Ahmeti: Investimet zvicerane janë të mirëpritura

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur  sot në selinë e BDI-së në Tetovë Ambasadorin e Zvicrës në Maqedoni, Stefano Lacaroto.

Ambasadori Lacaroto informoi Kryetarin Ahmeti për angazhimin e madh zviceran për ta ndihmuar Maqedoninë nëpërmjet të instrumenteve për ndihmë teknike për periudhën e ardhshme 3 vjeçare. Ndihma zvicerane do të përqendrohet në tre fusha kryesore siç është demokracia dhe sundimi i ligjit, shoqëria civile dhe instituti  parlamentar. Ndihmat tjera gjithashtu nuk do të mungojnë dhe Zvicra mbetet vend mik i Maqedonisë.

Kryetari Ahmeti shprehu mirënjohjen e tij për këto përpjekje zvicerane duke theksuar interesin e realizimit të përpjekjeve të përbashkëta për të nxitur diasporën shqiptare në Zvicër që të investoj në Maqedoni. Në këtë mënyrë do të thellohen edhe më tej marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve tona.

Në veçanti, Kryetari Ahmeti theksoi që investimet zvicerane janë të mirëpritura në Zonat e Lira Ekonomike në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë.

Ambasadori Zviceran gjithashtu shprehu kënaqësinë nga bashkëpunimi me Bashkimin Demokratik për Integrim si dhe shprehu interesim edhe për disa çështje politike si zgjedhjet presidenciale, çështja e emrit, etj.

Kryetari Ahmeti theksoi qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim se kandidati për President duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët dhe të jetë President për të gjithë, pa përjashtim.

Sa i përket çështjes së emrit, Kryetari Ahmeti përsëriti apelin deri tek komuniteti  ndërkombëtar që të na ndihmojnë në ndërmarrjen e hapave të fundit drejt arritjes së qëllimit, anëtarësimit në NATO dhe BE, dhe kjo punë arrihet vetëm nëpërmjet të zgjidhjes së kontestit me emrin me 
fqinj tonë jugor.

Lajme të ngjashme

Back to top button