Gruevski- Akdoğan: Maqedonia dhe Turqia, marrëdhënie të shkëlqyera

Mes Maqedonisë dhe Turqisë ka bashkëpunim të fuqishëm i cili zhvillohet në frymën e miqësisë, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në shumë sfera siç janë ekonomia, shkëmbimi tregtar, arsimi dhe përforcimi i lidhjeve kulturore mes dy shteteve, konstatuan kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë, Yalçın Akdoğan, në takimin e sotëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e publikuar nga qeveria e Maqedonisë thuhet se: “Ata i përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve në nivelin bilateral dhe multilateral, duke shprehur kënaqësinë e trendit vazhdimisht në rritje të zhvillimit i cili karakterizohet edhe me takime të rregullta në nivel të lartë”.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Kryeministri Gruevski, theksoi se bashkëpunimin e mirë me Republikën e Turqisë në nivel politik e ndjek edhe trendi pozitiv rritës i bashkëpunimit ekonomik. Ai shtoi se Republika e Maqedonisë është e hapur për çfarëdo lloj projekti lidhur me përforcimin e shkëmbimit tregtar dhe pasurimin e aktivitetit investues. Gjithashtu theksoi se në vend ekzistojnë shembuj pozitiv të kompanive turke të cilat me sukses punojnë dhe se si shtet janë të gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe forcohet përmes shfrytëzimit të kushteve afariste të cilat i ofron klima afariste në Republikën e Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Yalçın Akdoğan, theksoi përkushtimin e qeverisë turke për motivimin e aktivitetit investues të kompanive turke në Maqedoni, si dhe shprehu kënaqësi nga bashkëpunimi ekonomik dhe theksoi angazhimin për rritjen e shkëmbimit ekonomik në nivel deri në një miliardë dollar.

Kryeministri Gruevski falënderoi edhe për mbështetjen që Maqedonia e merr nga Turqia për integrimin e vendit në NATO. Ai theksoi edhe përkushtimin e Qeverisë për realizimin e reformave për avancimin e standardeve dhe mundësive në të gjitha sferat shoqërore.

Zëvendëskryeministri turk Akdoğan theksoi se vendi i tij tërësisht i mbështet proceset euro-integruese të Republikës së Maqedonisë dhe se do të vazhdojë të jetë lobues aktiv në realizimin e këtyre qëllimeve strategjike. Në takimin, siç thuhet në kumtesën zyrtare, është diskutuar edhe për avancimin e bashkëpunimit në sferën e kulturës dhe për hapjen e qendrave kulturore të Republikës së Maqedonisë në Stamboll dhe të Republikës së Turqisë në Shkup, me ç’rast u konstatua se procedurat janë në fazën përfundimtare.

U përshëndet edhe hapja e Qendrave rajonale të Agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu Agency dhe Radiotelevizionit të Turqisë në Maqedoni. Të dy bashkëfolësit biseduan edhe për sfidën me migrantët ilegalë, ku shkëmbyen përvoja dhe informata për mënyrën e sigurimit të efikasitetit në trajtimin e këtij problemi global. U theksua se për këtë temë nevojitet përgjigje koordinuese nga ana e tërë bashkësisë ndërkombëtare. Të dyja palët biseduan edhe për vazhdimin e bashkëpunimit në sferën e arsimit dhe shëndetësisë, thuhet në njoftimin e qeverisë së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button