet si ti portretizoj, hepisi bir.

Buzët?

Eh, tash, mirë bëj mos ekzagjerohem.

Se fjalët nuk do mjaftonin ose do dilnin  të tepërta.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button