GLADIATORËT

Vetmi. Njëqind vjet vetmi. Gjithnjë më përhihet se Markezi e ka ditur historinë tonë. Se, njëqind vjet vetmi është historia e popullit tonë. Tërë hidhëtia, vreri, dhembja, tërë drama jonë është brenda këtyre fjalëve për të cilat ky shkrimtar i madh është përcaktuar t’i vendosë në kopertinën e romanit të tij të papërsëritshëm. Njëqind vjet vetmi.

E vendosur në një udhëkryq ku janë pikëpjekjet e Perëndimit e Lindjes, interesat e fuqive të mëdha dhe intrigat e tyre bota shqiptare njëqind vjet me radhë përpiqet të mbijetojë. Ngado që të kthehesh në hapësirën tonë etnike e sheh lehtë se ajo është mbuluar me gjak, me lot e me hijen e Sizifit. Populli ynë udhëton vetëm brenda hapësirës së tij të rrudhur, të mbyllur. Të gjitha shenjat që e bëjnë një popull atij ia kanë marrë. Përveç gjuhës. Ajo, me gjithë barbarizmat leksikore e sintaksore që ka, nuk jepet. Nuk dorëzohet. Vetëm gjuha është veçantia e cila na mban në këmbë në këtë hapësirë, të cilën “të mëdhenjtë” e kanë caktuar të jetë arenë gladiatorësh. Nuk është  religjioni ai që na ka mbajtur, pasi ai ka ardhur shumë më vonë se gjuha. Gjuha na përcjell nga zanafilla, nga ai çast kur ka filluar koha të rrjedhë.

Dikur kishte shumë njerëz të cilët e kishin të qartë se ne ishim gladiatorët me të cilët argëtoheshin “të mëdhenjtë” dhe dinin, së paku, ta ngrenë zërin e protestës. Atëherë aty-këtu jeta dinte të stoliset me ndonjë yll dhe dëgjohej ndonjë këngë që flet për krenarinë. Shihej edhe ndonjë buzëqeshje. Kishte edhe rebelime. Ndonjëherë atyre u dëgjohej zëri shumë më larg se hapësira e tyre. Sot jo. Sot thuajse të gjithë kanë dalë në skenën e gladiatorëve. Gjithandej vlon nga gladiatorët e imtë, të cilët kalojnë para “të mëdhenjve” me heshta e me shpata, e ndjekin njëri tjetrin. Fytyrat e tyre janë të mrrolura, të lodhura, të rrudhura, të rraskapitura, si njerëzit e dalë nga katakombet.

Kudo që të shkosh i gjen këta gladiatorë që ecin udhëve pa krye të mbështjellë me pëlhurën e partive të ndryshme. BDI kundër PDSH-së e anasjelltas, PDK kundër Aleancës dhe anasjelltas, PS dhe PD dhe anasjelltas. Luftojnë gjerë e gjatë hapësirës sonë të tkurrur etnike që nga jugu në veri. Preokupimi i tyre është ta fitojnë besimin e padronëve dhe të nxjerrin ndonjë metelik për vete.

Po populli? Populli për ta është emër kuptimi. Fatin e popullit e kanë marrë në dorë padronët e gladiatorëve që flasin shqip. Ata e kanë myhyrin, kurse gladiatorëve u kanë dhënë kërbaçë që ta ndjekin popullin e tyre. Po, u hedhin edhe ndonjë metelik sa t’i mbajnë pastaj për bishti.

Po gjuha jonë? E, gjuhën tonë e kanë shkruar në një ligj mbi një copë akulli të nxjerrë nga lumi i ngrirë i marrisë.

Gladiatorë më. Luftojnë mizorisht kundër njëri-tjetrit për të arritur te këmbët e padronit…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button